Lajme

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës demanton Klan Kosovën: Pretendimi për moslejim të kontributit të mjekes nga diaspora është i pavërtetë

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar opinionin publik se pretendimet e paraqitura në emisionin “Diaspora” në Televizionin “Klan Kosova”, lidhur me moslejimin e një mjekeje nga diaspora për të dhënë kontributin e saj vullnetarisht në Kosovë, nuk qëndrojnë.

Në reagimin e ministrisë thuhet se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka Divizionin për Bashkëpunim Ndërkombëtar, përmes të cilit çdo profesionist shëndetësor që dëshiron të angazhohet vullnetarisht në Republikën e Kosovës mund të paraqesë kërkesë sipas dispozitave ligjore në fuqi dhe nuk ekziston asnjë pengesë institucionale për këtë proces.

“Në rastin konkret, Ministria e Shëndetësisë informon se në Divizonin për Bashkëpunim Ndërkombetarë, nuk është pranuar asnjë kërkesë nga mjekja në fjalë”, theksohet më tutje në këtë reagim.

Lexo më shumë  Salmon i infektuar nga Serbia në supermarketet në Shqipëri. AKU hesht, qytetarët në rrezik

“Megjithatë, ajo është vënë në kontakt me të gjitha institucionet relevante përmes Ministrisë, dhe është informuar nga drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë mbi procedurat e thjeshta që duhen ndjekur për angazhim, mirëpo mjekja ka zgjedhur të mos i ndjekë këto procedura.”

Nga Ministria e Shëndetësisë shprehen se dorëzimi i një kërkese të thjeshtë nuk përbën pengesë për asnjë mjek të mërgatës apo të huaj që dëshiron të kontribuojë në Kosovë, duke shtuar se institucionet shëndetësore, publike dhe private, operojnë me rregulla dhe procedura të qarta, të cilat duhet respektuar për të siguruar funksionimin korrekt të sistemit dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Lexo më shumë  Inspektorati Policor i Kosovës hap zyra të reja në Mitrovicën e Veriut

“Ministria e Shëndetësisë vlerëson dhe inkurajon angazhimin e mjekëve nga diaspora, e që përmes shpalljes publike ka bërë thirrje për të gjithë profesionistët me vullnet për të kontribuar, në vendin e tyre, thirrje kjo, e cila mbetet e hapur për bashkëpunimin e tyre. Ftojmë çdo mjek dhe mjeke që të kontaktojnë Divizionin për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në ShSKUK për të marrë udhëzimet e nevojshme për angazhimin e tyre në Kosovë, përfshirë edhe mjeken e përmendur në këtë rast”, thuhet në përfundim të reagimit.

Rruga Press

YouTube player