Nga Balla te Balluku, çfarë i përcillte Vlora Hyseni Ergys Agasit në mesazhe:“Taulant Balla kryetar kuvendi…. Keshtu Jane infot… Bela me Taon shoku”
Komunikimet mes ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe Ergys Agasit nxjerrin në pah të tjera detaje, ku në bisedat mes tyre përmenden Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hitaj, dhe Belinda Balluku.
Sipas materialit të SPAK, më 19 gusht 2026, Hyseni e informonte Agasin se Skënder Hitaj e kishte thirrur për një takim të hënën. Në të njëjtin mesazh, ajo shprehte shpresën që pas takimit të mund të qëndronte një porosi e Kryeministrit.
“Skënderi më thirri me u taku të hënën… Të shpresoj që ka porosit KM…”, shkruante Hyseni, sipas komunikimit të cituar në dosje.
Në vijim të bisedave, Hyseni i përcillte Agasit edhe informacione paraprake që lidheshin me emra të tjerë të mazhorancës. “Taulant Balla kryetar Kuvendi… Kështu janë infot… Bela me Taon shoku”, thuhet në një tjetër mesazh.
Sipas materialit të SPAK, me “Bela” dhe “Tao” nënkuptohen Belinda Balluku dhe Taulant Balla. Nga fragmenti i bërë publik, megjithatë, nuk sqarohet më tej se çfarë nënkuptonte konkretisht Hyseni me shprehjen “Bela me Taon shoku”.
Në dosje, këto komunikime paraqiten në kuadër të pretendimit të SPAK se Hyseni po përpiqej të ndihmonte Agasin dhe i përcillte atij informacione.
Pjesë nga dosja hetimore:
Përpjekjet e drejtueses së SHISH Vlora Hyseni për të ndihmuar personin nën hetim Ergys Agasi edhe në instanca të tjera pasqyrohen edhe në mesazhin e datës 19.08.2026 ku e informon se; “Skenderi me thirri me u taku te henen …(Skender Hita Drejtori i Përgjithshëm i Policisë)… Te shpresoj qe ka porosit km….”
Solidarizimi me personin në kërkim Ergys Agasi pasqyrohet edhe në mesazhet e datës 22.08.2026 ku Vlora Hyseni i shkruan; “Sa sh gjera na Kane bere ne…. Te gjitha shpirt… O shpirt Kjo eshte nje situate qe do ja hedhim… Problemi eshte koha… Sa konsistenc kemi….” Në vijim të komunikimeve, shtetasja Vlora Hyseni ndan dhe informacion paraprak duke i shkruar personit nën hetim Ergys Agasi; “Taulant Balla kryetar kuvendi…. Keshtu Jane infot… Bela me Taon shoku” (nënkuptohet deputeti Taulant Balla dhe deputetja Belinda Balluku).
Rruga Press

