Lituania rrit gatishmërinë ushtarake përballë kërcënimeve ruse, zgjeron rekrutimin
Lituania planifikon ta shndërrojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në një sistem universal nga viti 2032, duke rritur numrin e rekrutëve vjetorë nga mbi 5,000 në rreth 7,500, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar gatishmërinë ushtarake përballë kërcënimeve në rritje të sigurisë në rajon.
Këshilli Shtetëror i Mbrojtjes i Lituanisë e miratoi të enjten afatin kohor për këtë ndryshim, ndërsa presidenti Gitanas Nausėda njoftoi se numri i personave që do të thirren për shërbim ushtarak do të rritet me gati 50 për qind.
Sipas sistemit aktual, Lituania rekruton çdo vit vetëm një numër të caktuar burrash, ndërsa modeli universal do të përfshinte të gjithë të rinjtë që plotësojnë kriteret ligjore, me përjashtimet e përcaktuara me ligj.
Zbatimi i këtij ndryshimi vlerësohet se do të kushtojë nga 100 deri në 120 milionë euro. Ndërkohë, deri në vitin 2040, Lituania synon ta rrisë rezervën e saj aktive ushtarake nga rreth 50,000 në 74,000 personel.
Kryeministri Mindaugas Sinkevicius tha se qeveria kishte kërkuar që sistemi i ri të zbatohej më herët, por kishte pranuar t’i jepte ushtrisë më shumë kohë për përgatitjet e nevojshme.
“Ushtria ka deklaruar qartë se do të jetë gati deri në vitin 2032”, deklaroi Sinkevicius, duke theksuar se për zbatimin e planit nevojitet trajnimi i rreth 300 instruktorëve shtesë, si dhe zgjerimi i kapaciteteve akomoduese për rekrutët.
Lituania e riktheu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në formë të pjesshme në vitin 2015, një vit pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, duke braktisur kështu modelin e mëparshëm të një ushtrie tërësisht profesionale.
Vendimi për zgjerimin e rekrutimit vjen në një kohë kur Lituania, së bashku me vendet e tjera baltike dhe Poloninë, po shton përpjekjet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse. Këto shtete kanë shprehur shqetësime për një agresion të mundshëm rus dhe për shtimin e kërcënimeve hibride përgjatë krahut lindor të NATO-s.
Në këtë kontekst, Lituania është përballur me operacione të dyshuara ruse dhe incidente të përsëritura me dronë. Në shtator, avionët luftarakë të NATO-s rrëzuan një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore lituaneze nga Bjellorusia. Ndërsa në tetor, një tjetër dron i dyshuar shpërtheu mbi territorin e vendit, duke detyruar banorët të kërkonin strehim.
Rruga Press

