BallinaLajme

Mbyllen hetimet për përgjimet e ”Dosjes 184”, prokuroria dërgon në gjyq vetëm katër persona

Prokuroria e Dibrës njoftoi të premten për përfundimin e hetimeve për sa i përket akuzave për ndikime dhe manipulime të zgjedhjeve lokale të vitit 2016 duke dërguar për gjykim vetëm katër nga rreth dhjetë të akuzuarit.

Kështu në gjyq do të dalin për shpërdorim detyre:

  • Robert Aga, ish-shef komisariati Dibër;
  • Drini Gjeci, ish-drejtor i arsimit Dibër – akuzuar edhe për kanosje të zgjedhësve;
  • Nuri Meda, ish-zyrtar i njësisë administrative Tomin;
  • Hasan Hoti, ish-zyrtar i njësisë administrative Lurë – akuzuar edhe për kanosje të zgjedhësve;

Nga të dyshuarit apo dhe akuzuarit e tjerë prokuroria ka kërkuar mbylljen e çështjeve për:

  • Dionis Imerajn, kryetar aktual i Bashkisë Dibër;
  • Imer Lala, sipërmarrës;
  • Arben Keshi, ish-zyrtar i ministrisë së Brendshme;
  • Bekim Krashi, ish-zyrtar i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike;

Për disa prej të dyshuarit, për të cilët është kërkuar mbyllja e çështjes, prokuroria ka konstatuar se kanë kryer veprën penale të shitblerjes së votës, por për shkak të tejkalimit të afatit tre-vjeçar, vepra penale është parashkruar, ndaj nuk mund të merren në përgjegjësi penale.

Në dosje përfshiheshin biseda që të akuzuarit dhe disa prej të dyshuarve kishin kryer me Damian Gjiknurin, ish-ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Pjerin Ndreun, ish-deputet i PS-së, aktualisht kryetar i Bashkisë Lezhë, deputetin socialist Xhemal Qefalia, ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri apo dhe deputetin Ulsi Manja.

Lexo më shumë  Atentati ndaj vëllait të Aleksandar Jabllanoviqit, flet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veriun e Mitrovicës

Hetimi për të ashtuquajturën “Dosje 184” kaloi një kalvar të gjatë prej së paku pesë herë lëvizjesh mes prokurorive mes asaj të Tiranës dhe asaj të Dibrës.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) në fund vendosi t’ia lërë si hetim prokurorisë së Dibrës, ndërsa hetime të tjera për rrjedhjen e disa prej përgjimeve nuk nxorën asnjë rezultat, së paku të deklaruar në publik.

Çështja në fjalë lidhet me zgjedhjet e parakohshme lokale të vitit 2016, kur asokohe pas shkarkimit të Shukri Xhelilit, Dibra iu drejtua sërish zgjedhjeve nga të cilat fitues u shpall kandidati socialist Muharrem Rama. Ky i fundit përballë kishte si kundërshtar nga opozita ish-deputetin njëherësh ish-zëvendësminitër i Financave, Sherefedin Shehu.

Opozita i kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve dhe rreth tre vite më vonë përgjime të rrjedhura nga prokuroria nxorrën në media biseda mes zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe disa personave, një pjesë e të cilëve dëgjoheshin teksa ndikonin apo urdhëronin të tretë për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve.

Lexo më shumë  Daniele Macheda: Shumë e rëndë që Meloni sulmon një investigim gazetaresk

Përgjimet e rrjedhura në media, së bashku me përgjimet e së ashtuquajturës “Dosja 339/1” për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në qarkun Durrës, u kthyen në lajtmotiv të opozitës për të kundërshtuar zgjedhjet lokale të vitit 2019, të cilat u shoqëruan me bojkot dhe protesta pas ripublikimit me zë të përgjimeve nga tabloidi gjerman Bild.

Ndër përgjimet e publikuara nga “Dosja 184” ishte dhe një bisedë mes kryeministrit Edi Rama dhe Arben Keshit, ku Rama e pyeste këtë të fundit për rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve dhe komisionerët.

Problemet e ngritura nga këto dy çështje nxitën rishikimin e Kodit Zgjedhor dhe po kështu ashpërsimin e Kodit Penal për krimet zgjedhore. Në reformën aktuale të diktuar edhe nga ndërkombëtarët, opozita pati kërkuar më tepër garanci sidomos për reduktimin e përfshirjes së punonjësve të shtetit në procesin zgjedhor, ndërsa shumica socialiste pati kërkuar depolitizimin e administratës zgjedhore.

Rruga Press

YouTube player