Lajme

Mbi 100 mijë të regjistruar për një javë në Kosovë

Mbi 100 mijë persona janë regjistruar prej që ka nisur procesi i regjistrimit të popullsisë më 5 prill, ka thënë kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.

Në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, Kastrati ka thënë se regjistrimi i popullsisë po ecën ashtu siç është planifikuar.

“Deri më tani ka shkuar sipas planit. Në tre-katër ditët e para, i kemi rekomanduar regjistruesit të bëjnë më pak intervista derisa janë njohur me zonën të cilën do ta mbulojnë. Ka pasur edhe sfida teknike. Aktualisht, mbi 100 mijë njerëz janë regjistruar, përfshirë të gjitha komunitetet dhe komunat”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  “Mora Fjalë” ndalohet të këndohet në 'Air Albania', reagojnë Shkurte Fejza dhe Lorik Cana

Kryeshefi i ASK-së ka bërë të ditur se nga dita e djeshme ka filluar intensiteti i madh i regjistrimit.

Në komunat veriore, Kastrati e pranoi që do të jetë sfiduese regjistrimi i popullsisë. Por është optimist që në javët në vazhdim, komuniteti serb do të marrë pjesë në regjistrim.

“Edhe nga komuniteti serb në veri, ka aty-këtu ndonjë person që është regjistruar. Kemi pasur sfidë për regjistruesit në komunat. Besoj që në javët në vazhdim, komuniteti serb do të marrë pjesë në regjistrim. Kemi pasur diskutim të hapur me komunitetin serb dhe organizata joqeveritare në veri. Kur diskuton me ata hapur ata janë pro pjesëmarrjes, por kanë një lloj presioni aktual, që besoj në ditët në vijim do të bie. Pa regjistrim të popullsisë, do të jetë sfiduese për ta”, ka shtuar Kastrati.

Ai ka thënë se do të vendosen gjoba për çdo kë që refuzon të regjistrohet.

Kastrati ka deklaruar se regjistruesit e kanë obligim të lexojnë të gjitha pyetjet, ndërsa qytetarët duhet të kenë pamje vizuele për të parë nëse ka ndonjë gabim.

Regjistrueset të gjinisë femërore, siç ka thënë Kastrati, janë trajnuar specifikisht nëse përballen me ndonjë abuzim të mundshëm.

“Të dhënat preliminare priten për tre muaj, të dhënat përfundimtare jo më shumë se 1 vjet”, ka thënë Kastrati.

Rruga Press

YouTube player