Mustafi: Lugina e Preshevës po spastrohet etnikisht

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, deklaroi se shqiptarët e Luginës së Preshevës po përballen me spastrim etnik, e kjo sipas tij, po bëhet për shkak të dy faktorëve kryesore.

“Faktori i parë është diskriminimi sistematik që iu bëhet në çdo fushë shqiptarëve të Luginës nga Serbia, e faktori i dytë është qasja armiqësore ndaj shqiptarëve, që ka bërë të mos integrohen si duhet. Statistikat tregojnë se shqiptarët janë larg integrimit në institucione”, tha Mustafi.

Sipas tij, në Spitalin e Vrajës nuk operon asnjë doktor shqiptar, e as në Kryqin e Kuq të Bujanocit.

Lexo më shumë  Bordi vendos çmimet e reja të karburanteve, rritet nafta

“I kemi 12 gjykatës, nga 28 sa janë gjithsej, por asnjeri nuk është në nivelin e dytë të gjykatësve. Në institucionet republikane është 1-2 për qind përfshirja e shqiptarëve në ato institucione. Shqiptarët janë pak të integruar në institucione publike”, deklaroi ai të hënën në “60 Minuta” të KTV-së.

Mustafi theksoi se ka kuadro shqiptarë që mund të operojnë, por nuk ka vullnet nga Beogradi zyrtar për t’i integruar.

Sipas kreut të Këshillit Kombëtar, largimi i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës po bëhet edhe për shkak të mosintegrimit, derisa shtoi se shqiptarët e Luginës po i lënë edhe vendbanimet autoktone.

“Statistikat më të sakta të shpopullimit janë në shkolla. Kemi rënie prej mbi 29 për qind, është një shpopullim i jashtëzakonshëm, jo vetëm nga vendet rurale, por edhe në ato më urbane”, tha ai.

Mustafi deklaroi se pjesë e marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë duhet të jenë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.

ai tha se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve do të nënkuptonte edhe normalizim të situatës së shqiptarëve pakicë në Luginë të Preshevës.

“Shqiptarët e Preshevës janë peng e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Çdo marrëveshje është hap për t’i relaksuar marrëdhëniet. Kjo marrëveshje (për dokumentet v.j.) si dhe ajo përfundimtare, që shpresoj se në të do të përfshihet Lugina, e zgjidhja e saj krahas aspiratave politike, do të ishte vendosja e paqes së qëndrueshme. Edhe shqiptarët e Luginës duhet t’i gëzojnë të drejtat, si serbët e Kosovës. S’ka arsye që serbët në Kosovë të kenë më shumë mundësi e barazi, e liri sesa shqiptarët e Luginës së Preshevës”, shtoi ai.

Mustafi potencoi se Serbia nuk po i përmbush vlerat evropiane, aq më pak ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Nisur nga kjo, Serbia i ka 4 marrëveshje me shqiptarët e Luginës e që nuk janë duke u zbatuar. Kemi kërkuar të trajtohen problemet nga e kaluara, për një paqe të qëndrueshme. Mund të them që jemi në një ‘sanduiç’ të qëndrimeve që ka Kosova dhe Shqipëria, që janë qëndrime të ndryshme. Ka mundësi manovrimi, duke e nxjerr që çështja e Luginës të jetë në rend të ditës dhe të trajtohet”, shtoi ai.

Mustafa bëri të ditur se shqiptarët e Luginës kanë qenë të gatshëm t’i bartin pasojat e reciprocitetit të Kosovës ndaj Serbisë, me qëllim që të forcohet shteti dhe sovraniteti i Kosovës.

Rruga Press

Leave a Reply

Your email address will not be published.

AlbanianEnglishFrenchGermanItalianPortuguese