Bota

Mali i Zi do të votojë pro Rezolutës për Srebrenicën në OKB

Mali i Zi do të votojë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në mbështetje të Rezolutës që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, tha të enjten kryeministri malazez, Milojko Spajiç, duke nxitur reagimin e partive pro serbe e pro ruse, që janë pjesë e koalicionit të tij qeveritar.

“Ne do të votojmë për këtë dhe për të gjitha rezolutat që dënojnë gjenocidin. Jemi njëqind për qind dakord me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”, tha kryeministri Spajiç gjatë një debati në parlamentin malazez.

Ai tha se Mali i Zi do të paraqesë dy amendamente në rezolutë, në të cilat thuhet se faji për gjenocidin është individual dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi apo komuniteti etnik e fetar.
Sipas tij, amendamenti i dytë i referohet paprekshmërisë së Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës së viteve 1992 – 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë.

Lexo më shumë  OKB paralajmëron për “mizori” tjera në Mianmar

Kryeministri Spajiç tha se “amendamentet janë të shkëlqyera sepse tregojnë qëllimet e vërteta të të gjithëve”, ndërsa theksoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë të Malit të Zi për amendamentet e qeverisë së tij.

Gjatë disa ditëve të fundit pati reagime të shumta nga organizatat joqeveritare, analistë dhe parti politike opozitare, pasi qeveria paralajmëroi se do t’i dorëzojë amendamentet me ndërmjetësimin e Shtetet të Bashkuara të Amerikës, gjë që u mohua nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë. Masakra e cila ndodhi një javë pasi Srebrenica, që ishte shpallur nga Kombet e Bashkuara si zonë e sigurt u sulmua nga forcat serbe të Bosnjës, është vlerësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe ai ushtarak Ratko Mladiç, janë dënuar më burgim të përjetshëm nga Gjykata e OKB-së për krime lufte në ish Jugosllavi, për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë.

Përveç tyre më shumë se 50 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet heqje lirie për gjenocid dhe krime në atë qytet.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e konfirmoi në vitin 2007 se në Srebrenicë është kryer gjenocid, duke theksuar gjithashtu se Serbia dështoi ta parandalojë atë.

Serbia dhe Republika Serbe po bëjnë fushatë kundër rezolutës duke mohuar që në Srebrenicë të ketë ndodhur gjenocid.

Rruga Press

YouTube player