Libri i javes

LIBRI I JAVËS/PËSHTJELLIMET E TËRLESIT – ROBERT MUSIL

Parathënie

    Tërles, kriza e zhvillimit individual dhe parashikimi i një katastrofe.

Shkrimtari austriak Robert Musil (1880-1942) është një ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë gjermanishtfolëse të gjysmës së parë të shekullit XX. “Pështjellimet e Tërlesit” (në origjinal: Die Verwirrungen des Zöglings Törleß) është vepra e tij e parë, e cila, së bashku me tregimet, pjesët teatrale, esetë e ndryshme dhe romanin gjenial të pambaruar “Burri pa cilësi” (Der Mann ohne Eigenschaften), përbëjnë korpusin letrar të Musilit.

Musili filloi ta shkruante Tërlesin në moshën 22-vjeçare për tre vjet me radhë. Prej variantit të parë orgjinal të romanit, ekziston vetëm një faqe e shkruar me dorë nga Musili, e menduar si parathënie për romanin e tij. Vetë Musili e cilësonte shpjegimin e parathënies si thelbësor për kuptimin e tekstit. Në të thuhej pak a shumë: “Në Thesarin e të Mjerëve”[1] shkruhet: Ne i zhvlerësojmë ato qe themi, çuditërisht, menjëherë sapo i kemi shprehur. Besojmë se jemi zhytur në fund të humnerave dhe kur dalim rish në siperfaqe, pikat e ujit në majë të gishtërinjve tanë të zbehtë nuk i ngjasojnë më detit, prej nga erdhën. Kujtojmë se kemi zbuluar një thesar te mrekullueshëm dhe, kur dalim rish në dritë të diellit, shohim se kemi sjellë veç ca gure kallpe e copera gelgi; e prapëseprape thesari vazhdon të vezullojë në errësirë, i paprekur.

Kush e ka përjetuar vërtetësinë e këtyre fjalëve brenda vetes, do ta kuptojë këtë libër. Edhe sikur të zbulojë aty një orvatje të dështuar, ai do t’ia falë. Për të tjerët vlen ky citim nga Wilde (Oscar-J.G): Refuzimi i realizmit në shekullin XIX ngjan me zemërimin e Kalibanit[2] kur sheh fytyrën e vet në pasqyrë. Refuzimi i romantizmit në shekullin XIX ngjan me zemërimin e Kalibanit kur nuk e sheh fytyrën e tij në pasqyrë. Sepse ky libër i përmban të dyja këto gabime.”[3]

Tërlesi dhe Musili

Nuk janë të paktë kritikët që përpiqen të shohin te Tërlesi vetë Musilin[4]. Për këtë ndihmon paksa biografia e autorit. Studimet e tij në akademinë ushtarake, ku do të kuptonte shumë shpejt se nuk ndihej si në shtëpi, në një ambient ku flitej përgjithësisht vetëm për femra dhe kuaj. Në dhjetor 1897, me kërkesën e babait të tij, Robert Musili largohet nga shkolla ushtarake (njësoj si personazhi i  Tërles), për të vazhduar më pas studimet për inxhinieri, matematikë dhe fizikë. Sipas studiuesit Karl Corino (në veprën e tij “Törleß ignotus”), ndryshimet e Musilit persa i përket vendeve ku janë zhvilluar ngjarjet dhe personave nga të cilët është frymëzuar, janë lehtësisht të dallueshme. Internati i përket shkollës ushtarake ne Mährisch Ëeißkirchen (sot në Çeki), shkurtuar nga autori në “W”, ndërsa shokët e tij Basinin, Bajnebergun dhe Rajtingun i ka njohur që më përpara kur studionin në Eisenstadt (Austri). As princi H. nuk është një figurë e krijuar, por është princi Henrik i Toskanës, që u largua në gusht 1891 disa muaj përpara futjes së Musilit në shkollë.

Tërlesi dhe shpirti i kohës

Menjëherë pas botimit (1906), Tërlesi zgjoi një interes të madh te publiku, sa e detyroi Musilin të ndërronte profesion, nga inxhinier, në shkrimtar të lirë. Suksesi i Tërlesit lidhej para së gjithash me temën e zgjedhur dhe mënyrën e përpunimit të saj në formën e një romani internati. Prekja e disa tabuve shoqërore për kohën, bëri që romani të përhapej dhe të lexohej me shpejtësi. Stili i rrëfimit të Musilit përmban elementet tipike të letërsisë vjeneze moderne të fillimshekullit XX. Një fill i hollë psikologjik e përshkon romanin nga kreu në fund, duke nxjerrë në pah jo vetëm botën e paqëndrueshme të një adoleshenti në krizë, por gjithë pasigurinë e tij filozofike. Në roman paraqiten disa linja dhe shtresa të ndryshme, të cilat e bëjnë të vështirë kuptimin dhe interpretimin e tekstit, por e bëjnë atë edhe orgjinal. Në qendër është, pra, një djalë i ri, kadet në një institut ushtarak, i cili gjatë kohës së qëndrimit në internat përballet me përvoja të forta, që do t’i tronditin gjithë botën e ngritur gjer atëherë dhe detyrimisht, do t’i ndryshojnë edhe rrjedhën e jetës.

Musili u kritikua për rolet jo të favorshme që u jepte në këtë roman prindërve dhe mësuesve. Gjithashtu, paraqitja mjeshtërore e pushtetit dhe dhunës në jetën e kadetëve të rinj u interpretua me vonë si një parashikim “i pavetëdijshëm” i diktaturave që do të vendoseshin në shekullin XX.

Ndërsa torturat dhe mjetet çnjerëzore që përdoren nga personazhet në roman u krahasuan me vone me metodikën e torturave në kampet e përqendrimit nazist. Por, megjithatë, përtej gjithë këtyre interpretimeve të mëvonshme të veprës së Musilit, mund të themi se lënda e romanit është endur si një sintezë e ndjenjave me vullnetin, e racionalitetit me mistikën, e mendimit shkakësor me qasjen intuitive të disa personazheve, individë në rritje e sipër. Personazhi kryesor, Tërlesi, pëson një krizë të fortë kur bota e tij e brendshme bie në kontradikte me konvencionet e botës së jashtme, kësisoj komunikimi mes Unit dhe Botës (gjërave, objekteve sipas Tërlesit në libër) ndërpritet. Romani duhet kuptuar brenda frymës së kohës në të cilën Musili jetoi. Kalimi nga një shoqëri tradicionale në një shoqëri moderne të individualizuar u shoqërua edhe me ndryshime në perceptimin estetik të artit, ku sidomos te autorët austriakë (Arthur Schnitzler dhe novelat e tij) kemi psikologjizimin e artit dhe largimin e tij nga “kopjimi dhe reflektimi” i natyrës. Pra, arritjen e një autonomie nga kufizimet morale dhe shoqërore brenda estetikës së kohës (l’art pour l’art). Tërlesi mbetet deri në fund një individ i lirë, pa ndikim nga shoqëria dhe hallkat  (institucionet) e saj edukuese. Fillimisht e gjejmë atë të zhytur në një gjendje pasiviteti të skajshëm, ku asgjë nuk ka kuptim dhe ku ai ndihet i paaftë për të marrë vendime dhe për të vepruar. Pas përvojës brutale me Basinin dhe shokët e tij, Tërlesi duket sikur zgjohet nga “gjumi” maturohet.

Edhe pse Tërlesi është thjesht një regjistrues pasiv i ngjarjeve që ndodhin, më tepër se sa një ndikues aktiv, ai nuk është më pak fajtor për veprimet e shokëve të tij se ata vetë: sadisti Rajting, mistikologu dhe torturues fin Bajnëberg dhe viktima e poshtëruar, Basini. Tërles bashkepunon në heshtje për sa kohë kjo pervoje i intereson personalisht.

Struktura dhe stili i rrëfimit

Stili i rrëfimit të Terlesit përcaktohet nga ndryshimet e kohës në fillim të shekullit XX. Nuk kemi më rrëfime të gjata, të vazhdueshme, të lidhura me përvoja të caktuara, por në rastin e Terlesit rrëfimi është kauzal dhe karakterizohet nga heshtja apo ngurrimi i personazheve për të folur. Kjo mund të duket për lexuesin fillimisht si problem strukturor dhe stilistik, por nga ana tjetër autori lejon që secili të mbajë distancë nga personazhet, t’i ndjekë dhe përfundojë debatet e tyre ndonjëherë të ndërprera apo të pasakta, pse jo duke i korrigjuar ato.

Musili ia del të nxjerrë në pah me anë të mjeteve stilistikore dhe rregullave konfiguruese të kompozimit botën kaotike të një adoleshenti dhe pështjellimeve që gëlojnë në mendjen e tij. Jeta e Tërlesit në internat është e mbushur me mërziti, vetmi dhe melankoli, motive këto që janë kyçe për letërsinë e fundshekullit XIX dhe fillimit të shekullit të ri. Vetëm se te Musili vetmia është njëherazi edhe mall, nxitje për diçka të re, objekt dëshire. Nuk mund të mos vihet re ndikimi në vepër nga filozofia e shkrimeve të Niçes, Emersonit dhe Meterlinkut. Në vetvete, vepra e Musilit nuk është e butë dhe lirike edhe pse mbizotëruese janë hapësira (sendet) dhe shpirtërorja (bota e brendshme). Lënda që endet në roman prek errësirën dhe dritën, përmes harlisjes së kujtimeve brenda procesit të të kujtuarit.

Për të kuptuar stilin e ngjeshur dhe shumëkuptimësh të Musilit, vlen të lexojmë se çfarë shkruante Musili në ditarin e tij (Tagebücher 1, Fletorja 11, fq. 149) në 10 maj 1905: “Shpirti i njerëzve vetëm sa do të preket nga veprimet dhe fjalët e tyre, dhe kurrsesi nuk do të jetë më i qartë se në jetën reale. Duhen vendosur disa kufizime, njësoj si një piktor që nuk mund të hedhë mbi telajo të gjitha ato që sheh. Për ta arritur këtë duhen “mësuar” ndërhyrjet e nevojshme. Një ndërhyrje e tillë është për shembull kjo: Në pështjellim e sipër, Tërlesi i thotë Basinit me mirësjellje: “Tani do të thuash që je një maskara.” Më vonë, Basini i tregon atij se Bajnebergu ia kërkon “shërbimet” jo me hakerrimë, por me “mirësjellje”. Në këtë pikë, mund të mendosh se Bajnëbergu është ndikuar nga Tërlesi, që në fakt do të ishte shumë e çuditshme në raport me marrëdhënien që ekziston mes tyre. Në njëfarë mënyre, ke ndjenjën se në këtë kohë po ndodh diçka. Personat nuk janë vetëm ajo që thuhet për ta, porse ata jetojnë edhe kur nuk shfaqen, në mënyrë të pavarur, vijnë e ikin dhe vazhdimisht diçka ndryshon. Impakti i pasojave të këtij ndikimi do të zvogëlohej ndjeshëm, nëse do ta sqaronim atë nga afër.”

Rrëfimi i ngjarjeve është autorial dhe kronologjik, përveç dy-tre momenteve të vogla ndërhyrëse: pranimi i Tërlesit në shkollën e kadetëve, njohja dhe miqësia fillestare me princin, pastaj disa momente rikujtimi nga fëmijëria, takimet me Bozhenën dhe në fund vizita në shtëpinë e mësuesit të matematikës. Historia tregohet në distancë (kohore) me dinamikën e ngjarjeve, në fakt më shumë përshkruhet se sa rrëfehet. Kompozimi i veprës gjithashtu i ngjan një rrethi të mbyllur. Fillon dhe përfundon në një stacion treni, duke simbolizuar gjendjen shpirtërore të personazhit dhe qëndrimin e djaloshit në mes të stacioneve, fazave të rritjes dhe reflektimit.

Rëndësia e veprës dje dhe sot

“Pështjellimete Tërlesit” ka pasur si vëllezërit e tij në veprat e shumë shkrimtarëve të tjerë; kujtojmë Tonio Kregerin të Tomas Manit, Malte Laurids Brigge të Rilkes, Jean nga konviktet ushtarake kanë treguar praktikat e elitave Santeuil të Marcel Proust-it etj. Gjithashtu, përshkrimet në pushtet, siç e kemi parë te Dostojevski (“Shënime nga shtëpia e të vdekurve”), Rilke (“Ora e gjimnastikës”), Hese (Nën rrotë), Schnitzler (“Togeri Gust!”), Kafka (“Rekrutimi i trupave”,”Kolonia ndëshkimore”) apo shumë më vonë rrëfimet për veten të Thomas Bernhard-it (“Shkaku”). Format represive që institucionet e mbyllura si konviktet, internatet, burgjet etj, ushtrojnë për të ruajtur pushtetin e tyre mbi personat që janë të mbyllur aty, bazohen në çekuilibrimin dhe dhunimin e strukturave psikike për mes agresionit, seksualitetit, sadizmit, mazokizmit. Këto i gjejmë si fill i kuq në gjithë historinë e pushtetit ushtarak (dhe fashist). Sadizmi i përshkruar në romanin e Musilit duket si një parathënie e ngjarjeve që do të pasonin pas vitit 1933, ku sadistët do të ktheheshin në mjeshtër të krimit dhe ndëshkimit mbi “të pafuqishmit” (shih Basinin në këtë roman). Reduktimi i këtyre institucioneve ushtarake (në Austri para së gjithash) në vende ku ushtrohej terrori sadist në vend të shkëmbimit intelektual dhe pasojat që kjo do të kishte në Luftën II Botërore, duket se janë ravijëzuar qartë te kjo vepër e parë e Robert Musilit. Nuk është për t’u habitur që, gjatë kohës së nacional-socializmit, botimi dhe shpërndarja e “Tërlesit” u ndalua (ribotimi vijoi në vitin 1957) me justifikimin se paraqiste një art të zbuluar dhe pervers. Por libri “Pështjellimet e Tërlesit” vazhdon të mbetet aktual mbi të gjitha për hir të tematikës që ai trajton: bota psikologjike dhe sociologjike e të rinjve në fazën e njohjes me vetveten dhe, mbi të gjitha, kriza e pubertetit. Në këtë kontekst, marrëdhënia e të rinjve brenda “klikës” apo qasja e tyre ndaj seksualitetit, tabuve dhe dhunës nuk ka ndryshuar as pas një shekulli. Analiza e hollë psikologjike që Musili u bën personazheve në veprën e tij jo më kot mbahet ende si pararendëse e frymës frojdiane.

Jonila Godole


[1] Vepër e shkrimtarit belg Maurice Maeterlinck (1862-1949), përfaqësues i rëndësishëm i simbolizmit (J.G).

[2] Calibani është një personazh fiktiv i përdorur nga Shekspir ne dramën e tij ” Stuhia ” (The Tempest) , venë në skenë e Londër , me 1611 ( JG ).

[3] 3. Shkëputur nga ” Ditare II ” (Tagebücher II), botuar nga Adolf Frisé, Roëohlt 1983, S. 841.

[4] Renate Schröder – Werle ( 2001 ): Robert Musil : Die Vereirrungen des Zöglings Törleß. Erläuterungen und Dokumente (32-35) Reclam. Stuttgart. 


Shqipëroi: Jonila Godole

Shtëpia botuese: Pika pa sipërfaqe, 2012.

©RRUGA PRESS

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *