Lajme

Nga lufta në Tiranë, “zbarkon” sot në Shqipëri presidenti i Ukrainës Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky vjen sot në Shqipëri. Kreu i shtetit ukrainas, pritet të mbërrijë në vendin tonë, mbrëmjen e sotme.

Kjo është vizita e parë e kreut të shtetit ukrainas në vendin tonë. Presidenti Zelensky në prag të mbërritjes, ka falënderuar dhe vlerësuar mbështetjen e Shqipërisë ndaj vendit të tij.

Ndërkohë që një ditë më pas, së bashku me kryeministrin Edi Rama do të drejtojnë Samitin e rëndësishëm. Pjesë e Samitit mësohet se do të jetë edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim Oliver Varheliy, si dhe liderë nga vende të ndryshme.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Pak ditë më parë, në hapjen e ekspozitës “Ukraina, një krim lufte”, kryeministri Rama tha se fakti që presidenti Zelensky është bashkëorganizator i Samitit Ukrainë-Europa Juglindore, i cili ka një rëndësi të veçantë.

Gjatë dy viteve si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ka mbajtur një pozicion të qartë në mbështetje të sovranitetit territorial të Ukrainës, duke dënuar agresionin rus.

Ndërkohë më datë 29 Shkurt, po në Tiranë do të zhvillohet Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës.

Në këtë takim të rëndësishëm pritet të marrin pjesë krerë shtetesh dhe të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Plani i Komisionit Evropian për Rritje dhe Kovergjencë përfshin 6 miliardë Euro grante dhe kredi. Qëllimi i këtij plani është sigurimi i përfitimeve të mëdha për vendet e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, Plani i Rritjes dhe Konvergjencës synon nxitjen e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e konvergjencës ekonomike dhe shoqërore mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Për të garantuar sigurinë e samitieve që do të zhvillohen përgjatë dy ditëve, Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese po hartojnë planin e masave të sigurisë.

Rruga Press

YouTube player