Lajme

​Ndalimi i dinarit serb, buxheti i Kosovës do të ketë përfitime

Buxheti i shtetit do të ketë përfitime, vlerësojnë njohës të ekonomisë pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb në vend.

Sipas tyre, që nga pavarësia nuk është respektuar neni që përcakton përdorimin e një valute.

Të njëjtit presin përmirësim të gjendjes financiare në vend, e po ashtu edhe pasqyrë më të shëndetshme të ekonomisë.

Përveç kësaj, përdorimi i dinarit ka qenë antiligjor dhe antikushtetuese.

Në nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme, ndërsa me Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), po ashtu, thuhet se sipas kërkesës Banka Qendrore do të këmbejë kartëmonedhat dhe monedhat euro.

Ani pse vendim i vonuar, ekspertët e ekonomisë thonë për KosovaPress, se ky vendim është i mirëseardhur.

Njohës i ekonomisë Besnik Avdija thotë se një gjë e tillë duhet të implementohet në mënyrë të kujdesshme.

“Qysh nga krijimi i shtetit tonë, pavarësisë, kushtetutës, në Kosovë nuk është respektuar neni që përcakton përdorimin e një valute të vetme. Pra, ka munguar implementimi i mekanizmave kontrollues përmes të cilëve është dashur që të kontrollohen transaksionet financiare të bizneseve në Kosovë, të cilat nuk e përdorin euron, që është përcaktuar si valutë në venin tonë. Kjo rregullore është e mirëseardhur me kusht që implementimi saj në mënyrë të kujdesshme të arrijë deri tek integrimi i shoqërisë të qytetarëve serb në komunat ku përbejnë shumicën, por edhe i entiteteve biznesore, të integrohen në sistemin fiskal dhe monetar tonin pa pasur komplikime të mëtejme që vinë kryesisht si rezultat i presioneve të jashtme që kanë për qëllim çrregullimin e rendit kushtetues në vendin tonë”, thotë Avdija.

Ai shton se vendimi për ndalimin e dinarit serb nënkupton që transaksionet financiare do të regjistrohen në përputhje me ligjin në fuqi.

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

“Në aspektin ekonomik për vendin tonë është shumë pozitive, për shkak se këto transaksione financiare që kanë qenë ekzistuese de-facto te ne, tashmë do të regjistrohen edhe në mënyrë të ligjshme, dhe përmes këtyre transaksioneve buxheti i shtetit ka përfitime. Pastaj, ka përfitime sistemi financiar te ne, sistemi makro fiskal, por në përgjithësi është një pasqyrë më e shëndetshme e ekonomisë dhe gjendjes financiare në vendin tonë”, tha Avdija.

Edhe eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadrija e vlerëson pozitive vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës.

“Është për t’u përgëzuar, diçka e vonuar, dhe në këtë drejtim është në rregull, për faktin që BE na ka imponuar që ne të punojmë me valutën euro, ne duhet të shtrijmë autoritetin në tërë territorin e Kosovës, dhe duhet ta ketë të qartë si komuniteti serb, si Serbia e çdokush që në Kosovë valutë legale është euro. Në këtë drejtim duhet të punohet me euro. Nëse bëhet ndonjë ndryshim apo ndërrim valutash, është diçka tjetër, por te pjesa e tregtisë dhe e këmbimit duhet të jetë thjesht valuta euro. Kushdo që ka pakënaqësi mund të jenë subjektiv, por nga ana objektive dhe ana e funksionimit të shtetit është në rregull, dhe do ta kuptojnë edhe minoriteti serb që në Kosovë është regjimi i valutës euro, edhe është diçka shumë e qartë”, thotë Kadriaj.

Ai thotë për KosovaPress se shfrytëzimi i dinarit serb ka dëmtuar anën fiskale të ekonomisë së Kosovës.

“Uroj që në këtë drejtim autoriteti i Kosovës të shtrihet një hap para dhe është diçka e kuptueshme, sepse gjithmonë është përmendur si ekonomi grirëse, si një korridor veriu që në fakt e ka dëmtuar nga ana fiskale edhe në përgjithësi ekonominë e vendit, pra në këtë drejtim është diçka e mirëseardhur dhe e mirëpritur…Nga aspekti ekonomik, shtetëror është diçka shumë e qartë dhe e kuptueshme, sepse përderisa në shtetin verior ka regjimin dinar, është diçka që në atë vend po punohet me dinar, dhe në këtë rast ne Republikën e Kosovës kemi regjimin e euro-s, është në rregull. Ne jemi në pajtim me vetë BE-në”, tha Kadriaj.

BQK ka vendosur që nga 1 shkurti 2024, valuta e vetme e lejuar për transaksione të pagesave me para të gatshme në Kosovë do të jetë euro, derisa në vendim kanë theksuar se po ashtu se BQK-ja është autoriteti i vetëm monetar që mund të vendosë për denominimet e lejuara të valutës euro për qarkullim në Kosovë.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 35 të kësaj rregulloreje.

Në anën tjetër, për vendimin e BQK-së ka reaguar gjatë ditës së djeshme edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke thënë se “ky veprim i Kurtit do të nënkuptonte jo një largim të heshtur, por të zëshëm të serbëve nga Kosova”.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, përdoret dinari serb për të kryer pagesa. Me dinarë paguhen edhe pensionet që serbët marrin nga Serbia, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri çmimet janë me dinarë./KosovaPress

YouTube player