Lajme

NATO-ja deklarohet në trevjetorin e sulmit terrorist në Banjskë: Kërkojmë përgjegjësi për aktet e dhunës nga viti 2023

Në përvjetorin e tretë të sulmit në Banjskë janë prononcuar edhe nga selia e NATO-s, ku, ngjashëm me Bashkimin Evropian dhe shumë vende anëtare, kanë përsëritur thirrjet për nxjerrjen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për aktet e dhunës nga viti 2023.

Nga kjo Aleancë, një zyrtar i saj ka thënë se NATO vazhdon të bëjë thirrje për llogaridhënie nga kryesit e këtij sulmi.

“Ne kemi qenë të qartë me bashkëbiseduesit tanë në Serbi, në të gjitha nivelet, se sulmet e kryera kundër paqeruajtësve të KFOR-it dhe aktet e tjera të dhunës në Kosovë në vitin 2023 janë të papranueshme. Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për llogaridhënie për përgjegjësit. Serbia është e rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe ne presim që partneriteti ynë të jetë një rrugë e dyanshme. Presim që Serbia të angazhohet me NATO-n dhe fqinjët e saj në mënyrë konstruktive. Lidhur me këtë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mbetet në kontakt me presidentin Vuçiq”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

Lexo më shumë  Ministri i Jashtëm zviceran, Cassis: Zvicra e Kosova kanë lidhje të forta, mbështesim rrugën drejt integrimit evropian

“KFOR-i është i pozicionuar mirë për t’u përballur me çfarëdo zhvillimi të sigurisë, përfshirë edhe përmes pranisë së rritur në veri, përmes patrullave, posteve të vëzhgimit dhe angazhimit me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve”.

Ai ka shtuar në fund se NATO është tërësisht e fokusuar në zbatimin e mandatit të OKB-së, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999.

Lexo më shumë  Kush janë dy izraelitët “misteriozë” që do të ndihmonin Vlora Hysenin të arratisej

Rruga Press

YouTube player