Ministri polak: NATO do ta mposhtte Rusinë shpejt, Evropa ka epërsi të madhe ushtarake
Ministri i Jashtëm polak thotë se NATO ka rreth 2,500 avionë më shumë se Rusia dhe se Evropa mund të përgjysmojë kapacitetin rus të rafinimit të naftës brenda gjashtë javësh.
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, ka deklaruar se NATO do ta mposhtte Rusinë “mjaft shpejt” në rast të një konflikti të drejtpërdrejtë, duke theksuar epërsinë e madhe të Aleancës në fuqinë ajrore dhe kapacitetet ushtarake.
Sikorski i bëri deklaratat gjatë konferencës “Yalta European Strategy” në Kiev, në një kohë kur vendet evropiane po përballen me shqetësime në rritje për aktivitetet ushtarake dhe hibride të Rusisë ndaj vendeve të NATO-s.
“Nëse Rusia do të na sulmonte dhe ne do t’i hiqnim dorezat, mendoj se do ta mposhtnim Rusinë mjaft shpejt”, tha Sikorski.
Sipas tij, NATO ka rreth 2,500 avionë më shumë se Rusia, duke krijuar një avantazh të rëndësishëm në aspektin e fuqisë ajrore.
Sikorski theksoi se kjo epërsi do të ekzistonte edhe në rast se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshiheshin në një konflikt.
“Edhe pa SHBA-në, epërsia është ende shumë e madhe”, deklaroi ai, duke përmendur avionët F-35, raketat JASSM dhe kapacitete të tjera për goditje në distancë të gjatë.
Ministri polak pretendoi gjithashtu se Evropa do të ishte në gjendje të godiste gjysmën e kapacitetit të Rusisë për rafinimin e naftës brenda vetëm gjashtë javësh.
“Ukrainasit kanë goditur gjysmën e kapacitetit të rafinimit të Rusisë për gjashtë muaj. Ne mund ta bëjmë këtë për gjashtë javë dhe të godasim gjysmën tjetër”, tha ai.
Deklaratat vijnë në një periudhë kur Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, veçanërisht ndaj rafinerive dhe objekteve të lidhura me industrinë e naftës.
Deklaratat e Sikorskit kanë shkaktuar reagim në Moskë.Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i përshkroi komentet e ministrit polak si “rusofobi të trurit”.
Ndërkohë, shqetësimet në Evropë për një përshkallëzim të mundshëm rus ndaj NATO-s janë shtuar. Vendet evropiane kanë ngritur alarmin për një gamë të gjerë aktivitetesh që i atribuohen Moskës, nga sabotazhet dhe sulmet kibernetike, deri te përdorimi i dronëve dhe mundësia e veprimeve të kufizuara ushtarake.
Polonia dhe shtetet baltike konsiderohen ndër vendet më të ekspozuara ndaj këtyre kërcënimeve për shkak të afërsisë së tyre me Rusinë dhe Bjellorusinë.
Rruga Press

