Sport

Ndryshe nga vitet më parë, Federata e Basketbollit të Kosovës me rritje të madhe buxhetore. Kontribut sidomos nga Ministria e Kulturës

Mbi 2 milionë e 150 mijë euro kishte të hyra financiare Federata e Basketbollit e Kosovës gjatë vitit 2023. Kjo shifër është e paraqitur në “raportin e auditorit të pavarur dhe pasqyrat financiare” që tashmë u është dorëzuar delegatëve të FBK-së.

Federata e Basketbollit e mban të mërkurën në Prizren kuvendin e punës, ndërsa do të shqyrtohet e me shumë mundësi edhe do të aprovohet edhe raporti i auditorit.

Në vitin 2022, të hyrat e FBK-së ishin 1,33 milionë euro, ndërsa gjatë vitit 2023 të hyrat e evidentuara janë mbi 2,15 milionë euro. Në këtë rritje të madhe ka kontribuuar sidomos Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Derisa në vitin 2022 të hyrat nga MKRS-jë në Federatën e Basketbollit ishin 389 mijë euro, gjatë vitit 2023 janë realizuar të hyra prej MKRS-së prej plot 1 milion e 135 mijë euro.

Vjet të hyrat nga FIBA ishin 209 mijë euro, ndërsa në vitin 2022 ishin 172 mijë euro. Rritja sa u takon të hyrave nga FIBA është evidentuar në pikën “mbështetje financiare për organizimet”. Në këtë pikë në raport të auditorit janë paraqitur të hyra prej 97 mijë euro, ndërsa në vitin 2022 nuk kishte të hyra sipas kësaj pike.

Lexo më shumë  Gjiganti anglez ofron 15 milionë euro për Ernest Muçin

Të hyra nga aktivitetet për vitin 2023, FBK-ja ka të evidentuara 358 mijë euro. Në vitin 2022 të hyra sipas kësaj pike ishin 293 mijë euro.

Një hise të mirë nga të hyrat, Federata e Basketbollit e shpenzon për paga të stafit. Derisa në vitin 2022 për paga të stafit ishin ndarë 139 mijë e 676 euro, gjatë vitit 2023 shuma e ndarë për paga është rritur ndjeshëm. 198 mijë e 170 euro janë të evidentuara si “shpenzime për pagat e stafit të FBK-së”, ndërsa si kontribute janë të evidentuara 11 mijë e 507 euro.

Shpenzimet operative të FBK-së po ashtu janë rritur. Në vitin 2022 ishin 1,22 milion euro, ndërsa në vitin 2023 ishin 1,75 milionëeuro.

Në pikën shpenzime të udhëtimit dhe akomodimit, ku janë të përfshira disa nënpika tjera, mjete të evidentuara si të shpenzuara gjatë vitit 2023 janë 331 mijë euro.

255 mijë euro janë të evidentuara te shpenzimet operative në pikën: shpenzime për paga dhe meditje për trajnerë, komisione në FBK, aktivitete tjera.

Lexo më shumë  Fabrizio Romano zbulon se çfarë ka vendosur Chelsea për Armando Brojën

Shpenzimet e personave zyrtarë të ndeshjeve në FBK gjatë vitit 2023 ishin 238 mijë euro. Për LED, rekuizita e brendime vjet nga FBK-ja janë shpenzuar 190 mijë euro. Për ushqim për lojtarët dhe stafin janë shpenzuar 102 mijë euro. Për marketing janë shpenzuar 82 mijë euro, për pajisje zyrtare dhe veshje sportive 71 mijë euro. Transporti për të gjitha aktivitetet e FBK-së vjet ka kushtuar 50 mijë euro. Qiraja ka kushtuar 28 mijë euro, ndërsa makinat me qira i kushtuan FBK-së gjatë vitit 2023 plot 24 mijë euro.

Gjithsej gjatë vitit 2023, Federata e Basketbollit e Kosovës, që llogaritet njëra prej më të mëdhave në vend, ka shpenzuar 1 milion e 960 mijë euro. Në vitin 2022, shpenzimet totale të FBK-së ishin 1 milion e 376 mijë euro.

Në bazë të raportit, FBK-ja në vitin 2024 ka hyrë me buxhet prej 192 mijë euro.

Rruga Press

YouTube player