Opinion/Aktualitet

“Mbreti” i Kredive Të Shpejta/ Miliarderi Rus ka dorë në skandalin e pagave?

Publikimi i të dhënave e ndjeshme për afër 600 mijë qytetarët Shqipërisë ka hapur temën nëse në tërë këtë operacion është e implikuar edhe Rusia. Aq më tepër hapi dilemën e pranisë ruse në sferën e konsulencave financiare dhe të biznesit të kredive të shpejta.

Kah fundi i dhjetorit të vitit 2021, fillimisht nëpër rrjete sociale, filloi të shpërndahen dokumente që përmbanin pagat mujore të mijëra qytetarë të punësuar në sektorin publik dhe privat, midis të cilëve edhe për emra të njohur. Bëhet fjalë për rrjedhjen më të madhe të informacionit i cili nxiti shumë debate në opinion.

Rasti duket se po merr epilog pasi policia arrestoi katër të dyshuar për këtë skandal. Ndër të dyshuarit është edhe Endri Ikonomi, një përmbarues që ka rezultuar se punon për kompaninë “Credit 2 All”. Kompania, e cila jep kredi të shpejta, është në pronësi të biznesmenit Oleg Viktoroviç Boyko. Sipas të dhënave zyrtare, ai ka blerë të gjitha aksionet e kompanisë në vitin 2018 nga pronari i mëparshëm, një kompani me qendër në Qipro, një vend offshore që njihet si parajsë fiskale.

Pjesë e “Listës Putin”

Investimi i biznesmenit rus Boyko në sferën e kredive të shpejta në Shqipëri nuk do të paraqiste problem nëse i njëjti nuk do të ishte pjesë e listës së Departamentit të Thesarit të SHBA, si pjesë e oligarkëve që përbëjnë rrethin e Vlladimir Putin. Në grupin e 210 rusëve të shquar, e njohur si “Lista Putin”, bëjnë pjesë njerëzit kanë ngritur dhe mbajnë Putinin në pushtet. Departamenti i Thesarit ka renditur Boykon në vendin e 17 në grupin e oligarkëve.

Përveç anëtarëve të lartë të kabinetit të Putinit, aty është edhe pronari i Klubit të Futbollit Chelsea, Roman Abramoviç, një mik i afërt i Boykos.

Boyko ka një histori gati të njëjtë me pjesën më të madhe të oligarkëve, të cilët në vitet e 90ta shfrytëzuan tranzicionin në Rusi për të bërë pasuri të madhe brenda natës. Ai lindi në 1964 në një familje intelektualësh nga Moska. U diplomua në Institutin e Aviacionit të Moskës me një diplomë në Radio Elektronikë të Avionëve dhe në Akademinë e Ekonomisë Kombëtare të Qeverisë së Federatës Ruse. Më pas mori një diplomë master në Britani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Në fund të viteve 1980, Boyko krijoi një kooperativë për tregtimin e kompjuterëve dhe programeve kompjuterike. Në vitet 1990, sipërmarrësi ishte i angazhuar në lloje të ndryshme biznesi: ai importonte fruta, financoi një parti politike dhe investoi në media. Në vitin 2000 Boyko krijoi fondin e investimeve Finstar Financial Group. Në vitin 2002 Boyko bleu aksionet e rrjetit kazinove “Vulkan” në Moskë, nga i cili e krijoi kompaninë “Ritzio Entertainment Group”. Kur biznesi i lojërave të fatit në Rusi u ndalua, Boyko zhvendosi biznesin jashtë Rusisë – në Gjermani, Letoni, Kroaci dhe Rumani. Në 2003, Finstar fitoi aksionin kontrollues në bankën tregtare të Letonisë “Baltic Trust”. Bashkë me partnerët letonezë Boyko themelon kompaninë e kredive 4finance. Në vitin 2015, Finstar njoftoi krijimin e grupit të kompanive DFI (Digital Finance Initernational), të specializuar në bizneset e kreditimit digjital në tregjet në zhvillim të Evropës dhe Azisë.

Lexo më shumë  Protestat e dëshpërimit

Përveç se në Shqipëri, Boyko nga viti 2016 zotëron biznesin e kreditimeve të shpejta digjitale edhe në Maqedoninë e Veriut. Janë shtatë shoqëri financiare që tre vite më parë vendosën të organizohen në një Asociacion të Shoqërive Financiare të Maqedonisë së Veriut (ASHF). Midis anëtarëve-themelues është edhe DFI e Boykos. Kjo kompani është themeluar në tetor të vitit 2016 me investim prej 300 mijë euro. Është kompani e njohur në tregun vendor me brendin për kredi të shpejta Forza. Gjashtë të tjerat kanë një pronësi të paqartë. Sipas dokumenteve të marra nga Regjistri Qendror i RMV-së, si pronarë dominojnë individë dhe kompani nga Rusia, ish-republikat sovjetike në Baltik dhe Bullgaria. Kjo ka hapur dilema nëse edhe prapa tyre qëndron Boyko. Aq më tepër kur themelues të dy kompanive për kredi të shpejta “Tigo Finance” dhe “Mogo Kredi” ndërlidhen me emrin e oligarkikut nga Letonia, Aigars Kesenfelds, i cili është partner i Boykos në kompaninë 4finance. Nëpërmjet Kesenfelds, sipas qendrës për gazetari hulumtuese Re:Baltica, Boyko një kohë ka operuar edhe në Kosovë nëpërmjet kompanisë “Monego”, por Banka Qendrore në Prishtinë në vitin 2019 ia ka marrë licencën.

Hapja e shoqërive financiare për kredi digjitale në RMV u mundësua me Ligjin për Shoqëri Financiare, i sjellë nga fundi i vitit 2010. Aso kohe, opinioni i përjetoi këto shoqëri si konkurrencë ndaj bankave. Aktualisht në regjistrin e shoqërive financiare të publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Financave janë 32 shoqëri financiare. Të parat janë regjistruar dhe kanë marrë leje për punë në vitin 2011, ndërkohë që licenca e fundit është dhënë në dhjetor të vitit të kaluar.

Lexo më shumë  Protestat e dëshpërimit

“Rrjepës” Të Qytetarëve të varfër

Numri i këtyre shoqërive rritet bashkë me kreditë e dhëna për qytetarë kryesisht të varfër. Ato ofrojnë kushtet më të thjeshta për kreditë e tyre, të cilat kapin shumën prej 50 deri më 2 mijë euro. Zakonisht kredia e parë është pa interes nëse huamarrësi e kthen në afatin e dakorduar. Në të kundërtën, shoqëritë ofrojnë shtyrje të afatit, por me këtë huamarrësi detyrohet të paguaj një normë të lartë interesi varësisht nga koha e vonesës, e cila mund të shkojë mbi 20%.

Marketingun e huasë së shpejtë dhe të lehtë, në vitin përhapet shpejtë edhe në SHBA. Sipas portalit hulumtues theblacksea.eu, në vitin 2015 Boyko hap filialin “4finance US Holding Inc” me bazë në SHBA, i regjistruar në parajsën fiskale të Delaware. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që kompania hyn në Amerikë. Sipas hulumtimit, 4finance ka operuar në tregun amerikan e fshehur në ndërlidhshmëri të disa kompanive. Kreditë u janë ofruar shtetasve indigjenë amerikanë. Boyko, sipas portalit, ka përdorur fiset indigjene amerikane sepse ata kanë të drejta sovrane mbi territorin e tyre. Duke e shfrytëzuar këtë të drejtë, fiset morën një “vendim sovran” që të bëhen pjesë e një biznesi afatshkurtër të huadhënies për konsumatorët përmes Internetit. Kjo është parë në një dokument të marrëveshjes së nënshkruar midis fiseve Belknap dhe Chippewa. The Black Sea konstaton se dokumentacioni mbështet teorinë që kompanitë e Boykos – 4finance dhe Tirona Limited – financuan operacionet e amerikanëve vendas që nga viti 2012.

Prania e kapitalit të Rusisë në vendet e treta shpesh shkon nëpërmjet vendeve ku lehtësisht mund të operohet. Letonia, shtetet baltike, ish-republikat sovjetike dhe vendet off-shore (parajsa fiskale) janë në listën e preferuar të oligarkëve rusë, të cilët i përdorin këto shtete për të mbuluar origjinën e kapitalit në vendet ku Moska nuk ka imazh të mirë.

Shkruan: Xhelal Neziri – bashkëpunëtor i The Geopost nga Maqedonia e Veriut

Rruga Press

YouTube player