Lajme

“Masakra e Qafë-Valmirit”, dëshmi dhe dokumente për ngjarjen makabre të gushtit ‘49

Në Ditën Europiane të Kujtesës për Viktimat e Regjimeve Totalitare dhe në kuadër të 73-vjetorit të Masakrës së Qafë-Valmirit, Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) çeli ekspozitën me titull “Masakra e Qafë-Valmirit”.

E veçantë në llojin e vet, ekspozita online, sjell për publikun e gjerë fotografi dhe dokumente arkivore mbi një ndër krimet më të rënda të regjimit komunist. Ishte 17 gushti i vitit 1949, kur në Qafë të Valmirit në Mirditë, regjimi komunist ekzekutoi 14 burra të pafajshëm, 4 prej të cilëve me varje në litar e 10 me pushkatim.

Ishte kjo një masakër e shtetit si hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës, deputet i parlamentit të kohës dhe sekretar politik i komitetit të PP të kësaj krahine. I ekzekutuar në 7 gusht të atij viti, lideri lokal u bë shkak sakaq për një terror të padëgjuar deri atëherë dhe për riorganizimin e brendshëm të Mirditës.

Lexo më shumë  Tentoi të hyjë ilegalisht një serb në Kosovë, ndalohet nga policia

Vetëm dhjetë ditë pas ngjarjes së bujshme, me urdhër të Mehmet Shehut, Gjykata e Lartë Ushtarake u vendos në Rrëshen dhe bëri një proces gjyqësor duke vendosur në kohë rekord dënimin me vdekje të 14 burrave, ndonëse, siç dëshmohet nga dokumentet, asnjë prej tyre nuk kishte qenë i përfshirë në vrasjen e deputetit Biba dhe as nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me vendimin për vrasjen e tij. 14 të dënuarit nga Mirdita, nga mosha 24 deri 67 vjeç, u vlerësuan si bashkëpunëtorë të të arratisurve, por jo si të përfshirë në vrasje.

Më shumë se proces, gjyqi i ngjau një procedure për “të krijuar bindjen për fajësinë”, që prapë nuk krijohet, sepse dosja e tyre hetimore, në pamje të parë shumë voluminoze, nuk faktoi lidhjet e tyre me elementë armiq të kohës, as nuk qartësoi kriteret, mbi të cilat u morën të pandehur.

Lexo më shumë  Sekretari i të majtës italiane: I kujtoj Ramës se Italia është vend demokratik

Sipas dosjes përkatëse, prokurori i çështjes kërkoi 20 vendime me vdekje në fillim, ndërsa Gjykata e Lartë Ushtarake në fund të procesit që zgjati nga data 11, kur u kryen arrestimet, deri më datën 16 kur u dha vendimi, ra dakord për 14 dënime me vdekje. Në vetëm pesë ditë proces hetimor u pranua në dokumentet e lëna pas se asnjëri nuk ishte i përfshirë në vrasje. Te 14 mbetën në dy gropa të përbashkëta për 40 vite, derisa eshtrat e tyre u rivarrosën ne nje varr monumental në vitin 1991.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *