KryesoreLajme

Murati reagon ndaj Gucatit: Kjo shpifje monstruoze është e papranueshme, por këta nuk ndalen sepse gjykatat nuk e kryejnë punën e tyre

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj, siç i ka quajtur ai, shpifjeve të përsëritura nga ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati. Në një postim të publikuar në profilin e tij në Facebook, Murati ka thënë se për çështjen në fjalë ka dorëzuar padi për shpifje, porse drejtësia nuk po vepron me efikasitet.

“Kjo shpifje monstruoze herën e parë është thënë sa e kisha babain gjallë, dhe sonte shpifja qenka përsëritur nga Hysni Gucati. Për këtë çështje unë kam dorëzuar padi për shpifje. Por këta nuk duket se ndalen, sepse gjykatat nuk e kryejnë punën e tyre,” ka deklaruar Murati.

Lexo më shumë  BIRN ‘zbërthen’ Ergys Agasin: Nga zyrtar ministrie në biznesmen me pasuri marramendëse, si u bë ‘koordinator’ me ndikim në majat e pushtetit

Ministri ka paralajmëruar se do të angazhohet personalisht që në ndryshimet e ardhshme të Kodit Penal, shpifja të trajtohet si vepër penale, dhe jo vetëm si çështje civile.

“Do të jetë mision i imi që në ndryshimin/plotësimin e radhës të Kodit Penal, shpifja të përfshihet si vepër penale,” ka shkruar Murati, duke shtuar se është e papranueshme që një akuzë kaq serioze të mbetet pa ndëshkim të duhur për vite të tëra.

Ai ka sqaruar se i ndjeri babai i tij ka punuar si mësimdhënës dhe më pas në fabrikën e vajit në Ferizaj deri në largimin nga puna për shkak të masave të dhunshme, ndërsa i vëllai kishte qenë vetëm 5 vjeç kur ka përfunduar lufta në Kosovë.

Lexo më shumë  Goditën me vezë makinën e Ramës, Gjykata Penale shpall të paligjshëm arrestimin e dy aktivistëve të protestave: S’është akt dhune!

Në fund të reagimit, Murati tha se e kupton betejën politike, por se “duhet të ketë vija të kuqe” për gjuhën që përdoret në publik:

“E kuptoj betejën politike, mirëpo do duhej të kishte disa vija të kuqe se deri ku mund të shkohet. Kjo është e papranueshme.”

Rruga Press

YouTube player