Bota

Ndërkohë që Hilli flirton me Vuçiqin, Daçiqi do takojë Lavrovin

Moska dhe Beogradi janë duke u koordinuar për vizitën në Rusi të ministrit të Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Këtë e ka konfirmuar kryediplomati rus, Sergei Lavrov duke shtuar se ky takim po aranzhohet pasi vizita e delegacionit rus në Serbi, në vitin 2022, sipas tij, u parandalua.

“Perëndimi e pengoi këtë udhëtim, thjesht duke i detyruar vendet fqinje të Serbisë që të mos lejojnë kalimin e avionëve tanë”, ka theksuar Lavrov gjatë një konference.

Ai tha se me palën serbe janë duke u pajtuar për data konkrete.

“Ne u pajtuam me Ivica Daçiqin, mikun tim të mirë të vjetër, që në këtë situatë ai të vijë në Federatën Ruse. Tani jemi dakord për disa data specifike”, tha shefi i diplomacisë ruse.

Lexo më shumë  Macroni ripërsërit se nuk e përjashton dërgimin e trupave në Ukrainë

Ministri rus i Punëve të Jashtme theksoi se kontaktet mes Rusisë dhe Serbisë mbahen rregullisht.

“Ne i jemi shumë mirënjohës presidentit [Aleksandar Vuçiq] dhe kryeministres së Serbisë [Ana Bërnabiq], si dhe ministrave të Qeverisë së Serbisë që janë gjithmonë të hapur për kontakte me ambasadorin tonë. Ato [kontaktet] janë shumë të dobishme, plus ne kemi gjithmonë mundësi të komunikojmë me telefon. Dhe unë jam në pritje të vizitës së Ivica Daçiqit sa herë që është e përshtatshme për të”, tha Lavrov.

Vizita dyditore e Lavrovit në Beograd ishte planifikuar për në qershor të vitit 2022, por nuk u realizua sepse Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi refuzuan të siguronin një korridor ajror për aeroplanin e ministrit rus.

Lexo më shumë  Ndërpriten mijëra fluturime – Rusia akuzohet se po ndërhyn në sistemet e navigimit të aeroplanëve në Evropë

Vizita u organizua disa muaj pasi Rusia pushtoi Ukrainën, si rezultat i së cilës Perëndimi vendosi sanksione ndaj Rusisë.

Sergei Lavrov, së bashku me presidentin rus, Vlladimir Putin, janë në listën e sanksioneve të shumë vendeve perëndimore. Të vetmet vende ku mund të udhëtojnë në Evropë janë Bjellorusia, Moldavia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Serbia është një nga vendet e pakta evropiane që ende nuk i ka zbatuar këto sanksione.

Mbetet për tu parë nëse vizita e Daçiqit në Moskë, do e shqetësojë ndopak marrëdhënien Hill-Vuçiq, e cila duket që veç thellohet.

Rruga Press

YouTube player