Opinion/Aktualitet

Në avionin e linjës Tiranë – Londër

Shkruan Sonila Meço

Avioni i linjës Tiranë-Londër qe plot.

Një vëzhgim i përciptë të thosh se qenë shitur bileta më shumë se vende. Gugatje të porsalindurish, parfume tē shtrenjta vajzash, tringëllima zinxhirësh hallkamëdhenj në qafa djemsh me t-shirt-e firmato, aromë domatesh e djathi nga ulëset ngjitur ku një zonjë e moshuar me shami të bardhë borë në krye i thosh me gjasë burrit thatim se nuk bëhej gjithë ajo rrugë me barkun bosh…

Dhe një grua e pashme ngjitur meje, me lëkurë të pastër, të shndritshme, që paloste e ripaloste një shami të kaltër qendisur për merak me trëndafila e tulipanë.

“Na vjen turp të themi se jemi shqiptarë. Katër fëmijët e mi flasin italisht mes vedi në shkollë, që mos kuptohen se janë shqiptarë. Se kemi edhe frikë, frikë prej paragjykimit, frikë nga shqiptarët e krimit nëpër gazeta, frikë nga zyrat shtetërore se mos na gjejnë arsye për të na kthyer”.

E dëgjoj ndërsa nisin të përfshihen në rrëfim edhe dy burra e një vajzë në ulësen pas nesh.

“Po s’janë moj burrneshë shqiptarët problemi, po thuj jemi ma të varfrit e të pambrojturit dhe na e rrasin ne çdo faj”, ia pret ai më i riu.

“Jo mor bir se kena faj, gjithë lindja e Londrës nga kriminela që flasin shqip kontrollohet. A u largu Marku prej lagjes se iu nxi jeta nga bandat? Pse mor bir e kërkoni fajin tek ai që ju ka hap derën?”, u kthye më i moshuari.

Vajza e re mbante kokën ulur, dukej e bezdisur nga diskutimi që po përhapej në ulëset e tjera.

Bisedat ndërpriten nga stjuardesa britanike, që njofton për gazetat në bord. Mes tyre “The Sun” me titullin tronditës në ballinë: “PIRANHAS FROM TIRANA: Britain’s cocaine epidemic is fuelled by Albanian mafia thugs who sneak in to run drug trade”.

Lexo më shumë  A është çmendur Ilir Meta?

Në foto shihen fotografi armësh, parash me thasë dhe makinash të shtrenjta.

“Ja pse kemi frikë të themi se jemi shqiptarë”, më kthehet gruaja e pashme, rreth të 60-ave ngjitur meje. “Ama Zoti m’ka shpëtu fmijët me mos mu ngatrru me shpit e barit”…dhe e ul zërin teksa kthen shikimin nga qafë stolisurit kapardisur me verë të shtrenjtë.

“Të plas shpirti kur disa të paudhë marrin në qafë një komunitet të tërë”, i përgjigjem duke i vënë pikën një bisede që mund të ndizte gjakrat në bord.

Kjo ndodhte dy vjet më parë, kur në çdo stendë gazetash e revistash, zezona e titujve shpallte zezonën e një situate ku shqiptarët ishin kryelajm për keq. Fotot i kam ende në celular, tituj të tmerrshëm: “DEALING IN DEATH: The inside story of how brutal Albanian gangs rose from the UK’s premier sex traffickers to kingpin cocaine dealers”, “ALBANIAN MAFIA: Albanian drug lords are trafficking kids into Britain where they’re forced into slavery in UK’s £5BILLION cocaine market”, e shumë të tjera.

E frikshme, e kobshme, ndërsa raportet ndërkombëtare na kishin sigluar si vend origjine e tranziti i lëndëve narkotike, në listën gri të pastrimit të parave.

Në Angli, mediat shkruanin se bandat shqiptare të drogës që drejtonin fermat e kanabisit në të gjithë Britaninë po paraqiteshin si viktima të “skllavërisë moderne” dhe trafikimit njerëzor për të shmangur ndjekjen penale.

Në dy vjet, arrestimet e goditjet e bandave, shtëpive të barit dhe keqbërësve shqiptarë nuk kishin ngjallur indinjatë në Shqipëri, por një amnisti fiskale e lajmëruar iu adresua më së pari “çunave të Londrës”. E quajtën “lëvizje të lirë” ikjen e mjekëve dhe infermierëve, e cilësuan “liri lëvizjeje” iken e juristëve, ekonomistëve, shtresës së mesme e profesionistëve të lirë. E relativizuan si problem ballkanik ikjen e 400,000 shqiptarëve në 10 vjet. E neglizhuan mbylljen e shkollave e zbrazjen e fshatrave e qyteteve. E tallën kryesimin e listës së azilkërkuesve nga Shqipëria, që tejkaluan ikjen e afganëve, sirianëve, sudanezëve, iranianëve e të tjerëve nga vende lufte.

Lexo më shumë  Të rinjtë shqiptar po ikin në emigracion, të moshuarit punojnë

Për këto e kusure të tjera që u duhet të përballojnë shqiptarëve nën kamiona a mbi gomone për të ikur me çdo kusht ende në vitin 2022, nuk i kërkojmë dot llogari Anglisë e Ministrisë së Brendshme angleze. Ashtu sikurse e dimë fare mirë se krimi nuk ka kombësi, se po të ishin në kriza të thella e varfëri si jona edhe fqinjët tanë do ishin dyndjet e qytetarëve të tyre problemi. E se stigmatizimi i shqiptarëve është sport i lehtë për justifikimin e dështimeve të qeverisë britanike. Por ja që 80% e atyre, që kalojnë La Manch-in janë shqiptarë e jo sirianë, afganë, iranianë a rumunë dhe në dy vjet nga 50, kanë arritur në 12,000 në vit.

Avioni kish nisur uljen kur dy të moshuarit përbri nisën të ndihen keq.

“Mos na marrtë Zoti knej”, tha gruaja me shaminë e bardhë borë në kokë, ndërsa i shoqi mbylli sytë me duar e tha me zë të mpakur: “S’kalon jeta pa njerzit e tu, mos qoftë ky kurbet!”

Kujt t’ja zbrazin marazin? Stelës, konservatorëve britanikë, shtetit të vet a fatit?

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *