Libri i javes

LIBRI I JAVËS/ MBI TELEVIZIONIN – PIERRE BOURDIEU

PASTHËNIE: GAZETARIA DHE POLITIKA

Si ta shpjegojmë dhunën ekstreme të reagimeve që ka ngjallur tek gazetarët më të njohur francezë analiza që i paraqesim lexuesit?[1]

Kjo s’mund të ketë pasur ndonjë arsye, tjetër përveç faktit se, edhe pse unë e përgënjeshtrova këtë gjë, ata janë ndjerë të sulmuar (se paku ata prej të cilëve që ishin përmendur direkt ose tërthorazi, – apo që u ishin përmendur të afërm a të ngjashëm të tyre). Indinjata virtuoze që ata manifestuan padyshim që i vishet, pjesërisht, efektit të transkriptimit, ky bën të zhduken pashmangshmërisht shoqërimet jo të shkruara që i bëhen fjalës, toni, gjesti, mimika, pra zhduk gjithçka që, për çdo spektator dashamirës, shënon dallimin ndërmjet një diskursi që nxitet prej dëshirës për t’i bërë gjërat të kuptueshme dhe për të bindur, dhe një pamfleti polemik që me sa duket kanë parë tek ky libër shumica e kritikëve. Por reagimi shpjegohet, mbi të gjitha, përmes disa vetive që janë më tipiket për vizionin gazetaresk (vizion që në kohë të tjera ka mundur të ndezë reagime edhe ndaj një libri si La Misère du Monde): pra prirja për ta identifikuar të renë me atë çka quajmë shpesh “zbulim”, apo tendencën për të privilegjuar aspektin që është më së drejtpërdrejti i dukshëm prej botës sociale, që do të thotë individët, të bërat e sidomos të pabërat e tyre, në një perspektivë që shumë shpesh është ajo e denoncimit dhe e gjykimit, në dëm të strukturave apo mekanizmave të padukshme (që në këtë rast janë ato të fushës gazetareske) të cilat orientojnë veprimet dhe mendimet, njohja e të cilave do të favorizonte më shumë faljen mirëkuptuese se sa dënimin e indinjuar, apo edhe më tej, prirja për t’u interesuar më shumë për “konkluzionet” (e supozuara) se sa për rrugën se si shkohet deri aty.

E kam akoma kujtimin e atij gazetari që gjatë kohës së daljes së librit tim, La Noblesse d’Etat, një përmbledhje e hulumtimeve të bëra gjatë dhjetë viteve, më propozoi të merrja pjesë në një debat mbi Grandes Ecolés në të cilin presidenti i shoqatës së ish – studentëve do të mbështeste këndvështrimin “pro” tyre e unë kurse unë do të mbroja anën “kundër”, dhe gazetari s’e kuptonte sesi unë mundesha ta refuzoja ftesën e tij. Në të njëjtën mënyrë “penat e shquara” që janë marrë me librin tim kanë vënë në pikëpyetje thjesht e vetëm metodën të cilën kisha përdorur (dhe veçanërisht analizën e botës gazetareske për sa i përket përmasës së saj si fushë), duke e reduktuar kështu, madje pa e ditur, në një seri pozicionimesh banale të stërpikur me ndonjë garniturë polemike. Megjithatë, unë do të doja që sërish ta ilustroja këtë metodë, duke u përpjekur të tregoj, me gjithë rrezikun e keqkuptimeve të reja, se si fusha gazetareske prodhon dhe imponon një vizion tërësisht të veçantë të fushës politike, që e gjen principin në strukturën e fushës gazetareske dhe në interesat specifike të gazetarëve që lindin prej tij.

Në një univers që sundohet nga frika se mos je i mërzitshëm dhe nga synimi për të qenë doemos argëtues dhe zbavitës, politika është e dënuar që të shfaqet si një subjekt i papëlqyeshëm që duhet përjashtuar sa më shumë që të jetë mundësia prej transmetimit në orët e pikut televiziv. Politika shihet si një spektakël shumë pak argëtues, kupto trishtues, ligështues, si gjë e vështirë për t’u trajtuar, e cila duhet kthyer në një gjë interesante. Prej kësaj rrjedh tendenca që vëzhgojmë ngado, në Shtetet e Bashkuara ashtu si dhe në Evropë, ku gjithnjë e më shumë po sakrifikohet editorialisti nga animatorët dhe reporteri i kronikës për t’u zëvendësuar argëtues, po sakrifikohet informacioni, analiza, intervista e thelluar, diskutimet me ekspertët apo reportazhet, dhe po zëvendësohen prej zbavitjes si qëllim në vetvete e në veçanti prej llafazanërisë pa asnjë kuptim të bashkëbiseduesve të pakualifikuar dhe të këmbyeshëm nëpër talk-shows (prej të cilëve, ç’krim i pafalshëm, unë paskam përmendur njërin në shembujt e librit tim). Për të kuptuar me të vërtetë atë që thuhet e sidomos atë që nuk mund të thuhet në këto biseda fiktive, duhen analizuar në hollësi kushtet e përzgjedhjes të atyre që në Shtetet e Bashkuara po quhen panelistë: në radhë të parë duhet të jesh gjithnjë në dispozicion, që do të thotë gjithnjë gati për të marrë pjesë në emisionet ku të thërrasin, por gjithashtu edhe të jesh pjesë e lojës, duke pranuar t’i përgjigjesh të gjitha pyetjeve, edhe atyre më të çuditshmeve apo atyre më tronditëseve që gazetarët mund të pyesin (i njëjti përkufizim qëndron edhe për tuttologn-n); të jesh gati për të gjitha do të thotë të jesh gati për të bërë çdo lëshim (mbi temën, mbi pjesëmarrësit, etj.), gati për çdo kompromis dhe për çdo kompromentim, thjesht për të qenë aty e për të siguruar asisoj përfitimet direkte apo indirekte të të qenit i famshëm “mediatikisht”, pra të paturit prestigj në organet e shtypit, ftesa për të marrë pjesë në konferenca fitimprurëse etj.; por vini re, sidomos tek intervistat paraprake që producentët mbajnë për të përzgjedhur panelistët në Shtetet e Bashkuara dhe gjithnjë e më shpesh në Evropë, u kërkohet që të formulojnë pozicione të thjeshta në terma të qarta e të shkëlqyeshme, si dhe që të evitojnë ngatërresën me dije të komplikuara (sipas maksimës “The less you know, the better off you are”).

Por gazetarët që e arsyetojnë këtë politikë të thjeshtëzimit demagogjik duke u thirrur tek pritshmëritë e publikut (duke u pozicionuar komplet në krah të kundërt me synimin demokratik për të informuar dhe edukuar duke argëtuar, nuk bëjnë gjë tjetër përveçse projektojnë tek publiku prirjet e veta, vizionin e tyre; sidomos atëherë kur frika se mos bëhen të mërzitshëm i çon deri aty sa të trajtojnë më me prioritet sherrin se sa debatin, polemikën se sa dialektikën, dhe i bën të përdorin gjithçka në mënyrë që të privilegjohet përballja midis s personave (sidomos politikanëve) në dëm të përballjes midis argumenteve të tyre, e kam fjalën për vetë argumentet rreth të cilave është ngritur debati, p.sh. deficiti buxhetor, ulja e taksave apo borxhi i jashtëm. Për faktin që thelbi i kompetencës së tyre konsiston në njohjen e një bote politike të ngritur mbi intimitetet e kontakteve konfidencave (kupto: thashetheme e llafe) më shumë sesa mbi objektivitetin e ndonjë vëzhgimi apo ndonjë hulumtimi, ata janë faktikisht të prirur që të gjitha gjërat t’i çojnë drejt një terreni ku ata vetë janë ekspertë, duke u interesuar më shumë për debatin dhe për debatuesit sesa për temën e debatit, duke u interesuar më shumë për çështjet thjesht taktike më shumë se sa për thelbin e debatit, më shumë për efektin politik të diskursit në logjikën e fushës politike (asaj të koalicioneve, të aleancave dhe të konflikteve mes personave), se sa përmbajtjes së tij (deri sa arrijnë në pikën që mund të shpikin dhe t’i imponojnë apo diskutimit ndonjë artific të pastër, siç ndodhi në zgjedhjet ë shkuara në Francë, ku u shtrua çështja se nëse debati midis të majtës dhe të djathtës do të duhej të zhvillohej midis dy vetave Jospin-it, lider i opozitës dhe Juppé-së, kryeministër i së djathtës – apo midis katër personave – Jospin me aleatin e tij komunist Hue nga njëra anë, dhe Juppé me aleatin e tij centrist Léotard nga ana tjetër. Ideja e debatit me katër persona, ndërkohë që do të dukej si ide neutrale, ishte një impozim politik në favor të partive konservatore pasi i bënte të dukshme dallimet e mundshme mes partive të majta). Për shkak të pozicionit të tyre enigmatik në botën politike ku janë aktorë me influencë të madhe, megjithatë pa qenë anëtarë me të drejta të plota në këtë fushë, gazetarët janë në gjendje t’i ofrojnë politikanëve shërbime simbolike të rëndësishme të cilat ata s’mund t’i sigurojnë vetë (përjashto këtu fushën letrare , ku në bashkëpunim ata luajnë tërësisht lojën e “të dërguarve me ashensor”).

Gazetarët priren drejt pikëpamjeve si të Thersitit (personazh i Iliadës, luftëtar grek i cili para se të fillonte lufta hodhi dyshime mbi qëllimin e luftës duke thënë se ajo bëhej vetëm për interes të Agamemnonit) dhe drejt një forme spontane të filozofisë së dyshimit që i çon të kërkojnë shkaqet e marrjes së pozicionit tek gjërat më pak të ngarkuara me interes dhe tek bindjet më të sinqerta brenda interesave që lidhen me pozicionimet në fushën politike (p.sh. i gjejnë shkaqet e marrjes të pozicionit tek rivalitetet brenda gjirit të një partie, apo brenda një “rryme” të caktuar).

Gjithë kjo i çon që të prodhojnë dhe të propozojnë, qoftë në pritshmëritë që përshkruajnë nëpër analizat e tyre politike, qoftë në pyetjet që shtrojnë kur i bëjnë intervista dikujt, një vizion cinik të botës politike, një lloj arene, vendngjarje e pa kahje e pa bindje, që udhëhiqen nga manovrave ambicioze interesat e lidhur me konkurrencën që i kundërvendos. (Eshtë e vërtetë, le ta themi edhe këtë kalimthi, që këta gazetarë nxiten për ta bërë këtë gjë, prej veprimit të këshilltarëve politikë e asistentëve, ndërmjetësve të ngarkuar për t’i ndihmuar politikanët në këtë lloj të marketingut politik që është shprehimisht i llogaritur edhe pa qenë patjetër cinik.

Këta këshilltarë të marketingut politik janë gjithnjë e më shumë të nevojshëm për të patur sukses politik duke i përshtatur ekzigjencave të fushës gazetareske, e cila tashmë është shndërruar në një “kaukus” të vërtetë që kontribuon gjithnjë e më shumë në prodhimin e politikanëve dhe të reputacionit të tyre). Kjo vëmendje ekskluzive drejt “mikrokozmosit” politik dhe fakteve dhe efekteve që i mvishen atij rreket të prodhojë një shkëputje nga pikëpamjet e publikut, apo të paktën nga ato fraksione që janë më të shqetësuara për problemet reale që pozicionimet politike mund të sjellin në ekzistencën e tyre dhe në botën sociale. Kjo shkëputje forcohet në mënyrë të konsiderueshme, madje dyfishohet sidomos tek yjet e televizionit, përmes distancës sociale që kemi me ta, si pasojë e privilegjit ekonomik e social. Në fakt e dimë se që nga vitet ’60 e këtej, në Shtetet e Bashkuara si edhe në pjesën më të madhe të vendeve evropiane personalitetet e medias kanë pasur paga ekstremisht të larta, të përmasave 100,000 dollarë e më tepër në Evropë dhe disa miliona dollarë në vendet amerikane [2]-dhe të pagesat e tyre shpesh të stërmëdha lidhen edhe me pjesëmarrjen nëpër talk-shows, nëpër ture konferencash, në bashkëpunime të rregullta me gazeta, apo me të qenit “host” në raste mbledhjesh të grupeve profesionale (pikërisht kështu shpërhapja e strukturës së shpërndarjes së pushtetit dhe të privilegjeve në fushën e gazetarisë s’bën gjë tjetër veçse rritet, deri në masën që mund t’i quajmë këta persona të medias sipërmarrës të vegjël kapitalistë të cilët duhet të ruajnë e të rrisin kapitalin e tyre simbolik pikërisht duke qenë gjithnjë të pranishëm në studio televizive, gjë që është e domosdoshme për të mirëmbajtur kuotimin e tyre tregun e konferencave dhe të “hostimeve”, ndërkohë që krijohet një nën- proletariat masiv, i dënuar prej autocensurës që të jetë në gjendje të pasigurisë të vazhdueshme apo të “prekariatit”)[3].

Këtyre efekteve u shtohen edhe ata të konkurrencës brenda në vetë fushën gazetareske të cilat tashmë i kam përmendur, siç janë obsesioni për scoop-in dhe prirja për të privilegjuar pa asnjë lloj diskutimi informacionin më të ri e më të vështirë për t’u mbërritur, apo siç është mbishtrenjtimi që nxitet prej konkurrencës për të transmetuar interpretimet më dinake dhe më paradoksale, që shpeshherë nënkupton ato më ciniket, apo për të vazhduar më tej, siç janë lojërat e parashikimeve amnezike mbi mënyrën sesi rrjedhin gjërat, pra prognozat dhe diagnozat që s’kanë asnjë kosto (pak a shumë të njëjta me parashikimet sportive), të cilat e kanë të sigurt mosndëshkimin në total pasi që mbrohen prej harresës që pjell diskontinuiteti thuajse perfekt i kronikës gazetareske dhe rrotullimi i shpejtë i konformizmave të njëpasnjëshëm (siç ndodhi psh. pas vitit 1989 kur gazetarët e të gjitha vendeve kaluan brenda pak muajve nga një gjendje euforie dhe ekzaltimi me lindjen e demokracive të reja, tek një gjendje pesimiste e dënimit të luftërave të poshtra etnike).

Të gjithë këta mekanizma bashkëveprojnë për të prodhuar një efekt global depolitizimi, apo më saktësisht, zhgënjimi nga politika. Kërkimi për argëtimin ndikon, pa pasur nevojë që ta bëjë këtë gjë në mënyrë shprehimisht të vullnetshme, që vëmendja të kthehet drejt një spektakli (apo drejt një skandali), çdo herë jeta politike shtron pyetje të rëndësishme, por në paraqitje të parë të mërzitshme. Ose, në mënyrë më dinake, ato bëjnë që ai që quhet “aktualitet” të shndërrohet në një rapsodi ndodhish zbavitëse, shpesh të vendosura, si në rastin ekzemplar të procesit të O.J. Simpson, në një rrugë të mesme midis kronikës së zezë dhe show-ut, si një vazhdimësi ndodhish pa kokë e pa këmbë, pa përmasa, por që mbivendosen për shkak të koincidencave kronologjike, e kështu mbivendoset një tërmet në Turqi me prezantimin e planit të masave për shtrëngime buxhetore, një fitore sportive me një proces të ndjeshëm, i cili reduktohet gjer në absurd duke u thjeshtuar në diçka që duhet parë vetëm për një çast, brenda aktuales, duke e shkëputur prej gjithë çasteve paraprirëse apo prej rrjedhojave. Në mungesë të kohës, e sidomos të interesit dhe të informacionit (puna e tyre me evidentimin dhe shqyrtimin e dokumenteve të lidhur me temën në fjalë në rastet më të shpeshta kufizohej thjesht në leximin e artikujve të publikuar në shtyp mbi të njëjtin subjekt), ata nuk mund të punojnë në mënyrë të tillë që ndodhitë (p.sh. një akt dhune në një shkollë) të bëhen me të vërtet të kuptueshme prej publikut, por thjesht i pozicionojnë ato në sistemin e marrëdhënieve ku janë të zhytur dhe vetë (siç është struktura familjare, ajo vetë e lidhur me tregun e punës, ky i fundit i lidhur me politikën në rastin e taksave etj.) gjë që pa dyshim nxitet prej prirjes së politikanëve dhe sidomos të atyre që mbajnë përgjegjësi qeverisëse, që nga ana e tyre inkurajohen prej gazetarëve që t’i shohin si më të rëndësishme vendimet e tyre dhe përpjekjet që gazetarët bëjnë për t’i bërë më të famshëm politikanët ,që t’i kushtojnë rëndësi sipërmarrjeve afatshkurtra me “efekt reklame” e të mos i kushtojnë shumë rëndësi aksioneve që nuk kanë efekte të dukshme aty për aty.

Ky vizion i dehistoricizuar dhe dehistoricizues, i atomizuar dhe atomizues, e gjen realizimin e vet paradigmatik në atë imazh të botës që prodhohet prej lajmeve televizive, që janë një bashkëngjitje historish në dukje absurde që në fund bëhen të gjitha të ngjashme, sfilata me shumë ndërprerje popujsh të mjeruar të cilat pasohen prej ndodhish që shfaqen pa u shpjeguar dhe zhduken pa u zgjidhur. Sot Zaireja, dje Biafra, nesër Kongoja, të cilat të zhveshura prej çdo nevoje politike, maksimumi arrijnë të ngjallin ndonjë interes të zbehtë humanitar. Këto tragjedi të pa-lidhura të cilat pasojnë njëra-tjetrën pa u vënë kurrë në perspektivë historike, bëhen realisht të padallueshme prej katastrofave natyrore, tornadot, zjarret në pyje, përmbytjet, të cilat po ashtu janë shumë të pranishme tek “lajmet e ditës” sepse janë tashmë pjesë e gazetarinë tradicionale, për të mos thënë rituale, dhe mbi të gjitha kushton fare pak që t’i mbulosh. Sa i përket viktimave të këtyre ndodhive në shtete të tjera, ato nuk arrijnë të ngjallin ndonjë solidaritet apo revoltë qartësisht politike, jo më shumë sesa viktimat fjala vjen të një treni që del nga shinat, apo aksidenteve të tjera.

Kështu pra, është logjika e kampit të gazetarisë që, sidomos përmes formës partikulare me të cilën e vesh konkurrencën dhe me anë të të menduarit rutinor e të zakonshëm të cilin e imponon pa asnjë diskutim, arrin të prodhojë një botë të pështirë që ka si filozofi të historisë thjesht një vijimësi absurde katastrofash për të cilat nuk mund të kuptojmë asgjë dhe për të cilat nuk mund të bëjmë asgjë. Kjo botë plot me luftëra etnike dhe urrejtje raciste, me dhunë e krim, nuk është gjë tjetër përveçse një terren i pakuptueshëm dhe shqetësues kërcënimesh, pra para së gjithash secili duhet të shohë punën e vet dhe të mbrohet. E ndërkohë që bota e gazetarisë i dyfishon (duke i publikuar) shprehjet keqbërëse etnocentrike apo raciste (siç ndodh shpesh, sidomos kur flitet për Afrikën apo për “periferite”), detyra e gazetarisë në botë nuk është që të mobilizojë apo të politizojë; përkundrazi, duke i bërë jehonë (shprehjeve raciste e etnocentrike) gazetaria s’bën gjë tjetër përveçse i rrit frikërat ksenofobe, e rrit iluzionin se krimi dhe dhuna nuk po pushojnë së shtuari, duke favorizuar kështu ankthet dhe fobitë e atyre që kanë një vizion siguritar (të shtetit të sigurisë).

Ndjenja se bota siç prezantohet nga televizioni nuk ofron asgjë të përbashkët me vdekatarin e thjeshtë, shkon bashkë me përshtypjen se loja politike është punë profesionistësh, pak a shumë siç ndodh në sportin e nivelit të lartë ku krijohet një shkëputje e madhe mes praktikuesve dhe spektatorëve, edhe gjë që nxit, sidomos tek ata që janë më pak të politizuar, një mosangazhim fatalist që qartësisht i shkon shumë për shtat ruajtjes së rendit të vendosur.

Kështu që faktikisht duhet ta kesh gozhduar në tru besimin tek aftësinë e popullit për “rezistencë” (aftësi të pamohueshme, por të kufizuara), që të arrish të shpresosh , siç bëjnë një lloj “kritikësh kulturore” të ashtuquajtur “postmoderne”, se cinizmi i producentëve të televizionit, të cilët janë gjithnjë e më të ngjashëm me agjentët e reklamave në kushtet e tyre të punës, me objektivat e tyre (përpjekjen për të kapur audiencën maksimale, pra për të kapur atë “pak më shumë” që të lejon të shesësh më mirë) dhe me mënyrën e tyre të të menduarit, do mund të hasë një kufizim, apo ta gjejë një antidotë tek cinizmi aktiv i spektatorëve (veçanërisht tek zapping-u): ama ta besosh si universale aftësinë për të hyrë në bursën e kritikës dhe refleksionet e lojërave strategjike të tipit “unë e di që ti e di që unë e di” dhe aftësinë për t’iu kundërvënë një “leximi” të gradës së tretë apo të katërt me mesazhe “ironike” apo “metatekstuale” , që do të vinin në dukje cinizmin manipulator të producentëve televizivë dhe atyre të reklamave, do të thotë faktikisht të biesh pre e njërës prej formave më perverse të iluzionit skolastik në formën e vet më populiste.


[1]“Mbi televizionin” u bë objekt i një kritike që mobilizoi për muaj me radhë gjithë gazetarët dhe botuesit më të mëdhenj të të përditshmeve, periodikëve dhe të televizioneve francezë, periudhë në të cilën libri qëndroi në krye të listave të best-seller-ave.

[2] Cf. James Fallows, Breaking the news, How Media Undermine American Democracy, New York, Vintage Books, 1997

[3] Cf. Patrick Champagne “Le journalism entre precarite et concurrence”, Liber, 29, dhjetor 1996.


Përktheu: Dilfirus Vrioni

Shtëpia botuese: Pika pa sipërfaqe, 2015


© RRUGA PRESS

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *