Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njofton qytetarët se uji që vjen nga kanali i Ibër-Lepencit për momentin nuk është i pijshëm
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për t’u pirë.
MSH njofton se kanë kryer disa analiza të këtij uji.
“Pas shpërthimit në kanalin e Iber-Lepencit në komunën e Zubin Potokut, IKSHPK, respektivisht Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” kanë marrë mostrat e ujit të patrajtuar për të kryer analizat e nevojshme. Sipas analizave të para, të kryera në ujin e patrajtuar, uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për pije, ndërkohë që përveç analizave mikrobiologjike dhe atyre bakteriologjike, IKSHPK/QRSHP Mitrovicë, do të analizojë edhe paramatra të tjerë që kanë të bëjnë me praninë e metaleve në ujë”, thuhet në njoftim.
IKSHPK thotë më tutje se është në bashkëpunim të ngushtë me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi në Mitrovicë dhe KRU “Prishtina”, do të monitorojnë ujin nga Kanali i Ibër Lepencit dhe do t’i kryejnë të gjitha analizat e nevojshme për t’u siguruar që uji, para se të lejohet për pije, t’i përmbush parametrat e lejuar.
Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK sigurojnë qytetarët sejanë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që uji që përdoret në zonat e prekura nga pasojat e shpërthimit t’i përmbushë standardet e lejuara.
Të premten është sulmuar infrastruktura kritike e kanalit të ujit “Ibër Lepenci” në Zubin Potok, ku janë shkaktuar dëme serioze.
Pas sulmit, në veri janë shtuar masat e sigurisë, ndërsa policia po vazhdon me aksionin për kapjen dhe identifikimin e autorëve të këtij sulmi.
Rruga Press