KryesoreLajme

Zëvendësministri i Ekonomisë: Opozita po i sfidon reformat e rëndësishme në Kosovë

Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka akuzuar opozitën për sfidim të reformave të rëndësishme në Republikën e Kosovës.

Ai ka folur për Ligjin për Fondin Sovran, të cilin pjesëtarë të opozitës e kanë dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, Mjeku ka thënë se ata për të penguar reformat po shfrytëzojnë çdo mjet, vetëm pse është në dispozicion, por pa pasur merita në argumentet e tyre.

“Shpresojmë që përgjigja e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Fondin Sovran të jetë meritore dhe e duhur dhe të japë edhe një sinjal te palët që vazhdojnë t’i sfidojnë reformat e rëndësishme në Republikën e Kosovës dhe se nuk do të shfrytëzojnë çdo mjet vetëm pse është në dispozicion pa pasur merita në argumentet e tyre”, është shprehur Mjeku të hënën, në një intervistë në emisionin “60 Minuta”.

Lexo më shumë  Krasniqi: Kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin, sinjal i keq për komunitetet joshumicë

Ai ka thënë se opozita nuk ka marr pjesë në procesin e shqyrtimit të Ligjit në Kuvend.

“E kemi një opozitë që nuk ka shprehur gatishmërinë të bashkëpunojë dhe të ndikojë konstuktivisht në shqyrtimin e Ligjit të Fondit Sovran, ka qenë një kohë bukur e gjatë që ne e kemi shfrytëzuar për konsultime publike për t’u siguruar që rruga që po zgjedhim është e duhura, ligjit i ka paraprirë një koncpetdokument goxha i thellë … Grupi punues i deputetëve që e ka shqyrtuar Projektligjin ka punuar pa pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës, që e kanë vendin në këtë grup por nuk e kanë parë të arsyeshme që të japin kontributin e tyre”, ka deklaruar Mjeku.

Qëllimi i Fondit Sovran është operimi i shtetit si çdo palë tjetër në treg, duke iu nënshtruar të gjitha rregullave për mbrojtjen e konkurrencës.

Lexo më shumë  Investigimi i La7/ Trajtimi çnjerëzor i emigrantëve në qendrat e Italisë dhe dyshimet për Shqipërinë

Mjeku ka thënë se argumentet e opozitës për kundërshtim të këtij Ligji nuk qëndrojnë.

“Thelbi i argumentit të opozitës rreth Fondit Sovran është që Republika e Kosovës nuk duhet t’i menaxhojë vetë asetet e veta publike por duhet t’i privatizojë ato dhe përveç kësaj është edhe që shteti nuk duhet të ketë rol në nxitjen e zhvillimit të sektorit privat … Argumenti i opozitës është se po cenohet konkurrenca ose tregu i lirë, por kjo nuk qëndron, pikërisht është përkrahja e tregut të lirë, ajo që synon ta bëjë Fondi Sovran. Në kërkesat e PDK-së dhe LDK-së, paraqiten argumente krejt të pambështetura, duke përfshirë edhe citimin e një neni të shfuqizuar të Kushtetutës”, ka theksuar Mjeku.

Rruga Press

YouTube player