KryesoreOpinion/Aktualitet

Midis skepticizmit dhe besimit në çështjen e asociacionit! Ja pse duhet t’i besojmë Kurtit

NGA: PROF. DR. Enver Bytyçi

Unë jam nga ata njerëz që, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe dialogun e saj me Serbinë, gjithnjë kam qenë skeptik dhe vazhdoj të jem shumë i kujdesshëm. Në skepticizmin tim patën rol dy liderë shqiptarë, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, të cilët shkelën të gjitha vijat e kuqe dhe u bënë palë me Serbinë e kundër Kosovës. Gjithmonë kam shtruar pyetjen: – Kur këta të dy u bënë krah i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, pse ky fenomen të mos ndodhë edhe me liderë të tjerë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës?!

Pavarësisht se nuk kam vërejtur asnjë rast kur Albin Kurti dhe Vjosa Osmani të kenë qenë në linjën Rama-Thaçi-Vuçiç, sërishmi, sa herë kam shkruar për ta, kam evidentuar pozitivisht qëndrimet e tyre e njëkohësisht në çdo rast kam tërhequr vëmendjen për kurthe që mund të çonin në gabime. Të jem i sinqertë, sot kur lexova që FOX News fliste për autonomi të serbëve, u shtanga, nisa të mendoj pak gjatë dhe të dyshoj në gjithë ato që zoti Kurti na ka shprehur këto ditë lidhur me asosacionin.

Lexova dhe atë që shkruante ish-kryeministri Abdullah Hoti dhe e mirëkuptova për shkak të këtij dyshimi që ngjizi te unë lajmi i FOX News.

Nga natyra jam optimist. Por pas çdo shprehje optimizmi më pëlqen t’u jap përgjigje enigmave të arsyes pse jam optimist. Kështu praktikoj atë që quhet “të qenit optimist i rezervuar”! Unë i kam besuar dhe i besoj presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, sepse deri më sot nuk më kanë dhënë asnjë provë mosbesimi ndaj tyre. Kur i dëgjoj apo lexoj këta të dy, kërkoj në detaje “nëse gjendet ndonjë shenje mashtrimi, apo mbulesë e së keqes”, por nuk e gjej.

Lexo më shumë  Ministrja Gërvalla: Kosova merr pjesë në takimet e CEFTA-s

Në diagramën e zhvillimeve për dialogun si presidentja dhe kryeministri për mua deri tani kanë bërë më të mirën e mundshme. Nuk kanë bërë atë që kam dëshiruar unë apo shumë të tjerë si unë. Por më e mundshmja është arritur, ose po arrihet. Çfarë do të jetë finalja? Në përgjigje të lajmit të FOX News dje zëdhënësi i qeverisë na tha se “ky lajm nuk është i vërtetë”! Opozitarët nuk e besuan. Vazhduan të thonë se “pranimi i asociacionit është autonomi për serbët”, se “ky asociacion është rikthimi i Serbisë në Kosovë” etj! Këtu më ngatërrohen penjtë. Këto pretendime i shprehin në mënyrë dramatike bashkë partiaket e Hashim Thaçit dhe aleatët e Edi Ramës. Kësisoj skepticizmi për të mos besuar këtë kategori politikanësh e analistësh është i natyrshëm. Që do të thotë se duhet të vazhdoj të besoj Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin!

Ndërkaq ka shumë ndodhi tjera që të shtyjnë të besosh në vendimet e drejta të qeverisë e presidentes. Sapo zoti Kurti ra dakord për projektin e asociacionit, interpretët shqiptarë pranë presidentit të Serbisë thanë se ai projekt është i Edi Ramës. Vetë Rama shkroi me këtë pohim në Twiter. Reagova që ditën e parë, i bindur se kjo paraqitje është skemë e kryeministrit të Shqipërisë për t’u rehabilituar e për t’i thënë zotit Kurti se “Jam unë ai (Rama) që në fund të ditës kam të drejtë”! Nuk e dija se këtë fakt do ta demantojë edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Kundërshtia ime ishte edhe për faktin se nuk kam aspak besim te një projekt i Edi Ramës për Kosovën. Arsyen e thashë më lart.

Lexo më shumë  Qeveria kërkon koordinim me komunat për adresimin e çështjes së qenve endacakë

Megjithatë m’u trondit besimi. Thosha, mos ndoshta është ai projekt?! Po si ka mundësi që zoti Kurti ta ketë pranuar?! Pas reagimit tim e përgënjeshtroi këtë zëdhënësi i kryeministrit Kurti. Dje e ka përgënjeshtruar edhe Stano në një intervistë në gazetën Canton27 të Zvicrës. Ndaj rikthehem te besimi te qëndrimet e kryeministrit Kurti dhe premtimet e tij për të mos lejuar në asnjë rast mos funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe aq më pak krijimin e kushteve për ndarjen e saj. Këtë besim ma shton fakti që kjo qeveri, së paku në fushën e sigurisë po e vendos për herë të parë sovranitetin shtetëror në veri të Mitrovicës. Ose fakti se serbët e veriut të Kosovës kanë nis masivisht të pranojnë targat dhe dokumentet e shtetit të Kosovës. Pra, ta pranojnë; shtetin e Kosovës! Kjo do të thotë; se asociacioni është pranuar nga zoti Kurti, por me kushtet qe Serbia te largohet përfundimisht nga Kosova!

Prandaj midis skepticizmit normal dhe besimit te institucionet e sotme të Kosovës më duhet të zgjedh e të ruaj besueshmërinë tek ato.

Gazeta “Bota sot”, 06.11.2023

Rruga Press

YouTube player