KryesoreLajme

“Nga konsumues në prodhues sigurie, roli i ri i Kosovës me mbështetjen e SHBA-së” – gjithçka nga vizita e ambasadorit Whitaker

Të martën për vizitë në vendin tonë ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker.

Ambasadori amerikan në Kosovë është pritur në një takim nga ushtruesja në detyrë e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Haxhiu në një postim në Facebook bën të ditur se me ambasadorin amerikan kanë biseduar për zhvillimet aktuale politike, sigurinë në rajonin tonë dhe rëndësinë e bashkërendimit të ngushtë ndërmjet aleatëve përballë sfidave të kohës sonë.

“Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës ndër vite, si dhe vlerësimin për angazhimin e Ambasadorit Whitaker në forcimin e partneritetit tonë strategjik dhe sigurisë në rajon”, ka shkruar Haxhiu.

Ndërkaq, në një njoftim të Kryeministrisë bëhet e ditur se gjatë takimit, kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Whitaker për mbështetjen jetike, të vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës.

Teksa shprehu mirënjohje, kryeministri Kurti foli për bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin me SHBA-në, përfshirë trajnimet dhe edukimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse. Ai theksoi se Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e angazhuar për stabilitet, paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë.

Kryeministri Kurti vlerësoi se prania e NATO-s në Republikën e Kosovës, dhe veçmas ajo e Shteteve të Bashkuara, mbetet kruciale për paqen dhe sigurinë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Ai theksoi se përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte kontribut i rëndësishëm dhe do të shërbente si garantues afatgjatë për paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Lexo më shumë  Kandidatura që nis me një premisë antikushtetuese

Duke folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, kryeministri tha se ajo mbetet e brishtë për shkak se Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, vazhdon të ndjekë politikë hegjemoniste rajonale.

Ai foli edhe për armatosjen e fqinjit verior, me theks blerjet e fundit nga Rusia dhe Kina, si kërcënime për stabilitetin afatgjatë rajonal dhe fqinjësinë e mirë në Ballkan.

Në këtë kontekst, kryeministri përmendi bazat e përparme operacionale të Serbisë përreth kufirit me Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në NATO në një opinion të publikuar për KosovaPress, me rastin e 27-vjetorit të ndërhyrjes së NATO në Kosovë në vitin 1999 ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë ngushtë me Kosovën për ta transformuar rolin e saj në fushën e sigurisë, nga një vend që e konsumon atë në një shtet që e prodhon dhe e eksporton, ndërsa merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e vet.

Whitaker rikujtoi ndërhyrjen e NATO-s si një moment vendimtar për ndalimin e katastrofës humanitare dhe vendosjen e themeleve të paqes në Kosovë.

Ai theksoi se që nga ajo kohë, misioni i KFOR është shndërruar në një nga institucionet më të besueshme në vend, duke kontribuar në stabilitet, mbrojtje të civilëve dhe krijimin e hapësirës për zhvillim demokratik.

Lexo më shumë  Serbë nga fronti në Ukrainë me mesazhe kërcënuese për Kosovën (Video)

Sipas tij, sot fokusi është zhvendosur drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vetë Kosovës.

“SHBA-të mbështesin transformimin e Forca e Sigurisë së Kosovës në një forcë mbrojtëse territoriale shumëetnike nën kontroll civil, duke e konsideruar këtë hap të rëndësishëm për konsolidimin e institucioneve të sigurisë”.

Ai veçoi rritjen e shpenzimeve të Kosovës për mbrojtjen, si dhe pjesëmarrjen në ushtrime të përbashkëta me SHBA-në dhe aleatët e NATO-s, përfshirë “Defender Europe 25”, si dëshmi të rritjes së gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë.

Po ashtu, programi i Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Ajovës u cilësua si shembull i bashkëpunimit afatgjatë dhe praktik.

Në planin ndërkombëtar, Whitaker vlerësoi pjesëmarrjen e Kosovës në misione dhe iniciativa për paqe e siguri, duke e konsideruar atë si një tregues të gatishmërisë për të kontribuar në stabilitetin rajonal dhe global.

Në përmbyllje, ai ritheksoi përkushtimin e SHBA-së për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se e ardhmja e Kosovës qëndron në integrimin më të thellë ndërkombëtar dhe bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në dhe NATO-n.

Megjithatë, ai shtoi se Kosova duhet të adresojë edhe sfidat e brendshme, veçanërisht garantimin e sigurisë për të gjitha komunitetet dhe përparimin në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

YouTube player