Bota

Mes bombardimeve dhe një udhëtimi 54 orësh – Mykhailo Golodi u ndihmua të arratisej nga Ukraina, por jo edhe familja e tij

Ishte një moment i hidhur kur Mykhailo ‘Misha’ Golodi doli nga avioni në Aeroportin Ndërkombëtar të Orlandos të premten, më 11 mars.

Ky shënoi fundin e një rrugëtimi maratonë që 15-vjeçari dhe nëna e tij Vita kishin ndërmarrë për t’i shpëtuar zonës së luftës në atdheun e tij në Ukrainë.

Por mbërritja e tij në SHBA – ndërkohë që siguroi qetësinë e tij – pati një çmim.

Nëna e tij së shpejti do të kthehej në Ukrainë për të qenë me babanë e tij, i cili duhej të qëndronte për shkak të ligjit ushtarak, dhe gjyshërit e tij. Edhe pse Golod mendon se gjyshërit dhe nëna e tij do të udhëtojnë në SHBA, ai nuk është i sigurt se kur do ta takojë më pas babanë e tij, Oleg.

Edhe pse ai e vlerëson sigurinë e tij, kthimi i shumicës së familjes së tij në Ukrainë në mes të pushtimit rus të vendit ka rënduar shumë mbi të.

“Është shumë shkatërruese, por fatmirësisht, ata të gjithë kanë Wi-Fi dhe një burim interneti, ushqimi, ujë, dhe unë ende mund të flas me ta dhe të sigurohem se janë të sigurt”, deklaroi ai për Jim Sciutton e CNN-in. “Dhe e di që pasi të ketë mbaruar gjithçka, unë patjetër do t’i sjell këtu që të jenë me mua”.

Golodi shtoi më pas: “Babai im do të mund të largohet vetëm pasi të përfundojë ligji ushtarak. Përndryshe, ai do të duhet të qëndrojë atje dhe ne do të shpresojmë për më të mirën”.

Lexo më shumë  Bombardimet ruse në Ukrainë: Centrali bërthamor i Çernobilit humb të gjithë energjinë elektrike

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Golodi dhe familja e tij bënë atë që bënë shumë ukrainas të tjerë dhe u bunkeruan në Kiev me shpresën se gjithçka do të mbaronte së shpejti.

Golodi i tha CNN-it se ai kaloi një javë e gjysmë në “bombardimet” ruse të kryeqytetit të Ukrainës, sepse “shpërthimet nuk ishin aq afër shtëpisë sonë”.

“Por, në momentin që e dinim se bombardimet ishin në qytetin tonë, e dinim se duhej të largoheshim dhe të më nxirrnim jashtë dhe më pas prindërit e mi do të ktheheshin për të nxjerrë prindërit e tyre jashtë”, shpjegoi ai.

Dhe ishin lidhjet e Golodit me golfin që i ofruan atij një rrugë për në SHBA.

15-vjeçari është një nga lojtarët më të mirë të rinj në Ukrainë dhe ka marrë pjesë në gara në mbarë botën.

Vetëm vitin e kaluar, Golodi u bë ukrainasi i parë që konkurroi në Turneun e Juniorëve të SHBA-së me Shoqatën e Golfit të Shteteve të Bashkuara (USGA), i cili u zhvillua në Country Club të Karolinës së Veriut verën e kaluar.

Pas një udhëtimi rraskapitës, i cili filloi me një makinë dhe përfundoi kur ai zbarkoi në Orlando, duke zgjatur afërsisht 54 orë, ishte një vizë që ai kishte marrë duke luajtur në një turne në SHBA që e ndihmoi të rihynte në vend.

Dhe i sigurt në SHBA, Golodi dënoi atë që po ndodh përsëri në atdheun e tij.

“Diçka që po ndodh në Ukrainë nuk duhet të ndodhë në mes të Evropës në shekullin 21”, potencoi ai. “Fëmijët po humbasin shtëpitë e tyre, po vdesin, po humbasin jetën”.

Lexo më shumë  Suedia zbulon rrjetin e murgeshave që punojnë për inteligjencën ruse

“Dhe është shkatërruese dhe njerëzit duhet ta dinë të vërtetën sepse ka shumë lajme të rreme që qarkullojnë. Por në realitet, ajo që po ndodh është se i gjithë vendi po shkatërrohet. Nuk është çmilitarizim apo shkombëtarizim, ai në fakt po shkatërrohet nga (Vladimir) Putini dhe duhet të ndalet”.

Kur ai ishte ende në Kiev, gjendja e vështirë e Golodi filloi të qarkullonte gjerësisht në internet pasi një intervistë me Golf Digest theksoi situatën e rëndë të tij dhe të familjes së tij.

Dhe intervista bëri që anëtarët e komunitetit të golfit të organizoheshin në përpjekje për të ndihmuar situatën e tij.

Jim Nugenti, anëtar bordi në Shoqatën Amerikane të Golfit Junior dhe instruktori i golfit David Leadbetteri filluan procesin e ofrimit të ndihmës.

Nugenti tha për CNN Sport-in se dëgjimi i rrëfimit të Golodit “më ka prekur në shpirt” dhe kjo është arsyeja pse ai dhe Leadbetteri ofruan ndihmën e tyre.

“Dhe kështu unë thirra (Leadbetterin) dhe ne biseduam për këtë dhe ai tha: “Epo, ne duhet të bëjmë diçka për këtë’. Dhe unë i thashë: “Çfarë keni në mendje?” Ai tha: ‘Ne do ta nxjerrim atë nga Ukraina. Do ta fusim në akademinë time në Orlando, Florida, dhe unë do ta çoj në shkollë dhe ai do të fillojë një jetë të re”, shpjegoi Nugenti.

Dhe kështu, ata u përpoqën të bënin ç’të mundnin për të ndihmuar Golodin dhe familjen e tij në udhëtimin e tyre.

Nugenti shpjegon se ai kaloi kohë në telefon duke marrë angazhime financiare nga USGA dhe Country Club i Karolinës së Veriut për të ndihmuar udhëtimin e tij nga Ukraina.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *