Opinion/Aktualitet

Mirëmbajtësit e lagjeve të ferrit

Nga Kim Mehmeti

Përderisa e lexon librin e Fatos Lubonjës, ‘Jetë burgu’ të duket se je duke shëtitur nëpër lagjet e ferrit. Dhe autorin e ndjenë si shoqërues tëndin që ka jetuar aty dhe mirë i njeh ato lagje, andaj edhe e dinë me cilët banorë të tyre duhet të takohesh që ta kuptosh se edhe ata që jetojnë në atë ferr din të duan, të urrejnë, të ëndërrojnë… dhe të vdisnin duke e marr me vete të vërteton se njeriu është vetëm sekreti i tij për vetveten.

Ky libër i Lubonjës ngjanë edhe në hartë topografike të ferrit, e vizatuar nga topografi që e dinë cilat janë ‘ngrehinat’ që duhet shënuar në të që të shpërfaqet e vërteta e plotë se jo vetëm dikur, por në masë të madhe edhe sot, nëpër shoqëritë shqiptare ka qenë fatkeqësi të jesh njeri. Por njeri me të gjitha që e përbëjnë të padukshmen e tij, atë që e definon atë si të tillë: të jesh i urtë, i moralshëm, i ndërgjegjshëm, i dinjitetshëm…të ndjesh përgjegjësi edhe për fatin kolektiv, e jo vetëm për atë vetjak.

Kur e përfundon së lexuari këtë libër vetvetiu të vjen pyetja: nëse Enveri me shokët ishin projektuesit dhe ndërtuesit e këtij ferri, atëherë cilët ishin baltaxhinjtë dhe bartësit e tullave që i ndihmuan muratorët. Si dhe cilët ishin mirëmbajtësit e tij, pra cilët ishin ata që jetonin në burgun e madh të quajtur Shqipëri, duke e heshtur të vërtetën për burgjet e vegjël ku kalbej ajka e shqiptarisë.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Ku ta dish, mbase ka ardhur koha kur duhet të shkruhet libri për ata të ‘burgut të madh’, libri që do e shpërfaq të vërtetën se mirëmbajtës të lagjeve të ferrit të Enverit nuk ishin vetëm drejtuesit e shërbimeve sekrete, as vetëm drejtuesit e kooperativave bujqësore apo planifikuesit e pesëvjeçarëve të industrializimit të Shqipërisë, por edhe artistët dhe banorët e kalasë kulturore shqiptare. Pra duhet të rrëfehet e vërteta se pa mbështetjen e artit dhe të kulturës, Enveri kurrë nuk do t’ia dilte të bëhej ai që ishte.

Duhet shkruar pra libri që do e shpërfaq të vërtetën se mirëmbajtësit e dikurshëm të lagjeve të ferrit enverist ishin si këta të sotmit që heshtin kur Piktori rrënon Teatrin Kombëtarë, kur e kriminalizon dhe e bënë Shqipërinë vend të pajetueshëm për shqiptarët. Pra duhet dikush të rrëfej për lagjet ku jetojnë ata që i shërbejnë çdo regjimi e çdo sunduesi, që bëhen akademikë e drejtues të institucioneve kulturore e shkencore ngaqë kanë një vlerë që i bënë të përdorshëm për gjithë kohët e gjithë sistemet: Janë varr i njerëzores në vetvete.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Ku ta dish, mbase edhe atë libër askush nuk mund ta shkruajë më mirë se Lubonja i cili me rrëfimet për jetën e burgut dëshmon se e dinë që ndjenjat njerëzore nuk flasin me gjuhën me të cilën përshkruhen ngjarjet dhe njerëzit, se ato shpërfaqen vetëm nëpërmjet fjalëve e fjalorit që nuk janë mjet për të gënjyer e për ta shtrembëruar të vërtetën, që nuk të shërbejnë që të tregohesh i tillë siç nuk ke qenë.

Pra vetëm nëpërmjet fjalëve e fjalorit që nuk e njohin shumë nga projektues e sotëm të së ardhmes shqiptare, shumë nga ata që u ngutën t’i shkruajnë biografit e veta jo për të qartësuar të shkuarën, jo për të ndihmuar popullin që të kuptonte se çka i kishte ndodhur, por për të kundërtën: për ta përdorur fjalën si mjet për të gënjyer e për ta shtrembëruar të vërtetën, për ta mbuluar të shkuarën e tyre kur nëse jo muratorë, atëherë kishin qenë mirëmbajtës të lagjeve të ferrit komunist.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *