Lajme

Ndryshime në sistemin prokurorial, Gashi cakton mbikëqyrës për të gjitha prokuroritë e vendit

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka marrë vendim për caktimin e prokurorëve nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit si mbikëqyrës të punës së Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale dhe prokurorive themelore në vend.

Sipas njoftimit të Prokurorit të Shtetit, ky vendim synon rritjen e efikasitetit, zbatimin unik të praktikave dhe forcimin e ligjshmërisë në sistemin prokurorial.

Prokurorët e caktuar do të mbikëqyrin menaxhimin dhe efikasitetin e prokurorive përkatëse, si dhe do të ofrojnë mbështetje dhe këshillim në zbatimin e udhëzimeve dhe vendimeve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Lexo më shumë  Shormaz kërkon arrestimin dhe dorëzimin e Radoiçiqit në Kosovë: Nëse nuk është arratisur, duhet të kapet menjëherë

Një nga detyrat e tyre do të jetë edhe monitorimi i trajtimit të lëndëve të vjetra dhe atyre me prioritet, duke respektuar pavarësinë funksionale të prokurorëve.

Po ashtu, mbikëqyrësit do të kenë përgjegjësi për identifikimin e sfidave dhe problemeve institucionale, përcjelljen e zbatimit të shqyrtimit të detyrueshëm të lëndëve dhe pjesëmarrjen në kolegjiumet e prokurorive përkatëse.

Në njoftim thuhet se përmes këtij vendimi synohet forcimi i llogaridhënies dhe transparencës institucionale, si dhe përmirësimi i koordinimit dhe komunikimit brenda sistemit prokurorial.

Lexo më shumë  ‘Është e pamundur të negociosh me këtë qeveri’/ Media franceze: Nuk ndalen protestat kundër Ramës
YouTube player