Opinion/Aktualitet

Mbase edhe ne nuk jemi ‘mjaftueshëm’ shqiptarë

Nga Kim Mehmeti

Se Kryeministri i Shqipërisë nuk ndjehet përgjegjës për asgjë dhe se popullin e sheh si një turmë që duhet t’i shërbejë atij dihet dhe për këtë nuk kishte nevojë për dëshmi shtesë siç ishte interpelanca për çështjen “McGonigal”, gjatë së cilës ai e tha atë që donte dhe u largua nga Kuvendi duke ua bërë me dije deputetëve se nuk janë të denjë të debatojnë me të!

Se ky Kryeministër, Shqipërinë e ndjen si kopsht të vetin të cilin mund ta kanabizojë e ta mbjellë me çka t’ia dojë qejfi, nuk e dëshmon vetëm rrënimi i ‘Teatrit Kombëtar’, e as kullat që kanë shfytyruar Tiranën, por edhe pamundësia që mëmëdheun ta rimarrin në duar pronarët e vetëm të tij –shqiptarët, duke mos e lënë në duart e ‘Rilindësve’, të cilët janë duke e shndërruar vendin në gropë septike ku do derdhen ujërat e zeza të mafias ballkanike dhe evropiane.

Ka shumëçka që të çon të besosh se është e pamundur të ketë shqiptarë që ende nuk e kanë kuptuar se Kryeministri i sotëm i Shqipërisë nuk ndjehet rehat në lëkurën e shqiptarit dhe të vendit që drejton, gjë që atë e bënë të afërt me Beogradin a të largët me Prishtinën.

Lexo më shumë  Pse Enver Hoxha ishte kundër Republikës së Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave?

Pra ka mjaftueshëm të dhëna që të çojnë të besosh se shumica e shqiptarëve e kanë kuptuar se sa më shumë ‘pyllëzohet’ me kulla dhe ngjitet lartësive qiellore, aq më shumë Shqipëria shkëputet nga e vërteta e saj shqiptare dhe, sa më shumë ajo shfytyrohet me ngrehinat shumëkatëshe, aq më e thellë bëhet gropa e krimit ku ‘kalbet’ mëmëdheu ynë.

Por sidoqoftë, e çfarëdo që të themi për të, duhet pranuar se Kryeministri aktual i Shqipërisë ka arritur diçka të paimagjinueshme: shumë nga ne i bëri të mos jenë ‘mjaftueshëm’ shqiptarë, të turpërohen nga patriotizmi dhe atdhetaria si dhe, të mos u pengojë era e qelbur e plehut kriminal që ka mbuluar vendin, pleh që e ka bërë mëmëdheun të pabanueshëm për rininë shqiptare.

Pra, disa nga ne, ai i bëri të pandjeshëm ndaj fatit të Yllit tonë polar – Shqipërisë, si dhe, ndaj fatit tonë kolektivë. E me çka, shumë nga ne, aq u verbëruam sa nuk a pamë se mëmëdheun tonë nuk janë duke e braktisur vetëm banorët e saj, por edhe guximi qytetar, edhe ndershmëria e krenaria kombëtare, se Shqipëria është katandisur udhës të bëhet atdhe i përshtatshëm vetëm për të ngjashmit me Kryeministrin e sotëm të saj – i të ‘pa brekëve’, i të ardhurve nga plazhet nudistë.

Lexo më shumë  Pse Enver Hoxha ishte kundër Republikës së Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave?

Po pra, dihet se Kryeministri i Shqipërisë, madhështinë e vet politike e ndërton duke e shikuar me përbuzje dhe me bisht të syrit vogëlsinë e çdo shqiptari që nuk pajtohet me të. Por ajo që nuk dihet ka të bëjë me ne që ende nuk e kemi kuptuar se ka ardhur koha kur nuk kemi pse merremi dhe pse i hidhërohemi Kryeministrit të Shqipërisë, por kur duhet t’ia japim një shkelmë bythëve vetvetes.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *