EditorialKryesore

Lufta në Ukraine: “Të jesh realist, do të thotë të besosh në raportin e forcave dhe në zhbindje ”

Nga Le Monde-përktheu Rruga Press

Tribunë

Jean-Baptiste Jeangène Vilmer

Drejtues i Institutit të kërkimit strategjik të Shkollës Ushtarake (IRSEM)

Pozicioni që mendon se Rusia dhe Ukraina do të detyrohen të vendosen përballë si “aktorët racionalë që mbrojnë interesat e tyre” nuk është realizëm, por cinizëm. Kështu shprehet për Le Monde ky studjues në marrëdhënie ndërkombëtare në këtë tribunë të shfaqur pardje.

Lufta në Ukrainë i mprehu prirjet që e kthenin në karikaturë “realizmin” në politikën e jashtme. Janë të shumtë analistët që fshihen pas këtij realizmi dhe kërkojnë zbutje përballë agresionit rus. Ata mbështeten si te origjinat e pretenduara të konfliktit sa dhe te perspektivat e rrugëdaljes.

Çfarë mendojnë ata që hiqen për realistë. Para luftës, qe mungesa e “realizmit” ajo që lejoi shtrirjen e NATO-s. Kjo e “provokoi” presidentin Putin, i cili vetëm mbrojti interesat e tij kur sulmoi Ukrainën, pra është pothuaj i pafajshëm. Edhe gjatë luftës, në emër po prapë të “realizmit” do të duhej të mos mbështetej shumë Ukraina dhe t’u sajohej një shtegdaljeje e nderuar rusëve. Madje pas luftës, sipas të njëjtëve “realistë” duhet të normalizohen menjëherë marrëdhëniet me Moskën.

Me këtë kuptim që i jep termit realizëm, realisti kthehet në një lloj vëzhguesi i paanshëm në raportin e forcave, në të cilin nuk ka “as të mirë e as të keq” – Rusia dhe Ukraina le të vendosen përballë –, por vetëm aktorë racionalë që mbrojnë interesat e tyre. Duke denoncuar “histerizimin” e debatit, duke dashur të mishërojë arsyen dhe jo pasionin, ky realist bazohet të përjashtimi i çështjeve morale në analizën e tij. Veçse ky pozicion nuk është realizëm.

Ky pozicion, që prej një më shumë se gjysmë shekulli u emërtua nga Raymond Aron (1905-1983) “realizëm i rremë”, pra në realitet cinizëm. Matrica realiste natyrisht që ka disa postulate me këtë sjellje: si për shembull, marrja parasysh e shtrëngesave të realitetit, pranimi i raporteve të forcave, mosbesimi te abstragimi dhe gjykimi i vlerës së pohimeve në bazë të mundësisë së tyre të zbatimit, pa patur iluzione mbi vullnetin dhe aftësinë e aktorëve për me i respektu parimet që deklarojnë, pranimi se shtetet kërkojnë të maksimizojnë interesat e tyre kombëtarë dhe janë më shpesh në konflikt se në harmoni, etj.

Mirëpo, dhe këtu qëndron dallimi madhor, realizmi nuk është megjithatë amoralizëm. Të harrosh apo nënvlerësosh çështjet morale, kjo nuk do të thotë të japësh prova realizmi, ngaqë edhe këto çështje bëjnë pjesë në realitet. Ato madje shtrohen gjithnjë e më shumë sepse trysnia normative mbi aktorët e marrëdhënieve ndërkombëtare – shtete, organizata, ndërmarrje, individë – është përherë në rritje: lidhur me sjelljen në luftë, shitjet e armëve, bërthamorin ushtarak, të drejtat e njeriut, emetimin e gazeve të serrës, etj.

Lexo më shumë  Kryeministri në ardhje i Serbisë: Do të mbajmë miqësinë me Kinën e Rusinë, nuk vendosim sanksione për luftën ruse në Ukrainë

Në kushtet kur flasim, me barbarizimin e luftës në Ukrainë, kjo gjë mund të duket e habitshme, po po ndodh me të vërtetë moralizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare, për faktin se aktorët deklarojnë përherë e më shumë argumente moralë dhe juridikë për të justifikuar veprimet e tyre dhe për të ndëshkuar veprimet e të tjerëve. Jo sepse janë më moralë se më parë – shtetet si dhe njerëzit që i përbëjnë veprojnë sipas interesave të trye, egoizmi bën pjesë në natyrën njerëzore –, por ngaqë vlerësojnë se duhet të paraqiten të tillë.

Realizmi në lidhej me Ukrainën

Pa përjashtuar aspak konsideratat morale nga analizat e tyre, realistët e vërtetë vetëm se janë të kujdesshëm që këto konsiderat mos të lënë mënjanë shtrëngesat e realitetit. Etika realiste është ajo e keqes më të vogël – “nuk është kurrë lufta mes të mirës dhe të keqes”, thoshte Aroni, por lufta mes të parapëlqyeshmes dhe të përbuzshmes” – dhe në këtë pikë ajo është etikë tragjike. Por ajo mbetet gjithsesi etikë.

Në të tillë kushte, ata që ngulmojnë në harresën ose nënvlerësimin e çështjeve morale nuk duhet të quhen “realistë”, edhe kur e kërkojnë këtë emërtim pa e kuptuar që janë gabim, por thjesht ”cinikë”. Po t’i kthehemi tani Ukrainës, çfarë do të thoshte realisti i vërtetë? Sa i takon shkaqeve të luftës, ai do të denonconte pretekstin e “provokimit” perëndimor dhe do të kujtonte se vetë presidenti Putin, duke u krahasuar me Pietrin e Madh, ka pranuar se bëhet fjalë për një rast të thjeshtë lufte për pushtim perandorak.

Të jesh realist, nuk do të thotë të mohosh realitetin. Sa i takon sjelljes në luftë, realisti i vërtetë do të kuptonte se reduktimi i mbështetjes së forcave ukrainase me pretendimin se do t’i shtynte për armë-pushim dhe ndalim të luftës (synim i lëvdueshëm) do të jepte krejt rezultatin e kundërt. Nëse Putini fiton – ose ka ndjesinë se ka fituar, ngase fitorja ëshët çështje perceptimi –, ai nuk do të ndalej. Do të përdorte negociatat për të fituar kohë, do të rigruponte forcat e tij dhe do të përmushte synimin e tij: ta hidhte prej pushtetit presidentin Zelensky dhe të merrte kontrollin e tërësisë së vendit. E po t’i rritej besimi, do të synonte edhe më larg se kufijtë ukrainas.

Lexo më shumë  OBSH: Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Evropë

Të dish të mbrosh interesat dhe vlerat në afatgjatësi

E vetmja mënyrë për me e ndalë dhe për me ia bë të qartë se ka shumë për të humbur nëse vazhdon kështu, kjo nuk bëhet duke lënë armët, por, në të kundërtën, duke e thelluar mbështetjen për forcat ukrainase, pra, duke shtuar shpenzimet e forcave ruse, gjithnjë duke mbetur të hapur për diskutime të mundshmëm konstruktivë.

Të jesh realist, do të thotë të besosh te raporti i forcave dhe lëkundja e kundërshtarit. Por po ashtu, të mos kryesh dy herë të njëjtin gabim: realistët e rremë do të duhej të kujtoheshin se deri në 24 shkurtin e kaluar ata betoheshin në emër të gjithë se Putini nuk do ta pushtonte kurrë Ukrainën – ose më mirë se nuk do të ndërmerrte sulm të madh, ngaqë sa për pushtim ai e kishte bërë tashmë në 2014-n. Po këta na premtojnë sot se Putini nuk do të shkojë më larg se kaq.

E fundit, sa i takon pas-luftës, realisti i vërtetë nuk do të na këshillonte normalizimin e menjëhershëm të marrëdhënieve me Moskën, veçse nëse, deri në kaq pak kohë, regjimi bie. Dhe kjo, ngaqë shpenzimet duhet të jenë tronditës jo vetëm për Kremlinin, por edhe për pjesën tjetër të botës, më së pari për Pekinin, që sheh me vëmendje situatën për me kuptu se ç’duhet të bëjë në një skenar të ngjashëm me Taivanin, dhe, nga ana tjetër, ngaqë cilido qoftë përfundimi i konfliktit, autonomia strategjike evropiane varet domosdoshmërisht nga reduktimi i varësisë prej lëndëve djegëse ruse. Të jesh realist do të thotë edhe të dish të mbrosh interesat dhe vlerat në afatgjatësi.

© Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *