KryesoreLajme

Ambasadori Rohde shprehet i frustruar për moslargimin e masave të BE-së ndaj Kosovës

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka kërkuar që masat e BE-së ndaj Kosovës të hiqen, teksa ka shprehur frustrimin se një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, Rohde ka kritikuar edhe qasjen e Serbisë pas njohjes që Kosova mori nga Kenia.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur i frustruar me masat që Bashkimi Evropian vazhdon t’i mbajë ndaj Kosovës.

Në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, të enjten, ambasadori Rohde tha se masat ndëshkuese duhet të largohen.

“Për masat, mund të përsëris vetëm se Gjermania avokon vazhdimisht heqjen e menjëhershme të masave si shumica e vendeve. Më duhet të pranoj se jam gjithashtu pak i frustruar që nuk ka ndodhur ende, sepse krijon një çekuilibër dhe efekte konkrete”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Meta pranon se mbylli gabimisht llogari të aktivistëve shqiptarë në Instagram

Kosovës i janë vënë masat ndëshkuese në qershorin e vitit 2023 e ato nuk janë hequr edhe pse ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në fund të vitit të shkuar rekomandoi një gjë të tillë.

E ambasadori gjerman ka kritikuar edhe Serbinë pas reagimeve të zyrtarëve të saj, për njohjen e fundit që Kosova e mori nga Kenia.

“Është vërtet e mirëseardhur që Kenia e njohu Kosovën. Shpresoj që shumë vende të tjera ta bëjnë të njëjtën gjë. Dhe sigurisht që reagimi i Serbisë, është shkelje e rëndë e nenit të katërt të marrëveshjeve të Brukselit për të mos bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, u shpreh Rohde.

Lexo më shumë  Kompania e Kushnerit mbron mbylljen e faqeve që mbështesin protestën në Tiranë dhe e quan atë të fabrikuar

Ambasadori Rohde, në intervistë ka folur edhe për marrëveshjen ushtarake të arritur mes Kosovës, Kroacisë e Shqipërisë, për Planin e Rritjes të BE-së si dhe për ndikimin dhe qasjen që mund ta ketë qeveria e re gjermane në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

YouTube player