KryesoreLajme

Ministri Sveçla: Ish-polici Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues

Dejan Pantiç, ish-polic i Kosovës, është arrestuar të shtunën, nën dyshimin se ka organizuar sulmin ndaj zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri të Kosovës, ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në një shkrim në Facebook, Sveçla ka thënë se Pantiq në të kaluarën ka qenë pjesëtar i MUP-it serb.

“I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor. Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues. Grupe ekstremiste me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Lexo më shumë  Serbi i arrestuar dje në Jarinjë dyshohet se sulmoi ushtarët e KFOR-it në maj të 2023-ës

Sveçla ka ftuar qytetarët që të ruajnë qetësinë, ndërsa ka përfunduar se “asgjë nuk mund t’i ndalë institucionet e Republikës së Kosovës për ofrim të sigurisë për qytetarët pa dallim e për sjellje para drejtësisë të të gjithë shkelësve të ligjit”.

Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur. Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Sulme në veri ka pasur edhe të mërkurën.

Lexo më shumë  Rohde: Gjermania do të katërfishojë numrin e ushtarëve në Kosovë

Një polic u plagos të enjten nga një sulm me armë të gjata në Zveçan, në ditën kur u njoftua se Policia ka shtuar praninë në veri.

Pas ngritjes së tensioneve në veri, në prag të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar të shtunën se zgjedhjet janë shtyrë për në prill.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *