“Më kërcënuan me arrestim se mbaj flamurin kuqezi” – Protestuesi te Kryeministria: Erdha nga Anglia vetëm për këtë flamur!
Shaban Brika, protestuesi që prej ditësh tërheq vëmendjen me flamurin kuqezi në protestën para Kryeministrisë, ka denoncuar në mikrofonin kërcënimet e pretenduara nga ana e policisë.
Në një prononcim për News24, Brika tha se është kërcënuar 3-4 herë me arrestim nga një drejtues policie, për shkak se mban flamurin kombëtar gjatë protestës. Ai u shpreh se nuk i është dhënë asnjë arsye për këto paralajmërime, ndërsa pretendoi se efektivët kanë mllefe personale.
Protestuesi theksoi se flamuri kuqezi ka një domethënie të veçantë për të, pasi i ka munguar gjatë viteve që ka jetuar në emigrim. Ai tregoi se është kthyer nga Anglia posaçërisht për të marrë pjesë në protestë dhe për të valëvitur flamurin shqiptar.
“Me kanë kërcënuar me arrestim sepse mbaj flamurin. Është një shef atje që ma tha. Më kanë kërcënuar 3-4 herë. Unë po mbaja flamurin, por ata kanë mllefet e tyre. Nuk më thanë as arsye. Unë këtë flamur kuqezi kam qejf, më ka munguar që nga viti 1992 e deri më sot, kur kam qenë në emigrim. Kam ardhur nga Anglia vetëm për këtë flamur. Këta e kanë në tru sikur unë paguhem që mbaj këtë flamur”, u shpreh Shaban Brika.
Rruga Press

