Lajme

Manipuluan rrethanat e vdekjes së punëtorit, tre të arrestuar në Bulqizë

Drejtuesi i Fabrikës së Pasurimit të Kromit dhe dy punëtorë të saj u arrestuan me akuza për “moskallëzim të krimit” dhe përpjekje për të fshehur një aksident në punë që i mori jetën  65-vjeçarit Mustafa Kamishi.

Drejtuesi i punës në Fabrikën e Pasurimit të Kromit Islam Nika u arrestua të premten nga policia sëbashku me dy punëtorë të identifikuar si Rr.K. 58 vjeç dhe A.A. 38 vjeç, për përpjekje për të fshehur aksidentin në punë që i mori jetën 65-vjeçarit Mustafa Kamishi.

Policia njoftoi se nga hetimet kishte rezultuar se viktima ka qenë duke punuar në zonën e grumbullimit të ujërave kulluese të fabrikës, së bashku me punëtorët e tjerë Rr. K., dhe A . A.. Të tre kanë qenë mbi një varkë të improvizuar dhe gjatë lëvizjes me të i ndjeri ka rënë në ujë dhe ka humbur jetën.

Policia thotë se dy punonjësit që ishin bashkë me të ndjerin dhe drejtuesi i fabrikës, pas ngjarjes janë përpjekur të fshehin që bëhej fjalë për një aksident në punë. “Pas ngjarjes trupin e viktimës e kanë dërguar në banesë”, thuhet në komunikatën e policisë ku njoftohet arrestimi i tre personave me akuzat e “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”, “Moskallëzim Krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Lexo më shumë  Siguria në Evropë – Gërvalla së bashku me ministrin e Mbrojtjes dhe drejtorin e AKI-së, pjesë e konferencës “Defence 24 Days”

I pyetur nga BIRN në lidhje me arrestimin e tre punonjësve, Bukurosh Koçi administrator i Fabrikës së pasurimit të Kromit nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e shkrimit. Të enjten në një bisedë telefonike Koçi the se vdekja e Kamishit “duket si natyrale”. Koçi pretendoi se punëtori kishte qenë vetëm dhe ishte gjetur i vdekur nga kolegët. “Ka marrë detyrë për të pastruar atje dhe më pas e kanë gjetur të shtrirë në tokë. Duket të jetë vdekje natyrale, por po presim ekspertizën”, tha Koçi në telefon.

Por pretendimet për vdekje natyrale u rrëzuan pas hetimeve paraprake që zbuluan se Kamishi kishte rënë në ujë dhe kishte humbur jetën pas një aksidenti ndërsa punonte. Sipas policisë drejtuesi i fabrikës dhe dy punëtorët e tjerë hoqën trupin nga vendi i ngjarjes dhe u përpoqën ta fshehin atë që kishte ndodhur.

Fshehja e aksidenteve në punë nuk është e re për zonën e Bulqizës. Në një shkrim të publikuar në shkurt 2021, BIRN gjeti se një sërë aksidentesh të konsideruara të lehta kalonin pa u hetuar, duke rritur sipas ekspertëve rrezikun për aksidente më të rënda.

Lexo më shumë  Ndalohen dy rus në Jarinjë

Minierat në Bulqizë dhe rreth saj rezultojnë sipas të dhënave nga Inspektorati i Punës me probleme të mëdha të sigurisë, ndërsa zona ka numrin më të lartë të vdekjeve në punë në vend pas Tiranës. Gjatë vitit të kaluar në minierë dhe punë të lidhura me të humbën jetën 5 minatorë. Ndërkohë sëbashku me Kamishin, katër minatorë rezulton se kanë humbur jetën këtë vit dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar apo plagosur në aksidente.

Të dhënat e Inspektoratit Shtetëror të Punës tregojnë një bilanc tragjik të aksidenteve në miniera, ku vetëm gjatë tre viteve të fundit u plagosën 99 minatorë dhe humbën jetën 18 të tjerë.

Fabrika e Pasurimit të Kromit nuk kishte regjistruar aksidente të rënda që prej vitit 2016, kur po ashtu humbi jetën një tjetër person, pas përmbysjes së një kamioni me krom. Fabrika është e para e pasurimit të kromit në vend dhe është vënë në punë në vitin 1973 për përpunimin e pasurimin e mineraleve të varfra të kromit, çelikut e pluhurave që dilnin pas impianteve të seleksionimit e copëtimit në minierat e Bulqizës dhe Batrës./reporter.al/

RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *