KryesoreOpinion/Aktualitet

“Moratorium të ndërtimeve” që ta bëjmë qytetin!

Nga Donik Sallova

Është fatkeqësi që pushteti lokal në Kosovë, veçanërisht ai që drejtohet nga partitë e vjetra e që janë akoma modeli dominant i qeverisjes në këtë nivel, është i lidhur katërcipërisht me interesat e biznesit dhe aspak me interesin publik dhe interesat e qytetarëve. Po t’i shohësh qytetet dhe komunat tona, ato janë zhvilluar kryepëtput sipas interesit të biznesit dhe aspak sipas një logjike ku qeverisja lokale e ka prioritet përmirësimin e cilësisë së jetesës në qytet. Në një farë mënyre pushteti lokal i ka shndërruar qytetet dhe komunat në “parqe të biznesit”, ku privati ka qenë krejt i lirë ta zhvillojë veprimtarinë e vet dhe t’i realizojë interesat e veta i pa kufizuar prej rregullash dhe normash që përcaktojnë kahe të zhvillimit nga prizmi i interesit qytetar. Këto “qytete biznesi” në fakt i kanë kthyer qytetet tona në kantiere të ndërtimeve të larta.

Komunat e kanë konsideruar industrinë e ndërtimit si “zhvillim absolut”, ndërsa çdo prioritet a nevojë tjetër e qytetit është trajtuar si relative. Kështu, që nga paslufta, komunat nuk kanë zhvilluar një plan strategjik të zhvillimit urbanistik, social e ekonomik të balancuar të qytetit, por secili kryetar komune në varësi të interesave klienteliste, ia ka dorëzuar qytetin bizneseve dhe kompanive të ndërtimit të cilëve nuk u ka interesuar zhvillimi i balancuar, por përfitimi i përshpejtuar. Thënë më saktë plane ka pasur, por jo afatgjate strategjike, por afatshkurtëra periodike, që janë ndryshuar determinuar nga interesat private nga mandati në mandat.

Lexo më shumë  “Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Dy shembujt më enklatantë janë Prishtina dhe Fushë Kosova. Nuk mund të ketë qytet në botë që ta ketë humbur autenticitetin e vet urban më shumë se Prishtina. Brenda kapaciteteve hapsinore dhe infrastrukturore të një qyteti të projektuar për e shumta 200 mijë banorë të lejohen ndërtime që kërkojnë më shumë se dyfishin e këtyre kapaciteteve, do të thotë ta shkatërrosh një qytet pakthim. Lagjia Mati 1 dhe Lagja e Muhaxherëve janë ilustrimi i asaj se çfarë i ka bërë qeverisja komunale jetës së qytetit. Dy lagje enklava të betonit, ku ish sokaqet janë shndërruar në “rrugë kryesore” pallatesh 15 katëshe, ku kalojnë, parkojnë e ecin imagjinarisht në trotuare që nuk ekzistojnë me mijëra banorë. Enklavat të tilla janë si burgjet nga të cilat njerzit duan të ikin, prandaj ikin, sepse ashtu sikurse burgu që është një hapsirë e reduktuar brenda muresh, edhe banesa pa hapsirë publike është një burg ku deren e çelisë e kyç vet.

Edhe më keq është rasti i qytetit pa qendër, Fushë Kosova. Fushë Kosova është shembull i një kampi përqëndrimi, ku në çdo pëllëmbë toke u lejua ndërtimi, prandaj në këtë kamp-qytet nuk ka as qendër, as shesh, as parqe, as statcione autobusi, as transport publik, as trotuar, as parkingje publike, as hapsirë për ndërtim shkollash e çerdhesh të reja etj. Pra, nuk ka asgjë që e bën këtë “qytet” të dallojë nga një kamp refugjatësh që janë mbledhur aty ngaqë kanë ikur nga diku dhe sigurisht që do të ikin edhe nga aty, sepse në kamp nuk ndërtohet jeta normale.

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

Kur qyteti shkëputet nga qytetari, jo vetëm që ka ikur nga etimologjia e emrit qytet-civitas-qytetar, por ka ikur edhe nga funksioni themelor që është qeverisja. Sepse qyteti është edhe POLIS, pra është edhe shtet që qeveris. Në këtë sens të bësh qytetin do të thotë të bësh shtetin. Lagjet e Prishtinës si Mati 1, Lagja e Muhaxherëve, Lagja Dodona, Pejtoni, Kalabria etj., janë ilustrimi se si e kanë bërë shtet në qytet për 20 vite ata që kishin pushtetin lokal. Shteti, veçanërisht shteti demokratik që udhëhiqet nga interesi i publikut sovran, ideon, planifikon, zbaton dhe imponon zhvillim në bazë të principit të qytetit të qytetarëve dhe jo të qytetit të oligarkëve. Prandaj, ka ardhur koha që edhe në qeverisjen lokale të vijë një klasë e re politikanësh që do të jenë në gjendje ta ndërtojnë qytetin duke i ndaluar më së pari ndërtimet. Është koha për një “moratorium ndërtimesh” si një kusht për t’i shpëtuar qytetet, sepse qyteti është më shumë se kaq. Qyteti është qeverisje si planifikim dhe zhvillim urban, ku pronësia publike e hapsirës është tipari themelor i bashkësisë qytetare.

Rruga Press

YouTube player