Opinion/Aktualitet

Ngjajshmëria e jashtëzakonshme mes lobistit Grenell dhe lobistit Varhelyi

Pjesëmarrja e Komisionerit për Zgjerimin e BE-së në tryezën e Ballkanit të Hapur u tentua që nga ana e tre liderëve pjesëmarrës të interpretohet si mbështetje që BE-ja i jep këtij projekti.

Gjuha e komisionerit Oliver Varhelyi ishte ambige, duke dashur që pa përfshirë BE-në të shprehte mbështetjen e tij personale, por ama donte qëllimtazi edhe që kjo të keqkuptohej, të shihej si qëndrim i Bashkimit Evropian dhe jo qëndrim thjesht i tij personal.

Disa orë më vonë morëm vesh që pikërisht në Bruksel ishin shprehur se qëndrimi i mbajtur prej z. Oliver Varhelyi ishte vetëm i tij dhe jo i BE-së.

E gjithë kjo komedi e dobët e vënë në skenë nga Rama dhe Vuqiç, me pjesëmarrjen speciale të Komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi, mbështetës i pakursyer i Viktor Orbanit dhe politikave të tij, i la publikut shije të keqe. Por, u solli ndërmend edhe një personazh tjetër, po aq qesharak, po aq në mospërputhje me vlerat e vendit apo unionit që përfaqëson.

Pjesëmarrja e Oliver Varhelyit në tryezën e Ballkanit të Hapur na kujtoi ardhjen e ish-të dërguarit special të ish-presidentit Trump, Richard Grenell. Ngjashmëria e pranisë së patakt dhe sjelljes është vërtet e mahnitshme.

Ashtu siç z. Grenell konsiderohej nga vetë amerikanët si idhtar i Trumpit dhe se funksionin e tij në shtetin amerikan e vendosi në shërbim të politikave të Trumpit, ashtu edhe z. Varhelyi nga zëra të rëndësishëm brenda Brukselit po konsiderohet si idhtar i politikave neofashiste dhe autoritariste të kryeministrit hungarez Viktor Orban, kurse funksionin e tij në BE si Komisioner për Zgjerimin po e vendos në funksion të politikave të Orbanit dhe miqëve të tij autokrat në kontinentin e Evropës, por edhe jashtë tij. Rasti i Varhelyit është edhe më i rëndë sepse është funksionari i një entiteti ndërshtetëror në funksion të një udhëheqësi të një shteti të caktuar, për dallim nga Grenelli që të paktën i shërbente një personi me funksion brenda entitetit politik ku bënte pjesë roli i tij, branda shtetit ku kishte funksionin.

Lexo më shumë  Reportazhi i RAI 3 – prova e pakontestueshme se Shqipëria drejtohet nga një kryemafioz?

E përbashkëta tjetër e z. Grenell dhe z. Varhelyi është afiniteti që kanë me shtetin e Rusisë dhe kordinimit të heshtur. Kurse në Ballkan ky afinitet i drejtohet atij që konsiderohet “Putini i vogël”, presidentit të Serbisë Aleksandar Vuqiç.

Ashtu siç z. Grenell erdhi në vendet e Ballkanit për të treguar “mbështetjen e SHBA-së” për projekte serbe si copëtimi i Kosovës dhe marrëveshja ekonomiko-politike, nën vezullimin bosh të promovimit të tregut të lirë, mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu ngjajshëm, por në kontekst tjetër, Oliver Varhelyi vjen online në Ballkan për të treguar “mbështetjen e BE-së” për Open Balkanin serb.

Ca zëra, pa konfirmuar zyrtarisht, u shprehën më parë se pasi z. Trump nuk ishte më president dhe z. Grenell nuk ishte më i dërguar i posaçëm në Ballkanin perëndimor, z. Grenell vazhdoi të punojë për interesat serb në rajon kundrejt një page prej shtetit serb. Kjo ngelet për t’u konfirmuar, ashtu siç ngelet për t’u hetuar nëse edhe këtu ka një ngjajshmëri mes z. Grenell dhe z. Varhelyi.

Lexo më shumë  Bushati: Telefonata e Ramës ndaj medias italiane, si thirrja e një kapo bande

Pavarësisht nëse përveç përdorimit të funksionit zyrtar brenda BE-së për interesa brendashtetërore gjeopolitike, pavarësisht nëse kemi të bëjmë apo jo edhe me paga jopublike që angazhojnë figura me peshë në drejtim të mercenarizmit (anti)politik, këtu gjithsesi kemi të bëjmë me lobizëm.

Ishte disi e pranueshme që z. Grenell, si idhtar i z. Trump të kapërdihej si i shndërruar nga politikan në lobist, por pamja prej lobisti që na ofron z. Oliver Varhelyi, Komisioner i BE-së për Zgjerimin është e rëndë për sytë dhe mendjet e shëndosha. Ndoshta nuk jemi mësuar akoma dhe mos u mësofshim ndonjëherë që ta shohim BE-në të telefosur deri në këtë pikë. Deri më sot shqiptarët kanë pasur turp prej politikanëve të tyre, kurse dje patën përvojën e re në të ndjerit turp për Bashkimin Evropian.

Nëse sjellje të këtilla do të normalizohen dhe bëhen rregull do të ishte më mirë që emrin e Bashkimit Evropian ta zëvendësonim me ndonjë të atillë si Klubi i Lobistëve të Autoritaristëve dhe atyre të Paguar në Evropë.

Lexo më shumë rreth kësaj çështjeje:

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *