Mbi 13 mijë € për një metër katror| Si e mbylli Prokuroria Speciale rastin ku polici Shpend Istogu iu shiti banesën biznesmenëve të barnave të “Rexall”
Shpend Istogu, polici që është edhe i biri i të përmendurit si UDB-ash, Ajet Istogu, ishte hetuar nga PSRK-ja për shpëlarje parash pasi banesën ia shiti biznesmenëve të “Rexall”, familjarëve Alidema për mbi 13 mijë euro metrin katror, duke tejkaluar çmimet e Vjenës dhe Berlinit. Një audio-incizim madje sugjeronte se çmimi real mund të ketë shkuar deri në 900 mijë euro për atë banesë prej 36 metrash katror. Me gjithë këto dyshime, Prokurorja Speciale Iliriana Çollaku-Tafa e mbylli rastin me Aktvendim. Insajderi sjell të gjitha detajet e hetimit
Visar Duriqi
Shpend Istogu, oficeri i Policisë së Kosovës, u kthye në qendër të vëmendjes publike kohët e fundit për betejën ligjore me deputetin e Vetëvendosjes, Enver Dugolli, të cilën e humbi. Istogu e denoncoi penalisht deputetin pas akuzave se babai i tij, Ajet Istogu, kishte punuar për UDB-në serbe dhe kishte torturuar Dugollin. Dugolli kishte pasur përplasje verbale edhe me vajzën e të përmendurit si UDB-sh, SUzana Istogu, po ashtu police.
Por, një hulumtim i Gazetës Insajderit, i bazuar në dokumente ekskluzive, zbulon se raporti mes Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) dhe Shpend Istogut ka një histori më të thellë dhe më serioze.
Gazeta Insajderi ka siguruar Aktvendimin PPS.nr.72/22 të PSRK-së i datë 22.08.2024, i cili zbulon se Polici Istogu, të birin e Ajet Istogut, ka qenë subjekt i një hetimi të rëndë me kallëzim penal të dorëzuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Nën hetimin e Prokurores Speciale Iliriana Çollaku-Tafa, Istogu dyshohej për Keqpërdorim të Detyrës Zyrtare dhe Shpëlarje Parash. Arsyeja? Një banesë prej vetëm 36.40 metra katrorë, e shitur me çmimin mbi gjysmë milioni euro tek biznesmenët e barnave të kompanisë “Rexall”, familja Alidema.
Banesa e vogël, çmimi gjigant
Në thelb të hetimit të mbyllur me Aktvendimin PPS.nr.72/22, ishte transaksioni i shitblerjes i realizuar më 08.06.2018. Zyrtari policor Shpend Istogu kishte shitur banesën me sipërfaqe 36.40 metra katrorë, në zonën e Ulpianës në Prishtinë, për një vlerë prej 500,000 eurosh. Kjo shifër përkthehej në 13,736 euro për metër katror. Banesa, sipas dokumentit, i ishte shitur A.V., një person i lidhur familjarisht me pronarët e “Rexall”.
Aktvendimi zbulon se dyshimet për mashtrim financiar ishin edhe më të thella se shifra zyrtare 500,000 euro.
Shkresat e lëndës konfirmojnë se hetimet morën parasysh edhe disa audio-incizime të siguruara nga burimi i IPK-së ku flitej se prona, në të vërtetë, ishte shitur për 900,000 euro dhe jo për 500,000 euro që ishte shifra zyrtare bankare.
Ky ishte një element shtesë që forconte dyshimin për shpëlarje, duke sugjeruar se një pjesë e madhe e pagesës ishte bërë në para të gatshme ose përmes rrugëve joformale.
Llogaritjet nxjerrin në pah absurditetin e shifrës zyrtare: kjo vlerë ishte jashtëzakonisht e fryrë, duke u krahasuar me çmimet mesatare të shitjes së banesave në shumë kryeqytete të Evropës Perëndimore në të njëjtën kohë.
Çmimi i kësaj banese në Prishtinë prej 13,736 eurosh ishte mbi trefishi i mesatares së banesave në Berlin ku metri katror lëvizte në atë periudhë rreth 4,300 – 4,8000 euro.
Vlera ishte gati katërfishi i çmimit mesatar në Vjenë, që në mesin e vitit 2018 sillej rreth 4,500 – 5,500 euro për metër katror., dhe tejkalonte ndjeshëm edhe kryeqytete të shtrenjta si Amsterdami apo Brukseli , ku mesatarja lëvizte rreth 3,500 – 4,500 euro.
Ky disproporcion drastik ishte baza e dyshimit fillestar të IPK-së për shpëlarje parash, pasi vlera e transaksionit nuk mbështetej në tregun real, por dyshohej se shërbente për të legalizuar të ardhura nga burime kriminale.
Dokumenti i Prokurorisë Speciale zbulon se hetimet e IPK-së kishin shtjelluar dyshimet për kontrabandë. Përveç shitjes së banesës, dyshohej se Shpend Istogu kishte ndihmuar në kontrabandën e barnave nga Mitrovica e Veriut në Drenas, madje duke e hapur një barnatore “Rexall” në Drenas në emër të djalit të tij, A.I..
Aktvendimi referohet edhe tek blerja e disa njësive të tjera banesore me çmime të larta, të cilat gjoja përdoreshin si “bunkerë” (depo të fshehura) për barna medicinale.
Kontrollet fizike gjetën shkelje: Barnatorja në Drenas (në emër të djalit të Shpend Istogut) ishte gjobitur në vitin 2020 nga Inspektorati Farmaceutik për posedim të rreth 48 produkteve medicinale të paautorizuara, duke përfshirë ato pa banderolë ose me banderola e etiketa të Serbisë dhe Maqedonisë. Një kontrollë tjetër nga Dogana, në gusht 2023, konfiskoi një sasi prej 19 artikujve të barnave pa banderola.
Megjithatë, përkundër këtyre shkeljeve, hetimi i thellë i IPK-së dhe Doganës nuk gjeti dëshmi konkrete që lidhnin Policin Istogu dhe personat tjerë me veprime kriminale apo kontrabandim ndërkufitar, duke e bërë të pamundur ngritjen e akuzës për keqpërdorim.
Mbyllja e rastit: Si u Justifikuan të dyshuarit te Prokurorja Qollaku-Tafa
Prokurorja Speciale, Ilirjana Qollaku-Tafa vendosi të hedhë kallëzimin penal sepse nuk ekziston dyshim i arsyeshëm për asnjë nga veprat penale. Ky vendim u mor bazuar në argumentet e paraqitura nga të dyshuarit.
Për sa i përket destinacionit të 500,000 eurove, zyrtari policor Shpend Istogu deklaroi dhe justifikoi se: “Me mjetet financiare të siguruara nga shitja e paluajtshmërisë/banesës, z. Sh.I ka bërë blerjen e pronave tjera në emër të tij në Drenas, Fushë Kosovë, si dhe një pjesë të tyre e ka huazuar tek persona dhe biznese të ndryshme.” Kjo u konsiderua si e justifikuar nga Prokurorja
Në anën tjetër, pronarët e “Rexall” argumentuan se paratë e përdorura për blerjet kapitale vinin nga aktiviteti i tyre i ligjshëm ekonomik. Kjo u konfirmua nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës (ATK), i cili konstatoi se mjetet financiare të fituara nga bizneset me fitim neto rreth 1.8 milionë euro “i mbulojnë blerjet kapitale të patundshmërive dhe ruajnë likuiditetin”.
Prokuroria mori vendimin për hedhjen e kallëzimit penal, pasi edhe pse transaksioni kishte një vlerë tejet të fryrë dhe dyshimi e madje një përgjim ambiental sugjeronte edhe vlerën prej 900,000 eurosh, megjithatë PSRK tha se mungesa e provave lidhur me aktivitetin kriminal dhe justifikimi i prejardhjes së parave nga të ardhurat e ligjshme të biznesit, ishin arsye të mjaftueshme për të mos ngritur aktakuzë.
Hulumtimi i Insajderit “Dosja Rexall” dhe burimi i vërtetë i kallëzimit
Kallëzimi penal i IPK-së u iniciua formalisht në vitin 2022, pas informacioneve të detajuara (përfshirë audio-incizimet) që vinin nga K.A. (vëllai i pronarëve të “Rexall”). K.A., i cili ishte i kërkuar ndërkombëtarisht me dyshimin për vrasje në bashkëkryerje, dyshonte se vëllezërit ia kishin marrë trashëgiminë. Prokuroria konkludoi se iniciimi i rastit kishte të ngjarë të ishte për arsye personale/familjare për shkak të konflikteve për trashëgimi.
Në të njëjtën kohë, ky hetim u zhvillua në një kohë kur Gazeta Insajderi kishte raportuar gjerësisht për lidhjet e pronarëve të “Rexall” me kontrabandë barnash, veprimtari të tjera të paligjshme, dhe ikjen nga drejtësia, duke e bërë këtë rast të profilit të lartë në publik.
Insajderi kishte raportuar më herët për dyshimet e thella se familja Alidema ishte e lidhur me kontrabandë barnash dhe veprimtari të tjera të paligjshme, duke shfrytëzuar edhe lidhje me zyrtarë policorë. Publikimi i audio-incizimeve nga Insajderi e kishte ekspozuar marrëdhënien e tyre me rrjetet kriminale dhe ikjen nga drejtësia.
Një nga momentet më kulmore që shtyu hetimin ishte raportimi ekskluziv se njëri nga pronarët kryesorë, Krenar Alidema (vëllai i atyre që u hetuan D.A. dhe A.A.), i cili kërkohej ndërkombëtarisht me dyshimin për përfshirje në një rast vrasje, ishte dorëzuar në Zvicër. Këto dyshime për veprimtari kriminale shumëplanëshe bënë që transaksioni i dyshimtë financiar me një zyrtar policor të merrej seriozisht nga Prokuroria, si një rast i qartë për hetim të Shpëlarjes së Parave, por që në fund u mbyll nga Prokurorja Ilirjana Qollaku-Tafa.
Përkundër përpjekjeve, Gazeta Insajderi, përmes Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, ka kërkuar një koment nga oficeri Shpend Istogu, i njëjti deri tani nuk është përgjigjur. Po ashtu, Gazeta Insajderi ka kërkuar një koment nga pronarët e firmës “Rexall”, nga familja Alidema, por as ata nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta Insajderi/
Rruga Press

