KryesoreLajme

Nga tramvaji i Bashës te trenat e Ramës, 15 vite premtime mbi shina që nuk mbërritën kurrë në stacion

Nga tramvaji që Lulzim Basha premtonte se do të përshkonte Tiranën në vetëm 24 minuta, te trenat modernë që Edi Rama ka premtuar prej vitesh se do të lidhin kryeqytetin me Durrësin dhe aeroportin e Rinasit, transporti hekurudhor në Shqipëri ka qenë një histori e gjatë projektesh, prezantimesh dhe afatesh të shtyra. Ndërsa qytetarët vazhdojnë të presin rikthimin e trenave në kryeqytet, kryeministri ka hedhur sytë drejt Japonisë, këtë herë për një projekt edhe më ambicioz: ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Gjatë një takimi me sipërmarrës japonezë këtë të martë, Rama u ka kërkuar atyre të shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes në projektin hekurudhor që synon të lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe më tej me Evropën Qendrore. Kryeministri e ka paraqitur projektin si një investim me rëndësi të veçantë ekonomike dhe strategjike, duke përfshirë në argumentimin e tij edhe NATO-n dhe portin e ri të Durrësit.

“Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore.

Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s”, deklaroi Rama.

Lexo më shumë  Pse NATO hoqi dorë nga samiti në Tiranë? Gazeta amerikane 'fik' Ramën: Aleatët të pakënaqur me Shqipërinë

Ndërkohë hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas, një nga investimet më të reklamuara të qeverisë gjatë viteve të fundit, ende nuk ka nisur transportin e udhëtarëve, pavarësisht afateve të shpallura më parë.

Historia e premtimeve për transport modern mbi shina në kryeqytet nuk fillon me Edi Ramën kryeministër. Një nga shembujt më të njohur është tramvaji i Lulzim Bashës, i premtuar gjatë fushatës për Bashkinë e Tiranës në vitin 2011. Më 31 mars të atij viti, gjatë një takimi me banorët e Kombinatit, Basha premtoi ndërtimin e një linje tramvaji që do të lidhte këtë zonë me qendrën e kryeqytetit.

Tre vite më vonë, më 10 qershor 2014, në prag të përfundimit të mandatit të tij si kryebashkiak, Basha prezantoi projektin e tramvajit Kombinat-Kinostudio. Sipas projektit, qytetarët do të mund ta përshkonin këtë itinerar në vetëm 24 minuta, ndërsa investimi parashikohej të kushtonte rreth 160 milionë euro.

Basha deklaronte se projekti ishte gati dhe kërkonte mbështetjen e qeverisë për realizimin e tij. Por tramvaji nuk u ndërtua kurrë.

Madje, historia e tramvajit kishte edhe një tjetër protagonist: Edi Ramën. Në vitin 2011, kur ishte ende kryebashkiak, edhe Rama kishte prezantuar projektin “Tram Tirana”, që parashikonte pesë linja transporti në kryeqytet.

Lexo më shumë  Efektivët shtyjnë qytetarët drejt trotuarit

Pas premtimeve për tramvajin, transporti mbi shina u rikthye në qendër të vëmendjes me projektin për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe lidhjen e saj me aeroportin e Rinasit.

Projekti nisi të merrte formë konkrete në vitin 2016, kur u miratua financimi për komponentin hekurudhor. Më pas u shtuan projekte të tjera për stacionet dhe elektrifikimin. Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas u përfshi edhe në programin qeverisës të Partisë Socialiste për periudhën 2021-2025, si një nga investimet që do të modernizonin transportin publik.

Megjithatë, afatet e përfundimit u shtynë disa herë.

Më 15 prill 2025, ministrja e atëhershme e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deklaroi se hekurudha parashikohej të dorëzohej në fund të vitit 2025, ndërsa stacionet dhe elektrifikimi do të përfundonin në pranverën e vitit 2026. Edhe ky afat kaloi pa nisur shërbimi i premtuar.

Në harkun e 15 viteve, Shqipëria ka dëgjuar premtime për tramvajin e Tiranës, për trenin modern Tiranë-Durrës, për lidhjen hekurudhore me Rinasin dhe për hekurudhën që do të bashkojë Durrësin me Prishtinën./ VNA.al

YouTube player