KryesoreLajme

Nga të dhënat te mbrojtja, ndikimi izraelit hyn në sektorët strategjikë të Shqipërisë

Brenda një periudhe relativisht të shkurtër, interesat izraelite kanë fituar terren në dy sektorë veçanërisht të ndjeshëm për shtetin shqiptar: infrastrukturën e të dhënave dhe mbrojtjen. Në njërën anë është një data center me investim të parashikuar rreth 100 milionë euro, ku media izraelite raporton se mes klientëve të parë ndodhet edhe një institucion i paidentifikuar i qeverisë shqiptare. Në anën tjetër, kompani izraelite dhe biznesmenë izraelitë janë shfaqur në disa prej projekteve të reja të industrisë shqiptare të mbrojtjes.

Detajet më interesante nuk gjenden vetëm në njoftimet e qeverisë shqiptare. Një pjesë e tyre janë bërë publike nga media ekonomike izraelite dhe nga vetë kompanitë e përfshira.

Më 3 shkurt 2026, gazeta ekonomike izraelite Globes raportoi se Albania Data Center (ADC) ishte përzgjedhur për ndërtimin e një qendre të madhe të të dhënave në zonën TEDA pranë Tiranës.

Sipas Globes, investimi arrin rreth 100 milionë euro, me kapacitet fillestar 32 MW dhe mundësi zgjerimi deri në 100 MW.

Media izraelite raportonte se 80% e ADC kontrollohet nga Happy Technologies, kompani izraelite e teknologjisë dhe cyber-it, ndërsa 20% nga DIT, kompani konsulence në sektorin e data center-ave.

Por pjesa më sensitive e raportimit lidhet me marrëdhënien e projektit me shtetin shqiptar.

Sipas Globes, qendra do të ndërtohet në 18 dynym tokë shtetërore, me mundësi zgjerimi me 13 dynym të tjera, ndërsa leja për projektin është marrë brenda rreth 60 ditësh.

Gazeta izraelite raportonte gjithashtu se mes tre klientëve të parë të ADC ishte Infosoft, një kompani gjermane e ruajtjes së të dhënave dhe një klient i qeverisë shqiptare, identiteti i të cilit mbahej konfidencial.

Ky është edhe elementi që mbetet pa përgjigje publike: cili institucion shqiptar është klienti i ADC dhe çfarë të dhënash do të administrohen në këtë infrastrukturë?

Globes e lidhte projektin me një marrëdhënie më të gjerë teknologjike mes dy vendeve, të intensifikuar pas sulmeve kibernetike iraniane ndaj Shqipërisë në vitin 2022.

Por zhvillimet nuk kufizohen te të dhënat.

Në të njëjtin raportim, Globes shkruante se Elbit Systems kishte nënshkruar një marrëveshje për furnizimin e ushtrisë shqiptare me sisteme artilerie dhe dronë.

Vlera dhe përmbajtja e plotë e kësaj marrëveshjeje nuk rezultojnë të jenë bërë publike nga autoritetet shqiptare në të njëjtin nivel detaji, ndaj informacioni për artilerinë dhe dronët mbështetet në raportimin e medias izraelite.

Marrëdhënia e Elbit me shtetin shqiptar, megjithatë, është e dokumentuar zyrtarisht në një tjetër projekt.

Më 27 prill 2025, kompania shtetërore KAYO nënshkroi marrëveshjen me Elbit Systems për ringritjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë, me synim trajnimin e pilotëve dhe kontrollorëve të fluturimit dhe ngritjen e kapaciteteve të qëndrueshme për Forcat e Armatosura.

Lexo më shumë  Vetëvendosje kërkon hetime për legalizimet në Prishtinë

Vetë Elbit ka dhënë më vonë detaje që shkojnë përtej njoftimit shqiptar. Kompania e përshkruan projektin e Shqipërisë si një “fully integrated training solution”: Elbit nuk do të sigurojë vetëm helikopterët Bell 505, simulatorin dhe sistemet mbështetëse, por edhe instruktorët e fluturimit.

Programi është konceptuar që të mund të zgjerohet.

Në një publikim mbi programet e saj të trajnimit ushtarak, një drejtues i Elbit e përmbledh qëllimin e tyre në një fjali: “We are not building a flight school for fun. We do it to support an air force.”

Por Elbit nuk është e vetmja lidhje izraelite që shfaqet në industrinë e re shqiptare të mbrojtjes.

Ron Yeffet dhe hyrja në kompanitë e përbashkëta me KAYO

Një tjetër emër që shfaqet vazhdimisht është biznesmeni izraelito-amerikan Ron Yeffet, i cili prej vitesh ka kontakte në nivelet e larta politike në Shqipëri.

Lidhja e tij me industrinë e mbrojtjes është tashmë konkrete.

Më 17 qershor 2025, sipas dokumentacionit të cituar në kërkesën parlamentare për interpelancë mbi KAYO, Yeffet bleu 49% të TIMAK. Pak javë më vonë u krijua Timak Defence, me 80% të kapitalit në pronësi të TIMAK dhe 20% të KAYO-s shtetërore.

Në një tjetër shoqëri të krijuar në sektorin e mbrojtjes, Advanced Arms Technology, struktura është përsëri 80% private dhe 20% KAYO. Në këtë rast 80% mbahet nga UNO18, kompani ku Ron Yeffet rezulton pronar.

Objekti i Advanced Arms Technology është veçanërisht sensitiv: prodhimi, montimi dhe tregtimi i armëve të zjarrit të kalibrave të vegjël dhe të mesëm dhe dronëve për përdorim ushtarak, për Forcat e Armatosura, strukturat e sigurisë dhe klientë të tjerë vendas ose ndërkombëtarë.

Këto të dhëna janë përfshirë edhe në kërkesën e shtatë deputetëve të opozitës për interpelancë urgjente me ministrin e Mbrojtjes, të cilët kërkuan transparencë për mënyrën e përzgjedhjes së partnerëve privatë të KAYO-s dhe faktin se kompania shtetërore zotëron vetëm 20% në disa prej sipërmarrjeve të përbashkëta.

Por prania e Yeffet në Shqipëri nuk është vetëm korporative.

Më 7 korrik 2026, ai u fotografua në Tiranë në një drekë private me ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Fotografitë e takimit u publikuan nga mediat shqiptare. Nuk ka informacion publik mbi arsyen e drekës apo temat e diskutuara.

Takimi merr rëndësi për shkak të kohës kur zhvillohet: Yeffet tashmë kishte interesa konkrete në kompanitë që operojnë në industrinë shqiptare të mbrojtjes.

Edhe marrëdhënia e tij me kryeministrin Edi Rama del në një tjetër burim, këtë herë nga një proces gjyqësor amerikan.

Sipas dokumenteve të një padie civile të depozituar më 6 mars 2026 në Gjykatën e Qarkut Miami-Dade në Florida, të publikuara nga media shqiptare, investitori amerikan Mark Faist pretendon se Yeffet e kishte bindur të investonte miliona dollarë duke krijuar përshtypjen e fuqisë së madhe financiare dhe të aksesit të tij në nivelet më të larta politike.

Lexo më shumë  Spiuni Fehim Sali dyshohet se mblidhte informacione për vehabistë e persona të tjerë që mund t’i rekrutonte

Në pretendimet e padisë përmendet posaçërisht Shqipëria.

Sipas paditësit, Yeffet kishte organizuar udhëtime në Shqipëri dhe takime me kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë, duke i përdorur këto kontakte, sipas pretendimit të Faist, për të forcuar besueshmërinë e tij si biznesmen me akses politik.

Këto janë pretendime në një proces civil dhe nuk përbëjnë konstatime gjyqësore kundër Yeffet.

Por dokumentet shtojnë një element të rëndësishëm në historinë shqiptare të biznesmenit: afërsia dhe takimet e tij me drejtuesit politikë shqiptarë nuk janë vetëm një etiketim mediatik, por përmenden edhe në dokumentet e një procesi gjyqësor amerikan si pjesë e mënyrës se si Yeffet prezantonte pozicionin e tij ndërkombëtar.

Kjo e bën edhe më të rëndësishme transparencën mbi mënyrën se si ai ka hyrë në industrinë shqiptare të mbrojtjes.

Nuk ka prova që Ron Yeffet të ketë lidhje me ADC-në apo me projektin e data center-it. Po ashtu, nuk rezulton ndonjë provë që ai përfaqëson Elbit Systems. Këto janë linja të ndryshme të pranisë izraelite dhe duhen trajtuar si të tilla.

Por në të njëjtën periudhë ato përfundojnë në dy fusha me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.

Nga njëra anë, një data center prej rreth 100 milionë eurosh me pronësi kryesisht izraelite, i ngritur në tokë shtetërore dhe ku Globes raporton se një klient qeveritar shqiptar mbetet anonim.

Nga ana tjetër, Elbit Systems në ngritjen e kapaciteteve të aviacionit ushtarak dhe Ron Yeffet si investitor privat në shoqëri të përbashkëta me KAYO për mjete ushtarake, armë dhe dronë.

Pyetjet për shtetin shqiptar janë për këtë arsye konkrete: kush është klienti qeveritar i data center-it dhe çfarë të dhënash do të administrojë? Cilat janë kontratat e plota me Elbit Systems? Me çfarë procedure janë përzgjedhur partnerët privatë të KAYO-s dhe çfarë kontrolli real ruan shteti kur zotëron vetëm 20% të disa prej kompanive të përbashkëta?

Dhe në rastin e Ron Yeffet, pyetja është edhe më e drejtpërdrejtë: çfarë roli kanë luajtur marrëdhëniet dhe aksesi i tij te drejtuesit më të lartë politikë të Shqipërisë në hyrjen e tij në një prej sektorëve më sensitivë të shtetit?

YouTube player