KryesoreLajme

Bislimi: Dinari në Kosovë s’ka qenë asnjëherë i lejuar! Zhurma bëhet për të manipuluar opinionin publik

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar sa i takon zhvlerësimit që pritet t’i bëhet monedhës së Dinarit në Kosovë duke nisur nga shkurti. Në një reagim të gjatë, ai u kthen përgjigje “kritikëve” duke publikuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, ku thuhet se dinari nuk është lejuar asnjëherë në Republikën e Kosovës.

“RRETH ZHURMЁS MBI RREGULLOREN E BANKЁS QENDRORE TЁ KOSOVЁS PЁR “OPERACIONET ME PARA TЁ GATSHME”

Rregullorja e BQK-së pёr “Operacionet me Para tё Gatshme”, e miratuar nga bordi i këtij institucioni nё fund tё dhjetorit tё vitit qё lamё pas, nuk e liston asnjё mjet pagese veçmas, pёrveç specifikimit qё buron nga neni 11 i Kushtetutёs sё Republikёs sё Kosovёs. Nё kёtё nen precizohen dy gjёra: qё në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme; dhe qё Banka Qendrore e Kosovёs ёshtё autoritet i pavarur bankar.

Rrjedhimisht nё Rregulloren e sipёrpёrmendur, nuk ka pasur se si tё anulohet pёrdorimi i dinarit, pra diçkaje qё nuk ka qenё e lejuar asnjёherё mё parё. Pёr mё tepёr, as dinari e as monedhat e asnjё shteti tjetёr fqinj nuk janё pёrmendur fare nё tekstin prej 40 faqesh tё kёsaj rregulloreje.”- shkruan Bislimi.

Bislimi thotë se çdo intepretim dashakeqës që është duke u bërë lidhur me këtë hap të qeverisë së Kosovës synon thjesht manipulimin e opinionit publik. Ai shpjegon se është e pamundur nga ana juridike që Banka Qendrore e Kosovës të përdorë për qarkullim monedhë tjetër përveç euros. Thënë ndryshe, Dinari nuk ka qenë zyrtarisht i përdorur në shtetin e Kosovës, por ka qarkulluar.

“Cfarёdo interpretimi tjetёr ёshtё i pasaktё dhe synon manipulimin e opinionit publik. Duke qenё Autoriteti i vetёm me funksion dizajnimin, zbatimin dhe mbikёqyrjen e politikave monetare nё vend, Banka Qendrore ka pёr detyrё edhe draftimin e rregullave tё lojёs pёr tё gjithё ato subjekte, financiare apo jofinanciare, persona fizik apo juridik, nё operimet e tyre me valuta, si vendore apo tё huaja.

Natyrisht se nё ushtrimin e kёtij mandati, Banka Qendrore ёshtё e kufizuar me njё sёrё instrumentesh ligjore vendore e ndёrkombёtare, si Kushtetuta e Republikёs sё Kosovёs, Kodi Penal, Ligji pёr Bankёn Qendrore, ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit e shumё tё tjera, por edhe nga njё varg rregulloresh, direktivash e vendimesh tё Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian, Bankёs Qendrore Evropiane dhe konventave relevante ndёrkombёtare qё rregullojnё standardet nё operimin me para tё gatshme, paketimin dhe depozitimin e tyre, kёmbimin e valutave tё dёmtuara, heqjen nga qarkullimi dhe riqarkullimi tё valutave tё dёmtuara ose tё falsifikuara, importimin apo eksportimin e valutave tё brendshme dhe tё huaja.

Natyrisht se e njё rёndёsie tё veçantё ёshtё edhe pёrcaktimi i valutёs e cila lejohet tё pёrdoret nё tё gjitha transaksionet bankare e jobankare, e qё nё rastin e Kosovёs ёshtё vetёm valuta EURO.” – vijon ai

Zevëndës kryeministri i Kosovës shpjegon se secili qytetar i Republikës së Kosovës i cili ka vepruar në kundërshti me ligjin e parashikuar në bashkëpunim me ndërkombëtarët për valutën e vetme në Kosovë, pra euron, është përballur me ligjet në fuqi.

Lexo më shumë  Gërvalla: Oferta e Kosovës e humbi relevancën pas mbledhjes së sotme në KiE

“Secili prej qytetarёve tё Republikёs sё Kosovёs qё ka vepruar nё kundёrshtim me kёtё, ka qenё nё vazhdimёsi nё anёn e shkelёsit tё ligjit.

Deklaratat qё tentojnё tё kontestojnё si autoritetin e Bankёs Qendrore nё pёrcaktimin e kёtyre rregullave, si monopolin nё pёrdorimin e Euros si valutё e vetme në qarkullim, pёrveçse insistojnё nё lejim, tolerim dhe promovim tё joligjshmёrisё e informalitetit, njёkohёsisht bёjnё thirrje pёr mohimin e kompetencave tё Bankёs Qendrore, tё cilat janё tё garantuara me Kushtetutё.

Kёto deklarata njёkohёsisht synojnё minimin e sovranitetit politik e monetar tё Republikёs sё Kosovёs, dhe si tё tilla duhet tё ndeshen me kundërshtim tё fuqishёm tё secilit prej nesh.

Rregullorja e sipёrpёrmendur nuk ёshtё produkt i negociatave politike nё Bruksel dhe si e tillё nuk ka se si tё ketё ndikim nё mbarёvajtjen e procesit tё normalizimit tё raporteve mes Republikёs sё Kosovёs dhe fqinjit tonё verior.”- thekson ai.

Bislimi gjithashtu shpjegon se transparenca procesi i konvertimit të Euros nga valutat e huaja nuk ka asnjë ndikim konkret në fuqinë blerëse, aq më tepër ta zvogëlojë atë.

Lexo më shumë  Kurti uron Plenkoviqin: Kosova e vlerëson miqësinë me Kroacinë

“Transparenca nё import tё valutave tё huaja, konvertimi i tyre nё Euro dhe transferi tek pёrfituesit final, nuk ka asnjё mundёsi tё ndikojё as nё mbarёvajtjen e furnizimeve tё pёrfituesve eventual e as nё zvogёlimin e fuqisё blerёse tё tyre. Andaj edhe nuk ka se si tё shkaktojё krizё humanitare e as tё privojё cilindo qytetar nga pranimi dhe shpenzimi i tё ardhurave tё tyre.

E vetmja gjё qё zvogёlohet fuqishёm, ёshtё hapёsira enorme pёr keqpёrdorim nё emёr tё mbёshtetjes e ndihmave sociale, praktikё kjo e perfeksionuar nga sekserёt politikё nё Beograd, tё cilёt pёr secilin dinar qё kanё dёrguar tek familjet e komunitetit serb nё Kosovё, kanё vjedhur 5 sosh.

Insistimi qё edhe mё tej, transferi i parave pёrtej kufirit shtetёror tё bёhet dhe tolerohet nё mёnyrё klandestine, me thasё e vetura individuale, e pastaj tё shpёrndahet pёrmes zyreve tё paregjistruara e të palicensuara, jo vetёm qё ngjason nё ide tё shekullit të 19-të, por edhe synon mbajtjen e qytetarёve pёrfitues nё ilegalitet dhe varёsi konstante nga tё njëjtёt sekserё.”- përfundon Bislimi.

YouTube player