Bota

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, premton mbështetje të plotë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se ajo mbështet anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, pavarësisht kritikave të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

“Çdo vend është i lirë të vendosë për anëtarësimin e tij në aleancë. Kjo vlen edhe për Suedinë dhe Finlandën”, ka thënë Baerbock gjatë konferencës përmbyllëse për shtyp pas takimit të ministrave të jashtëm të G7 në Gjermani, përcjell Telegrafi.

“Nuk është NATO ajo që ka shtyrë Suedinë dhe Finlandën të anëtarësohen, por veprimet e presidentit rus, sepse ata duan të vazhdojnë të jetojnë në paqe me fqinjët e tyre, në këtë aleancë, nëse bashkohen. Do ta mbështesja shumë”, tha Baerbock.

Lexo më shumë  BBC vjen me një ‘numër të konfirmuar’ të ushtarëve të vdekur të Rusisë në Ukrainë – që është tetë herë më i lartë se numri zyrtar i dhënë nga Moska

Ndërkohë presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö, i ka thënë presidentit rus Vladimir Putin të shtunën se kombi nordik do të vendosë “të kërkojë anëtarësimin në NATO në ditët e ardhshme”.

Veç tij, të enjten, ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde, ka theksuar se Suedia do të marrë në konsideratë vlerësimet e Finlandës për anëtarësimin në NATO, pasi konsideron gjithashtu bashkimin me aleancën ushtarake.

“Qeveria gjermane e ka bërë tashmë të qartë se ne e mbështesim këtë pranim. Suedia dhe Finlanda janë vende të forta për sa i përket aftësive të tyre mbrojtëse. Vetëm kjo do ta bënte pranimin e tyre më të fortë për NATO-n”, tha Baerbock.

Lexo më shumë  Ukraina paralajmëron për rrezikun e Luftës së Tretë Botërore

Veç kryediplomates gjermane, edhe kancelari gjerman Olaf Scholz të enjten përshëndeti ofertën e Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO dhe ofroi “mbështetjen e plotë” të Berlinit.

Megjithatë, presidenti turk Erdogan të premten tha se nuk e sheh “pozitivisht” anëtarësimin e mundshëm të Suedisë dhe Finlandës në NATO dhe kishte pohuar të enjten se “vendet skandinave janë si një shtëpi pritëse për organizatat terroriste”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *