KryesoreLibri i javes

LIBRI I JAVËS/LEGJENDA E PIANISTIT MBI OQEAN – ALESSANDRO BARICCO

E kam shkruar këtë tekst për një aktor, Eugenio Allegri dhe një regjisor, Gabriele Vacis. Ata kanë realizuar një shfaqje e cila ka debutuar në festivalin e Astit në korrik të këtij viti. Nuk di nëse kjo është e mjaftueshme për të thënë që kam shkruar një tekst teatral: por dyshoj. Tashti që e shoh në formën e një libri, më duket më tepër një tekst që luhatet mes një sajese për skenë dhe një tregimi që mund të lexohet me zë të lartë. Nuk besoj se ka një emër, për tekste të tilla. Sidoqoftë, pak rëndësi ka. Mua më duket një histori e bukur, që ia vlente të rrëfehej. E më pëlqen të mendoj se ndokush do ta lexojë.

A.B. Shtator 1994


Fragment nga libri…


Për Barbara-n

Rastiste gjithnjë që në një farë pike ndonjëri çonte kryet… dhe e shihte. Është diçka e vështirë për t’u kuptuar. Dua të them… Ishim më shumë se njëmijë vetë mbi atë anije, mes pasunarësh në udhëtim, e emigrantësh, e njerëzish të çuditshëm, e nesh… E megjithatë ishte përherë dikush, një i vetëm, një që i pari… e shihte. Me gjasë ishte aty duke ngrënë, ose duke shëtitur, thjesht, mbi urë… me gjasë ishte aty duke ujdisur pantallonat… çonte kryet një çast, hidhte një sy kah deti… dhe e shihte. Atëherë gozhdohej aty ku ishte, zemra i rrihte me furi, e, përherë, në gjitha ato herë të mallkuara, ju betohem, përherë, kthehej nga ne, kah anija, kah të gjithë, e thërriste (shtruar e mengadalë): Amerika. Mandej rrinte aty, i palëvizur a thua se duhej të fiksohej në një fotografi, me fytyrën e dikujt që e kishte bërë vetë Amerikën, mbrëmjeve mbas pune e të dielave, ndihmuar nga kunati, murator, njeri i mirë… fillimisht duke patur ndërmend diçka në kompensatë, mandej… i ka ikur pak dora, ka bërë Amerikën…

Ai, që i pari sheh Amerikën. Mbi çdo anije është një. E nuk duhet menduar se janë gjëra që ndodhin rastësisht, jo… e as dhe për çështje dioptrie, është fati, ai. Ata janë njerëz që qysh prej kohësh e kanë patur atë çast të fiksuar në jetën e tyre. E kur ishin fëmijë, ti mund t’i vështroje në sy, e nëse vështroje mirë, qysh në atë çast mund ta shquaje Amerikën, tashmë aty, gati për të marrë turr, për të rrëshqitur poshtë nëpër nerva e gjak a ku ta di unë, deri në tru e prej aty në gjuhë, deri brënda asaj britme (duke britur), AMERIKA, ishte tashmë, në ata sy prej fëmije, Amerika.

Aty, në pritje. Këtë ma ka mësuar Danny Boodmann T.D. Lemon Novecento, pianisti më i madh që kishte luajtur ndonjëherë në Oqean. Në sytë e njerëzve shihet ajo që do të shohin e jo ajo çka kanë parë.

Unë kam parë mjaft, Amerika… Gjashtë vjet mbi atë anije, pesë, gjashtë udhëtime për çdo vit, nga Europa në Amerikë e rikthim, gjithnjë mbi ujët e Oqeanit, kur zbrisje në tokë e nuk arrije as të shurroje drejt në hale. Ai ishte i palëvizshëm, ai, por ti, ti vazhdoje të luhateshe. Sepse prej një anije mund edhe të zbresësh: por nga Oqeani… Kur pata hipur, isha shtatëmbëdhjetë vjeç. E vetëm për një gjë ma ndjente, në jetë: të luaja në trombë. Kështu, kur nisi të qarkullonte ajo historia që kërkonin njerëz për piroskafin Virginian, poshtë në port, unë u vura në radhë. Unë dhe tromba. Janar 1927. Tashmë i kemi instrumentistët, tha tipi i Kompanisë. E di, dhe fillova t’i bie trombës. Ai ndejti aty duke më parë ngultaz pa lëvizur asnjë muskul. Priti derisa të mbaroja, pa thënë asnjë fjalë. Mandej më pyeti:

Lexo më shumë  Kisha serbe i ofron “mbështetje të palëkundur” Kishës ruse për pretendimet e saj kishtare në Ukrainë

– Çfarë ishte? Nuk e di.

I shndritën sytë.

Kur nuk e di se çfarë është, atëherë është xhaz.

Mandej bëri diçka të çuditshme me gojë, ndoshta ishte një buzëqeshje, kishte një dhëmb të artë pikërisht këtu, aq në qendër sa dukej sikur e kish vënë në vitrinë për ta shitur.

– Lozin mendsh, për këtë lloj muzike, atje sipër. Atje sipër donte të thoshte mbi anije E ajo lloj buzëqeshje donte të thoshte se më kishin pranuar.

Luanim tre katër herë në ditë. Së pari për të pasurit e klasit të luksit, e mandej për atë të së dytës, e herë mbas here shkonim tek ata emigrantët e gjorë dhe luanim për ta, por pa uniformë, ashtu siç qëllonte, e kohë më kohë luanin edhe ata, me ne. Luanim sepse Oqeani është i madh, e të shtie frikën, luanim që njerëzit të mos e ndjenin kohën që kalonte, e të harronin se ku gjendeshin. Luanim për t’i shoqëruar në vallëzim, sepse nëse vallëzon nuk mund të vdesësh, dhe ndjehesh Zot. Dhe luanim ragtime, sepse është muzika me të cilën Zoti vallëzon, kur askush nuk e shikon. Me të cilën Zoti vallëzonte, vetëm nëse ishte zezak.

(Aktori del nga skena. Fillon një muzikë dixie, shumë e hareshme e thelbësisht idiote. Aktori rifutet në skenë i veshur në një mënyrë elegante prej jazzman piroskafi. Prej këtu e mbrapa sillet sikur band-i të ishte, fizikisht, në skenë)

 Ladies and Gentlemen, meine Damen und Herren, Signore e Signori… Mesdames e Messieurs, mirëseerdhet mbi këtë anije, mbi këtë qytet lundrues që i ngjan për gjithçka e në gjithçka Titanikut, qetësi, rrini ulur, zotëria atje tej është prekur, e shikoj shumë mirë, mirseerdhët mbi Oqean, me që ra fjala ç’kërkoni këtu, ndonjë bast, po ju përndjekin fajdexhinjtë, jeni nja tridhjetë vjet të vonuar në rendjen drejt arit, dëshironit të shikonit anijen dhe mandej s’e vutë re se ishte nisur, keni dalë një sekond për të blerë cigare dhe në këtë çast gruaja juaj është në polici duke thënë se ishit njeri i mirë, shumë normal, për tridhjetë vjet rresht asnjë grindje… Me një fjalë, çfarë dreqin bëni këtu, treqind milje larg nga çdolloj bote e dhjerë dhe dy minuta larg vjelljes së ardhme? Pardon madam, bëra shaka, ki besim, kjo anije shkon si një bilë mbi bilardon e Oqeanit, tak, mbas gjashtë ditësh, dy orësh e dyzetë e shtatë minutash e pëlltum, në vrimë. New Yoooooork!

Lexo më shumë  Rritja e autoritarizmit të pushtetit në Shqipëri dhe tiktok-u

 (Band-i në plan të parë)

Nuk besoj se ka nevojë t’ju shpjegoj se pse kjo anije është, në shumë kuptime, një anije e jashtëzakonshme dhe përfundimisht e pashoqe. Nën komandën e kapitenit Smith, klaustrofob i njohur e njeri me urti të thellë (sigurisht do ta keni vënë re që jeton në një barkë shpëtimi), për ju punon një staf praktikisht i pashembullt profesionistësh absolutisht përtej së zakonshmes: Paul Siezinskj, timonier, ish-prift polak, sensitiv, pranoterapeut, fatkeqësisht i verbër…

 Bill Joung, radiotelegrafist, lojtar i madh shahu, mëngjërash, belbacuk… mjeku i bordit, dr. Klausermanspitzwegensdorfentag, nëse keni urgjencë për ta thërritur i keni larë duart…, por mbi të gjithë:

Monsieur Pardin, chef-i,

 i ardhur drejtpërdrejt nga Parisi ku megjithatë është kthyer menjëherë mbasi ka vërtetuar personalisht rrethanën e çudshme që e paraqet këtë anije të privuar nga kuzhinat, siç e ka vërejtur në mënyrë të hollë, mes tjerëve, edhe Monsieur Camembert, kabina, që sot është ankuar se e ka gjetur lavamanin përplot me majonezë, gjë e habitshme sepse zakonisht nëpër lavamanë mbajmë sallamrat, kjo për shkak të mosegzistencës së kuzhinave, gjë së cilës i mvishet veç tjerash edhe mungesa në këtë anije e një kuzhinieri të vërtetë, i cili sigurisht ishte Monsieur Pardin, i kthyer menjëherë në Paris, vend prej të cilit vinte drejtpërsëdrejti me iluzionin se do gjente kuzhinat këtu sipër, që në të vërtetë, për t’u ndejtur besnikë fakteve, nuk janë e kjo falë harresës hokatare të projektuesit së kësaj anijeje, inxhinierit të shquar Camilleri, anoreksik me famë botërore , të cilit ju lutem t’ia adresoni tuajën dhe të ngrohtën duartrokitjeeeeeee…

(Band-i në plan të parë)

 Besomëni, nuk do të gjeni anije tjera si kjo: ndoshta, nëse kërkoni me vite të tëra mund të gjeni një kapiten klaustrofob, një timonier të verbër, një radiotelegrafist belbacuk, një doktor me emër të pashqiptueshëm, të gjithë në të njejtën anije, pa kuzhinë. Ka gjasa. Por ajo që nuk do t’ju ndodhë kurrë, mund ta vini dorën në zjarr, është të rrini me bythën ulur mbi dhjetë centimetra poltronë e qindra metra ujë, në zemër të Oqeanit, teksa keni përpara syve mahnitjen, ndërsa në veshë mrekullinë, e ndër këmbë ritmin e në zemër sound-in e të pakrahasueshmit, të paimitueshmit, të pafundmi, ATLANTIC JAZZ BAAAAND!!!!!

 (Band-i në plan të parë. Aktori paraqet instrumentistët një për një. Çdo emër pasohet nga një solo e shkurtër)

 Në klarinetë, Sam “Sleepy” Washington!

Në banxho, Oscar Delaguerra!

Në trombë, Tim Tooney!

Në trombon, Jim Jim, Breath “Gallup Në kitarrë, Samuel Hockins!

 E së fundi, në piano Danny Boodmann T.D. Lemon Novecento.


Shqipëroi: Shpëtim Kelmendi

Shtëpia Botuese: Zenit, 2005


© Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *