Ministria e Financave dështon të publikojë raportin e performancës së koncesioneve! Ja disa nga kontratat e majme që kanë mbetur në ‘vendnumëro’
Për herë të parë që nga viti 2019, Ministria e Financave e Republikës së Shqipërisë duket se ka dështuar të publikojë një raport kyç, në të cilin duhet të bëhet transparencë mbi ecurinë e kontratave kontroverse të partneritetit publik privat – një detyrim ligjor për këtë ministri. Raporti nuk është publikuar në seksionin përkatës të faqes së internetit të Ministrisë së Financave, [Link], ndërsa te raporti i detajuar i projektligjit për buxhetin faktik 2020, i cili është aktualisht në shqyrtim parlamentar, [link] mungon shtojca e këtij raporti.
Madje, raporti Mbi zbatimin e buxhetit vjetor dhe situatën makroekonomike dhe fiskale, [link] i referohet raportit të koncesioneve në faqen 57 duke shënuar se ky raport gjendet si shtojcë. Në fakt, vetë shtojca në fjalë mungon.
Zëdhënësi i qeverisë nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Detyrim ligjor
Qeveria shqiptare pranoi disa vite më parë kërkesën e përsëritur të Fondit Monetar Ndërkombëtar për transparencë në lidhje me kontratat e partneritetit publik-privat si dhe ecurisë së zbatimit të tyre. Kuvendi i Shqipërisë miratoi në vitin 2019 ndryshime në ligjin për koncesionet, duke i ngarkuar Ministrisë së Financave detyrimin e hartimit dhe publikimit të një raporti të detajuar mbi ecurinë e koncesioneve kryesore.
Një raport i tillë u publikua në vitin 2020 për ecurinë e koncesioneve deri në vitin 2019 dhe në vitin 2021 për ecurinë deri në vitin 2020. Duke theksuar detyrimin ligjor të Ministrisë së Financave për përgatitjen dhe publikimin e një raporti të tillë, raporti i vitit 2020 shkruan:
“Me qëllim rritjen e transparencës mbi zbatimin e koncesioneve/PPP, forcimin e disiplinës financiare, monitorimin e risqeve fiskale dhe buxhetore që burojnë nga kontratat e koncesionit/PPP, nga ana e Ministrisë përgjegjëse për Financat janë propozuar disa ndryshime të miratuara me Ligjin Nr.50 datë 18.07.2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” i ndryshuar, ndryshime të cilat kanë përforcuar rolin e MFE-së në monitorimin e zbatueshmërisë së projekteve të dhëna me Koncesion/PPP në këndvështrimin e implikimeve financiare.”
Sipas vetë përshkrimit të Ministrisë së Financave, raporti duhet të përmbajë një “pamje e përgjithshme të portofolit aktual të koncesioneve”, “një përshkrim të performancës së portofolit”, etj.
Raportet e viteve të kaluara kanë vënë në dukje faturat e paguara nga buxheti i shtetit për këto kontrata si dhe, në raste të rralla, të dhënat mbi ecurinë e investimeve sipas kontratës të kryera nga partnerët privatë. Për shembull, në lidhje me koncesionin e fushës së plehrave të Tiranës, raporti i vitit 2020 shkruan: “Për vitin 2020, pagesat faktike janë realizuar në masën 100 % të planit vjetor.”
Ndërsa në lidhje me investimet e planifikuara në kontratë, të cilat duhej të bëheshin nga partneri privat, raporti thotë: “vlera faktike e investimit kapital për vitin 2020 ka shënuar 2,947,277,153.38 Lekë. Arsyeja që ka çuar në mosrealizim të plotë të vlerës së investimit ka qënë koha e gjatë e marrjes së lejes së ndërtimit në KRT për objektet përbërëse të impiantit. Tashmë leja e ndërtimit është marrë me Nr.756/8 datë 24.11.2020, dhe ka filluar zbatimi i saj. Ndërkohë janë kryer dhe porositë e pjesëve përbërëse të impiantit të cilat nuk janë situacionuar ende, pasi situacionohen në momentin që vijnë në kantier. Vlera e investuar për porositë e këtyre pjesëve të impiantit është 30 milion Euro.”
Koncesione me fat të panjohur
Qeveria shqiptare po zbaton një dyzinë kontratash koncesionare kontroverse, të cilat i janë dhënë kryesisht kompanive vendëse me procedura me shkallë shumë të ulët konkurrence. Gjatë vitit të kaluar, këto kontrata përfituan sëbashku 11.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit si dhe një sasi jo të njohur të ardhurash të paguara nga shqiptarët jo përmes buxhetit të shtetit, por përmes tarifave të shërbimeve, të cilat ofrohen në kushtet e monopolit faktik.
Disa nga këto kontrata koncesionesh duket se kanë ngecur. Kontrata për ndërtimin e Rrugës së Arbrit duhej të kishte përfunduar me dorëzimin e rrugës në prill të këtij viti, por kompania sipërmarrëse Gjoka 87 pati mbetur prapa me planin e investimeve që në vitin 2020. Së fundmi u bë e njohur shtyrja me 17 muaj e afatit të dorëzimit të kontratës, një vendim i marrë ky që në vitin 2020.
Ecuria e kontratës së koncesionit “Për Ndërtimin e Landfillit, Inceneratorit dhe rehabilitimin e Vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë” është gjithashtu e panjohur. Ministria nuk ka bërë të ditur nëse deklarata e saj në raportin e vitit 2020 se incineratori po pret 30 milionë euro pajisje, është materializuar apo jo. /Reporter.al
Rruga Press