KryesoreOpinion/Aktualitet

Analiza/ Filozofi Zhizhek bën krahasimin e situatës në Kosovë me Ukrainën

Veriu i Kosovës përpara disa javësh është përfshirë në një situatë të tensionuar e cila njësoj si nisi vrullshëm, në të njëtën mënyrë edhe u shua. Megjithatë rreziku i përshkallëzimit të ngjarjes është po aty. Faktori ‘Rusi’ po manovron heshturazi në Ballkan për të nxitur tensione. Një e nga një po i tërheq fijet e saj në kamuflim Kremlini zyrtar dhe pak e nga pak po ndizen shkëndijat në rajon.

Qeveria e Kosovës mori vendimin që qytetarët serb të cilët hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit. Po ashtu vendimi prekte serbët që jetojnë në veri të Kosovës. Ata duhet të aplikonin për targa vendore, duke zëvendësuar targat serbe dhe duke i regjistruar automjetet me targa RKS. Një ditë para hyrjes së fuqi të vendimit të reciprocitetit, serbët kanë protestuar duke vendosur një bllokadë në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës dhe një tjetër në Rudarë të Zveçanit si dhe kanë qëlluar me armë, duke ‘detyruar’ autoritetet e Kosovës të shtyjnë masën për një muaj. Ndërsa Serbia ka kohë që ka një rregull të ngjashëm për mbajtësit e targave kosovare në territorin e saj, nuk pranon të njëjtin standard për Kosovën. Problemi, natyrisht, është se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, edhe pse ky fakt është pranuar tashmë nga Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 100 vende të tjera.

Në rrethana të tjera kjo s’do të ishte veçse një ngjarje lokale, por, bazuar edhe në dinamikën gjeopolitike të shkaktuar nga lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë, realiteti është tjetër. Së fundmi, Vladimir Gjukanoviç, një deputet nga Partia Progresive Serbe në pushtet, duke përdorur të njëjtin arsyetim që Rusia jep për pushtimin e Ukrainës tha: Serbia mund të detyrohet të përfshihet në ‘denazifikimin’ e Ballkanit”. Vetë shprehja “detyruar të angazhohet” tregon qartas se sa të koordinuara janë lëvizjet e Rusisë me ato të Serbisë e për më tepër nxjerr zbuluar linjën farsë të Kremlinit rreth provokimit nga agresioni i NATO-s për të pushtuar Ukrainën. Po ashtu, referenca e Gjukanoviçit për “Ballkanin” ndjek të njëjtën logjikë si vija ruse, që nënkupton se e gjithë Europa, e kapur në vorbullën e degjenerimit vetëshkatërrues (LGBTQ+, martesa mes të njëjtit seks, heqja e dallimeve të qarta gjinore, etj.), në fund të fundit do të duhet të “denazifikohet”. Në fjalët e filozofit të presidentit Putin, Aleksandr Dugin: Rusia po lufton të keqen absolute, të mishëruar në qytetërimin perëndimor, në gjithë hegjemoninë e tij liberal-totalitare, në nazizmin ukrainas…”

Lexo më shumë  Ndërpriten mijëra fluturime – Rusia akuzohet se po ndërhyn në sistemet e navigimit të aeroplanëve në Evropë

Sipas kësaj linje të re mbi konservatorizmin, nazizmi, komunizmi dhe hedonizmi janë të gjitha e njëjta gjë. Por kjo ndërthurje e të kundërtave është vërtet e tepërt dhe shpalos haptas mospërputhjen e dukshme jo vetëm të propaganduesve të Kremlinit, por edhe të gjithë atyre që mbështesin të djathën e re, e cila pretendon se mishëron vlerat tradicionale të krishtera, edhe pse me fjalët dhe veprimet e saj mbështesin gjenocidin dhe lavdërojnë dhunën seksuale.

Si një aktor kryesor në këtë luftë kulturore, Kremlini ka ndërhyrë përmes përfaqësuesve të vetë jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje, të cilën gjithashtu e ka paralajmëruar kundër anëtarësimit në NATO. Fatkeqësisht, të majtët dhe pacifistët perëndimorë kanë zgjedhur thjesht të injorojnë dimensionin gjeopolitik të projektit të “denazifikimit” të Putinit. Ish-udhëheqësi i Partisë Laburiste britanike, Jeremy Corbyn foli kohët e fundit për këtë çështje duke thënë se dërgimi i armëve në Ukrainë nuk do të sjellë një zgjidhje, vetëm sa do të zgjatet lufta. “Mund të jemi në një luftë për vite e vite në Ukrainë”, tha Corbyn.

Por kjo deklaratë është e barasvlefshme me të thënit se qeveritë perëndimore thjesht duhet ta lënë Rusinë të pushtojë Ukrainën.  Me fjalë të tjera një lloj i veçantë “pacifizmi” i cili ushtron presion mbi viktimën (e cila nuk duhet të mbrohet shumë fuqishëm) dhe mbështetësit e saj (të cilët nuk duhet të ndihmojnë shumë), sesa ndaj sulmuesit.

“Pacifistët” perëndimorë këmbëngulin që të “demonizojnë” Putinin. Ata harrojnë që herët apo vonë do të duhet të ketë një lloj negociate, që presidenti rus duhet trajtuar si një partner i ardhshëm. Mirëpo në fakt, ndodh pikërisht e kundërta: sulmi ndaj Ukrainës na detyron të ridemonizojmë Putinin, jo personalisht atë, por atë që lideri rus përfaqëson pra: eksponenti i një projekti të rrezikshëm gjeopolitik dhe ideologjik.

Veprimet e ndërmarra nga Rusia tregon se ajo po shndërrohet në diçka tërësisht të huaj për banorët e demokracive të sotme perëndimore. Por mos mendoni se Putin ja hedh të gjithëve.  Provat e dhëna deri më tani nuk janë të panjohura për studentët e historisë europiane. Mjafton të kemi vetëm parasysh se Partia Liberale Demokratike Ruse ka propozuar që termi ‘president’ të zëvendësohet me ‘pravitel’ (“sundimtar”). Arsyetimi i tyre për këtë? Termi ‘president’ është i sikletshëm sepse u përdor për herë të parë në SHBA, duke u përhapur në pjesën tjetër të botës më vonë.

Lexo më shumë  SHBA-ja thotë se Rusia ka përdorur “agjentë kimikë” kundër trupave ukrainase

Pavarësisht se targeti kryesor i të djathtës së re është sulmi i degjenerimit perëndimor, magjepsja që kjo rrymë ka me sundimin e njerëzve të fortë përshkohet me turpësi. Në një paraqitje të fundit, Kari Lake, kandidatja republikane për guvernatore në Arizona, tha se kolegët e saj republikanë Donald Trump dhe guvernatori i Floridës Ron DeSantis janë madhështor dhe kanë energji të madhe. Një rast tjetër është edhe fjalimi që mbajti përfaqësuesi i SHBA-së Todd Akin, asokohe kandidat republikan për Senatin nga Misuri, me fjalën kyçe “përdhunimi i pretenduar”. Sipas Akin, aborti duhet të ndalohet plotësisht, sepse nëse një grua përdhunohet, trupi i saj do të dijë si të mos mbetet shtatzënë. A nuk është “ndërhyrja ushtarake paqeruajtëse” e Rusisë në Ukrainë një “përdhunim i pretenduar”? I gjendur përballë kritikave të ashpra Akin pretendoi se ai kishte gabuar. Ajo që ai donte të thoshte ishte se ka “raste të pretenduara të përdhunimit”, term që policia përdor kur rasti është ende nën hetim. Por mesazhi i atij fjalimi mbeti: nëse një grua mbetet shtatzënë nga përdhunimi, ajo duhet ta ketë pëlqyer në fshehtësi aktin sepse përndryshe reagimi nën stres i trupit të saj do ta kishte penguar të ngelej me barrë.

Një paralelizëm i tillë mund të bëhet edhe me situatën në Europën lindore. Edhe Putin i është referuar Ukrainës në të njëjtën mënyrë. Në një konferencë shtypi më 7 shkurt, ai u tall me kundërshtimet e qeverisë së Ukrainës ndaj marrëveshjeve të Minskut, duke shtuar: “Të pëlqen apo jo, është detyra jote, bukuroshja ime”. Ajo çfarë nënkuptohet nga e gjithë kjo është se ‘përdhunimi’ i një vendi ndonjëherë është i justifikuar, pasi viktima po e kërkonte.

Përktheu Lapsi.al nga: PROJECT SYNDICATE

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *