Mbi 100 lëvizje në superiore në merkaton e janarit, Teuta është ekipi më aktiv
Mbyllja e merkatos së janarit regjistroi më tepër se 100lëvizje futbollistësh në Kategorinë Superiore. Më saktësisht, dhjetë skuadrat elitare realizuan 106 operacione në afatin e transferimeve të dimrit. Më të shumta ishin manovrat në dalje, me 58 futbollistë të larguar, teksa u afruan 48 lojtarë. Me synimin për të ndryshuar ecurinë e sezonit, Teuta kampione në fuqi realizoi me tepër manovra në merkato.
16 operacione, me 7 futbollistë të afruar, ku emri më i rëndësishëm në dispozicion të Renato Arapit është Jahmir Hyka, që mbylli aventurën në Kinë dhe rikthehet në Superiore. Nga bregdetarët janë larguar 9 futbollistë, ku më i rëndësishmi ishte Sherif Kallaku, i huazuar te Partizani. Përpos fantazistit, të kuqtë afruan edhe shtatë lojtarë të tjerë, ku më i fundit që iu bashkua ekipit ishte sulmuesi Kongo, Archange Bintsouka. Mes gjashtë largimeve nga Demat spikasin emra si Ergys Kaçe, Shehu, Musta e Cardoso.
Tirana kryesuese ishte nga ekipet më pak aktive, me 2 blerje dhe 2 largime, teksa Laçi i vendit të dytë afroi tre lojtarë dhe largoi 7, ku humbja më e rëndësishme është ajo e Regi Lushkja, i transferuar te Sheriff Tiraspol.
Katër afrime të goditura për Kukësin, ku në sulm u realizua blerja më e madhe me Vasil Shkurtaj, teksa mbrojtja u përforcua me Jorgo Pëllumbin. Verilindorët larguan 4 lojtarë.
Vllaznia realizoi vetëm një përforcim në merkato, teksa ndërpreu marrëdhëniet me 4 futbollistë. Edhe Dinamo nuk qëndroi indiferente, përkundrazi mes 6 blerjeve spikasin Lilaj në mesfushë dhe Reginaldo në sulm, teksa pesë lojtarë u larguan.
Rruga Press