Bota

Misteret e shpërthimit të virusit në shtetin e diktatorit Kim Jong-un

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani, rreth 15% e popullsisë është sëmurë me “ethe”. Mungesa e testimit do të thotë se kështu përshkruhen rastet. Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, e ka pranuar mungesën e ilaçeve, duke e urdhëruar ushtrinë të shpërndajë rezervat e tyre.

Kanë kaluar tri javë që kur Koreja e Veriut ka njoftuar për rastin e saj të parë ndonjëherë me COVID-19. Qeveria pretendon se e ka nën kontroll shpërthimin, mirëpo detajet mbeten mister. BBC-ja ka grumbulluar informacione, përmes bisedave me njerëz që kanë arritur të kontaktojnë ata që jetojnë në Korenë e Veriut dhe duke përdorur burime të disponueshme publikisht.

Kim Hwang-sun po qëndronte vetëm në kuzhinën e tij në Seul, kur telefoni i cingëroi. Ishte ndërmjetësi kinez me lajmet që i kishte pritur. Familja e tij mund të fliste. Kanë kaluar 10 vjet që kur Hwang-sun u arratis i vetëm nga Koreja e Veriut. Dy fëmijët e tij, nipërit dhe nëna e tij 85-vjeçare janë ende atje, e ky tashmë e kishte humbur shpresën për t’i nxjerrë ndonjëherë jashtë.

Këto telefonata sekrete janë i vetmi komunikim që ka me ta. Ai di të mos kërkojë shumë në rast se dëgjohet. I mban bisedat e tij të shkurtra, jo më shumë se pesë minuta.

Dy ditë më parë, Koreja e Veriut kishte njoftuar për rastin e parë të koronavirusit.

Të dhënat e publikuara nga Qeveria, në një lëvizje të paprecedentë, tregojnë se virusi u përhap me shpejtësi në çdo krahinë të vendit.

“Më thanë se shumë njerëz janë të sëmurë me ethe”, ka theksuar Hwang- sun. “E mora vesh që situata ishte shumë keq. Treguan se të gjithë po ngarendin duke kërkuar ilaçe te kushdo që e takojnë. Të gjithë po kërkojnë diçka për ta ulur temperaturën, e askush nuk po mundet të gjejë asgjë”.

As që kishte guxuar të pyeste se sa njerëz po vdisnin. Në rast se përgjohej biseda rreth vdekjeve, do të dukej si kritikë ndaj Qeverisë, e kishte frikë se familja e tij mund të vritej.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani, rreth 15% e popullsisë është sëmurë me “ethe”. Mungesa e testimit do të thotë se kështu përshkruhen rastet.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un , e ka pranuar mungesën e ilaçeve, duke e urdhëruar ushtrinë të shpërndajë rezervat e tyre.

Spitalet dhe farmacitë në Korenë e Veriut nuk kanë asnjë ilaç prej vitesh, ka thënë Hwang-sun. Mjekët e shkruajnë recetën, kurse pacientit i takon ta gjejë atë që i nevojitet dhe ta blejë, qoftë nga dikush që e shet drejtpërdrejt nga shtëpia e tyre ose në ndonjë treg lokal.

“Nëse keni nevojë për anestezi për ndonjë operacion, duhet të shkoni në treg për ta marrë dhe të riktheheni në spital”, ka treguar ai. “Ama as tregtarët nuk kanë gjë”.

“Qeveria po na thotë t’i ziejmë gjethet e pishës dhe ta pimë lëngun në vend të ilaçeve”, i ka treguar familja e tij. Raportet shtetërore të lajmeve kanë këshilluar gjithashtu gargare me ujë të kripur për t’i lehtësuar simptomat.

Lexo më shumë  Rusia humb kontrollin e ishullit kyç

“Kjo pritet kur nuk ka ilaçe. Kalojnë në mjekësinë tradicionale”, ka theksuar dr. Nagi Shafik, i cili ka punuar për UNICEF-in në fshatrat e Koresë së Veriut që nga viti 2001. Kur ai ishte për herë të fundit atje, në vitin 2019, medikamentet tashmë ishin reduktuar. “Kishte disa, ama shumë , shumë pak”, ka shpjeguar ai.

Pothuajse të gjitha ilaçet importohen nga Kina dhe në dy vjetët e fundit të mbylljes së kufijve e kanë shkatërruar këtë furnizim.

Sookel Park, nga organizata Liberty në Korenë e Veriut, ndihmon të arratisurit nga Veriu të vendosen në Jug. Ata që kanë folur me familjen në shtëpi, i kanë thënë atij se ka pasur mungesë të ilaçeve. “Ajo pak që kishte mbetur pa u blerë, i kishte çmimet në qiell”.

Izolimi kombëtar

Qeveria ka urdhëruar bllokim kombëtar në ditën kur u njoftua për shpërthim të virusit. Kjo shkaktoi shqetësim te njerëzit që ishin të paaftë për të marrë ushqim e që do të vdisnin nga uria. Të paktën disa, megjithatë, duket se kanë mundur të lënë shtëpitë e tyre për të punuar në bujqësi. Sidoqoftë, në vendet me shkallë të lartë të infeksionit, përfshirë kryeqytetin Phenian, raportohet se njerëzit kanë qenë të izoluar në shtëpitë e tyre.

Lee Sang-young drejton Daily NK, faqe interneti me bazë në Seul, dhe ka një rrjet burimesh brenda Koresë së Veriut. Në qytetin Hyesan në kufirin kinez, ai ka thënë se njerëzit nuk u lejuan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për 10 ditë gjatë muajit maj. Sipas burimit të tij, kur u hoq izolimi, më shumë se një duzinë njerëzish u gjetën të rraskapitur në shtëpitë e tyre, e të dobësuar nga mungesa e ushqimit.

Deri më tani janë raportuar zyrtarisht vetëm 70 vdekje. Kjo do ta vendoste shkallën e vdekshmërisë nga COVID-19 në Korenë e Veriut në 0.002% – më e ulëta në botë.

“Për një vend me sistem të dobët të kujdesit shëndetësor, ku askush nuk është i vaksinuar, këto shifra nuk kanë kuptim”, ka shpjeguar Martyn Williams, i cili i ka ndjekur të dhënat për platformën e analizës 38 North.

Ai tregon edhe për një tjetër çudi. Vdekjet arritën kulmin teksa rastet ishin ende në rritje. “Ne e dimë që me COVID-19, vdekjet priren t’i ndjekin infeksionet nga dy deri në tri javë. Andaj, e dimë që këto shifra janë të pasakta, thjesht nuk e dimë pse”.

Ai ka shpjeguar se përveç raportimit të gabuar në nivel kombëtar, zyrtarët lokalë të shëndetësisë mund të mos duan ta pranojnë se sa njerëz kanë vdekur, nga frika se mos ndëshkohen.

Lexo më shumë  Krimea u trondit nga shpërthimet, u mbyll ura që shërben si një rrugë kryesore furnizimi për forcat ruse

Ndihma ndërkombëtare

Gjatë javës se kaluar, numri i rasteve të reja të raportuara ka rënë, me një editorial në gazetën shtetërore të vendit, që pretendonte se autoritetet “e kanë shtypur dhe kontrolluar përhapjen e virusit”.

UNICEF ka njoftuar se stafi i tyre lokal tani është kthyer në zyrën, në Phenian, pasi u lirua nga izolimi.

Në një konferencë nga OKB-ja, zyrtari shëndetësor i urgjencës, dr. Mike Ryan, ka thënë se kishte frikë se situata “po përkeqësohej, e s’po bëhej më mirë”. Ai ka theksuar se Koreja e Veriut nuk u kishte dhënë atyre qasje në të dhënat e saj, duke e bërë “shumë të vështirë ofrimin e një analize të duhur për botën”. Ryan po ashtu ka treguar se ata kishin ofruar disa herë mundësinë për të dërguar vaksina dhe ndihmë atje.

Në vend të kësaj, Koreja e Veriut duket se po mbështetet në heshtje te fqinji i saj, Kina, për ta kapërcyer atë.

Të dhënat e doganave kineze tregojnë se importet e Koresë së Veriut nga Kina u dyfishuan nga marsi në prill.

Edhe pse importet janë rritur në mënyrë të vazhdueshme këtë vit pas mbylljes dyvjeçare të kufirit, në muajt e fundit ka pasur rritje të papritur të furnizimeve mjekësore të importuara.

Sipas të dhënave të doganave kineze, në prill, Koreja e Veriut importoi një mijë “ventilatorë” nga Kina – grupi i parë që nga fillimi i pandemisë.

Termi “ventilator” në të dhënat kineze mund t’u referohet gjithashtu llojeve të tjera, më të vogla të makinerive të trajtimit të oksigjenit.

Nga janari deri në prill, Koreja e Veriut bleu gjithashtu më shumë se nëntë milionë maska ​​​​për fytyrë. Asnjë nuk është regjistruar në të dhënat e doganave kineze gjatë dy vjetëve të mëparshme. Ka pasur gjithashtu rritje të barnave dhe vaksinave të importuara.

Sipas një zyrtari të Qeverisë së Koresë së Jugut, Veriu dërgoi tre avionë mallrash në Kinë për të marrë ndihmat më 17 maj.

Kim Hwang-sun nuk ka dëgjuar asgjë nga familja e tij në veri që nga telefonata e parë.

Që nga shpërthimi, ai thotë se është bërë shumë më e vështirë të komunikohet me ta. Sinjalet e telefonit bllokohen shpesh dhe kur ai kalon herë pas here, shpesh i shkëputet. Miqtë e tij po përjetojnë të njëjtën gjë.

Ai është aq i tronditur nga shqetësimi për atë që mund t’i ketë ndodhur nënës së tij 85-vjeçare në ditët që kur ata folën, saqë dje u ngjit në majën e malit të tij lokal dhe u lut për të. Kjo është krejt çka mund të bëjë. Ashtu si pjesa tjetër e botës, Hwang-sun është në errësirë ​​dhe nuk mund të ndihmojë./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *