Shëndetësi

Miratohet përdorimi/ Ilaçi i ri ofron shpëtim për 1600 gra me formë të rrallë agresive të kancerit të gjirit

Një ilaç i ri mund të ndihmojë qindra gra që vuajnë nga një nga format më agresive të kancerit të gjirit.

Zyrtarët i kanë dhënë NHS dritën jeshile përdorimit të  pembrolizumab për të trajtuar 1600 pacientë në Angli që vuajnë nga kanceri i gjirit trefish negativ.

Në mënyrë tipike, rreziku i kthimit dhe përhapjes së kancerit të gjirit të trefishtë negativ në pjesë të tjera të trupit në vitet e para pas trajtimit është më i lartë, sipas shoqatës bamirëse Breast Cancer Now.

Por shkencëtarët thonë se për ata që marrin ilaçin e ri, krahas kimioterapisë para operacionit,  gjasat që kanceri të zhduket, dhe koha përpara se kanceri të kthehet, rritet.

Breast Cancer Now, e cila promovon kërkime dhe ofron mbështetje, përshëndeti trajtimin e ri, duke thënë se gratë me këtë lloj kanceri të gjirit më parë përballeshin me “realitetin e frikshëm të opsioneve të kufizuara të trajtimit”.

Ndërsa kanceri i gjirit trefish negativ mund të jetë më pak i zakonshëm, duke përbërë rreth 15% të të gjitha rasteve, ai është një formë më agresive e sëmundjes dhe është përgjegjëse për një të katërtën e të gjitha vdekjeve nga kanceri i gjirit.

Kjo gjendje e rrallë prek kryesisht pacientët nën 40 vjeç, gratë e zeza dhe ato me një mutacion specifik të gjenit BRCA1, sipas Breast Cancer Now.

“Ky trajtim i ri potencialisht mund të çojë në zhdukjen e çdo kanceri të zbulueshëm deri në kohën e operacionit, që do të thotë se pacientët më pas do të përballen me një operacion më pak invaziv që ruan gjirin” tha Delyth Morgan, shefe ekzekutive e Breast Cancer Now.

“Për më tepër, duke reduktuar ndjeshëm gjasat që kanceri i gjirit të përsëritet ose të përhapet në pjesë të tjera të trupit ku bëhet kancer sekondar i pashërueshëm i gjirit, ky trajtim sjell shpresë të çmuar për shpëtimin e më shumë jetëve potencialisht nga kjo sëmundje shkatërruese”.

Ndërsa Helen Knight, drejtore e përkohshme e vlerësimit të barnave në Institutin Kombëtar për Përsosmërinë e Shëndetit dhe Kujdesit (NICE), tha: “Drafti i udhëzimit të sotëm do të thotë që ne kemi rekomanduar tani tre trajtime të reja për përdorim rutinë në NHS që nga qershori, duke ndihmuar në adresimin e kësaj nevoje të paplotësuar dhe duke dhënë shpresë për një jetë më të gjatë dhe një cilësi më të mirë për mijëra njerëz”.

Drejtori i komisioneve të specializuara të NHS, John Stewart tha: “Kjo marrëveshje e fundit për një trajtim modern të kancerit të gjirit tregon fuqinë e NHS për të rënë dakord për marrëveshje për ilaçet dhe trajtimet më të fundit me çmime të përballueshme për taksapaguesit.”

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *