Lajme

Ministri i Kulturës, Çeku kërkon kthimin e okarinës dhe 1.247 artefakteve që mbahen ilegalisht në Serbi

Pesë rreshtat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ku kërkohet kthimi i okarinës, që mbahet ilegalisht në Beograd bashkë me 1.246 artefakte të tjera, kanë pasuar me reagimin e Ministrisë së Kulturës dhe Informimit të Serbisë. Kërkesën e Kosovës e zbërthen si “provokim, mashtrim, hipokrizi” e çka jo tjetër. MKRS-ja do të vazhdojë me postime të tilla. “Kjo është një kampanjë që e kemi filluar. Do të kemi postime për secilin artefakt që po mbahet në Serbi”, ka thënë Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku

Ka mjaftuar një postim në Twiter i Ministrisë së Kulturës së Kosovës për kthimin e okarinës, e cila mbahet ilegalisht në Beograd bashkë me të tjera artefakte, që autoritetet serbe ta rindezin gjuhën e propagandës. Nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në Twitter, MKRS-ja të enjten vonë ka rikujtuar faktin e artefakteve që iu morën vendit më 1998-1999.

“1.247 artefakte mbahen ilegalisht në Serbi. Okarina është instrument muzikor i punuar prej dheut të pjekur. I takon periudhës së hershme neolitike (shekujve 7-6 para erës sonë). U gjet në Runik të Skenderajt, Republika e Kosovës. Na ndihmoni ta kthejmë okarinën në shtëpi”, ka shkruar MKRS-ja, duke u kërkuar ndihmë UNESCO-s, ICOM-it, Këshillit të Evropës e Komisionit Evropian.

Kaq ka mjaftuar që të shpërthejnë akuzat e shtetit serb.

Nja 24 orë pas postimit Ministria e Kulturës dhe e Informimit e Serbisë ka dalë me reagim. Si rëndom, kërkesën e Kosovës e ka cilësuar “provokim, mashtrim, hipokrizi” e çka jo tjetër.

“Kërkesa e Ministrisë kosovare të Kulturës që artefakti i gjetur në Serbicë (sic!) të kthehet në Kosovë, është vetëm njëri prej provokimeve të radhës hipokrite që ka për qëllim përvetësimin e trashëgimisë kulturore kosovare”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Kulturës dhe të Informimit të Serbisë. Kërkesën e MKRS-së e “zbërthen” si “brengosje të rreme për trashëgiminë kulturore me qëllim që ajo të përvetësohet dhe që nëpërmjet falsifikimit të shkrihet në trashëgimi të trilluar të shtetit joekzistent”.

“Metoda është e njohur edhe prej më herët: bëhet fjalë për mashtrimin e organizatave ndërkombëtare në tentim për krijimin e përshtypjes për ekzistencën e një soji të ri të trashëgimisë ‘kosovare’. Për më tepër, në të njëjtën kohë, bëhet fjalë për tërheqjen e vëmendjes prej rrezikimit real të popullatës serbe në Kosovë e Metohi. Sipas rendit, Prishtina shfaq shqetësim të pretenduar për trashëgiminë pikërisht në momentet kur krijon një klimë frike dhe destabiliteti me lëvizje të ndryshme të njëanshme dhe të dhunshme në mohimin e të drejtave të serbëve”, thuhet në reagimin gjuha e së cilit është ajo për të cilin shquhet jo vetëm institucioni më i lartë kulturor në Serbi. Po aty kjo ministri “nënvizon” që ky “tentim manipulimi është i veçmas i dukshëm duke pasur parasysh historinë e gjatë të përdhosjeve, shkatërrimit, rrezikimit dhe tentativave për të rrëmbyer trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë”.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

“Vetëm gjatë dy dekadave të fundit në hapësirën e Kosovës e Metohisë janë shkatërruar e dëmtuar më shumë se 136 kisha e manastire, më shumë se pesë mijë monumente mbivarrore e janë shkatërruar e vjedhur 10 mijë ikona e gjësende artistike e kishtare. Kjo dëshmon për mosrespektimin e thellë, vandalizmin dhe qasjen jocivilizuese ndaj trashëgimisë kulturore në përgjithësi dhe mbarë trashëgimisë së njerëzimit. Njëkohësisht flet për brutalitetin e keqpërdorimit të çështjeve të trashëgimisë kulturore për qëllime të politikës ditore”, shkruan ky institucion. Reagimi mbyllet me apel për organizatat e ndërkombëtare.

“Përsërisim apelin tonë për të gjitha organizatat ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, që të mos bien në shfaqje të tilla, por të vazhdojnë punën e tyre në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, kriteret profesionale dhe faktet. Ministria e Kulturës dhe Informacionit do të vazhdojë t’i përkushtohet mbrojtjes së trashëgimisë kulturore nga të gjitha sulmet dhe tentativat për abuzim dhe nuk do të lejojë që përpjekjet e tilla të mbeten pa përgjigje”, thuhet në deklaratë.

Por Ministria e Kulturës e Kosovës, do të vazhdojë me postime të tilla.

është një kampanjë që e kemi filluar. Do të kemi postime për secilin artefakt që po mbahet në Serbi. Është pjesë e angazhimit tonë për kthimin e artefakteve dhe do të vazhdojë”, ka thënë për KOHË-n, Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Në majin e vitit të kaluar institucionet e Kosovës ia adresuan dy shkresa tri institucioneve në Beograd për thesarin që iu mor vendit më 1998-1999.

Për Muzeun Kombëtar të Kosovës, kthimi i artefakteve të Kosovës, të cilat prej vitit 1999 mbahen në Beograd, është detyrim i trefishtë i Serbisë. Drejtori i MKK-së, Ajet Leci, ua kishte drejtuar letrën Bojana Boriq–Breshkoviqit, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar në Beograd, Tijana Çolak–Antiq Popoviq, drejtoreshë e Muzeut Etnografik të Beogradit, dhe Vladimir Kostiqit, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Serbi.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Në të njëjtën ditë tri institucioneve të Serbisë u ishte dërguar një letër e përbashkët edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe ministrja e Punëve te Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla–Schwarz. Letra e dyshes ishte përcjellëse dhe mbështetëse për letrën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Dyshja kishte shkruar se në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ofrojnë mbështetje të plotë për angazhimin dhe kërkesën e Ajet Lecit, drejtor i MKK-së, për kthimin e koleksionit arkeologjik dhe etnografik nga Serbia në Kosovë.

“Pasuria kulturore e Kosovës, e marrë në fund të viteve 1990 për qëllime ekspozuese, me kohë të kufizuar dhe me detyrimin për ta kthyer, vazhdon të mbahet në muzetë e Serbisë. Në radhë të parë si detyrim nga marrëveshja mes muzeve, pastaj edhe si detyrim nga Konventa 1970 e UNESCO-s për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës dhe Plani i Ahtisaarit, Serbia duhet t’i kthejë artefaktet e Kosovës duke i dhënë fund një procesi veçse të stërzgjatur”, shkruhej në letër.

“Besoj që veprimet tona nuk duhen ndalur derisa ta kthejmë gjithë koleksionin”, kishte thënë asokohe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Edhe asokohe i shpejtë kishte qenë reagimi i Qeverisë së Serbisë, e cila kishte shpërthyer në akuza. Po atë kërkesë e kishte cilësuar si “largim të vëmendjes nga shkatërrimi i trashëgimisë kulturore”, “shtrembërim faktesh e falsifikime”, “keqpërdorim të emrit të UNESCO-s” e “konfirmim të kërcënimit ndaj trashëgimisë kulturore”.

Nga 1.247 artefakte sa përmenden në letra, të cilat i mban Serbia, vetëm artefakti i kohës së neolitit “Hyjnesha në fron” i është kthyer Kosovës në vitin 2002, me ndërmjetësimin e kryeadministratorit të Kosovës në atë kohë, Michael Steiner.

Prej vitit 2011, prejse mbahen ato që janë quajtur bisedime teknike midis Kosovës e Serbisë në Bruksel, kjo dhe çështje të tjera që lidhen me trashëgiminë kulturore kanë qenë temë e një raundi të vetëm. Madje pala e Kosovës më 2011 kishte thënë se pala serbe me fjalë kishte treguar gatishmëri për kthimin e artefakteve.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *