Art & Kulturë

LIBRI I JAVËS/GJENEAOLOGJIA E MORALIT – FRIEDRICH NIETZCHE

Nga parathënia e autorit.

Parathënie

   1.

Ne që kërkojmë njohjen, jemi të panjohur, të panjohur edhe ndaj vetes sonë dhe një gjë e tillë ka arsyet e veta. Kurrë s’e kemi kërkuar veten – e si mund të ndodhte, që një ditë të bukur ta gjenim atë? Me të drejtë kanë thënë: “Aty ku është thesari juaj, është dhe zemra juaj”1, thesari ynë gjendet aty ku janë zgjojet e njohjes sonë. Prandaj jemi gjithmonë në lëvizje, mu si kafshë të lindura me flatra, si mbledhëse të mjaltit të shpirtit, me synimin e vetëm në zemër: “të çojmë në shtëpi” diçka. Mandej, sa i takon jetës me të ashtuquajturat “përvoja”, cili prej nesh ka pasur qoftë dhe vetëm seriozitetin e nevojshëm për to? Ose kohën e nevojshme? Druhem, se lidhur me këto gjëra, kurrë nuk “kemi qenë në brendi” vërtet: në fakt zemra jonë qëndron përtej-po ashtu dhe veshët tanë! Ashtu si dikush, hyjnisht i habitur dhe i kredhur brenda vetes, veshët e të cilit janë trandur nga tingulli i kambanës që me gjithë forcën e saj ka lajmëruar ditën me dymbëdhjetë goditje, e që zgjohet papritur dhe pyet veten “çfarë qe ky tingull?”, kështu pra ne, në një farë mënyre, më pas, fërkojmë veshët të befasuar e tërë siklet dhe pyesim “çfarë përjetuam vallë në të vërtetë?”, ose më tej “cilët jemi ne në të vërtetë?”, dhe vetëm më pas i numërojmë, siç edhe u tha, të dymbëdhjetë fragmentet e goditjeve të përvojës sonë, të jetës sonë, të të qenit tonë – ajme – dhe ngatërrojmë llogarinë… Në fakt mbetemi medoemos të panjohur ndaj vetes, nuk e kuptojmë veten, duhet të dukemi tjetër nga ç’jemi, për ne vlen në përjetësi shprehja “çdokush është për vetveten gjëja më e largët” ²; po të na pyesësh, ne nuk jemi njerëz që “kërkojnë njohjen”…

  2.

Mendimet e mia mbi origjinën e paragjykimeve tona morale – me qenë se për këto bëhet fjalë në këtë vepër polemike – janë shprehur për herë të parë, në mënyrë të esëllt e të përkohshme, tek përmbledhja me aforizma që mban titullin Njerëzor, tepër njerëzor . Një libër për shpirtra të lirë, hartimi i të cilit do të niste në Sorrento gjatë një dimri kur i lejova vetes pak prehje, siç ndalet për t’u prehur udhëtari, madje edhe për të rrokur me shikim truallin e gjerë e të rrezikshëm që shpirti im kishte përshkuar deri atëbotë. Kjo ndodhi në dimrin e 1876-1877-ës; ndërkohë mendimet e shprehura qenë më të hershme. Në thelb ishin po këto mendime të cilave po iu kthehem te këto përsiatje-dhe shpresojmë që periudha e gjatë t’u ketë vyer për mirë, që të jenë bërë më të matura, më të qarta, më kompakte e më të plota. Por fakti që unë ende sot e kësaj dite nuk i kam braktisur këto mendime, ndërkohë që ato janë zhvilluar dhe bashkërenduar njëri me tjetrin duke u lidhur gjithmonë e më fort mesveti, e përforcon tek unë besimin se, qysh në krye, ato nuk lindën tek unë në mënyrë të izoluar, arbitrarisht dhe vetiu, por lindën nga një rrënjë e përbashkët, nga një vullnet themelor për njohje, i cili ushtron sundimin e vet në thellësi, që flet në një mënyrë gjithnjë e më të thellë, që mëton gjëra gjithmonë e më të përcaktuara. Në fakt vetëm kjo i ka hije një filozofi. Nuk kemi asnjë të drejtë të jemi të izoluar kurrfarësoj, nuk na lejohet as të gabojmë as të mbërrijmë tek e vërteta në mënyrë të veçuar. Porse pikërisht me të njëjtën domosdoshmëri që pema jep frytet e veta, rriten tek ne mendimet tona, vlerat tona, po-të dhe jo-të tona, nëse-të dhe ndoshta-t, të afërta njëra me tjetrën dhe të gjitha në përkëmbyeshmëri të ndërsjellë, dëshmi të një vullneti, të një shëndeti, të një mbretërie tokësore, të një dielli të vetëm. A iu pëlqejnë vallë këto frytet tona? E ç’rëndësi ka kjo për pemën! E ç’rëndësi ka kjo për ne, për ne filozofët!…

  3.

Me një sedër që nuk e rrëfej me dëshirë – siç do të shohim, i referohet moralit, gjithçkaje që është brohoritur mbi tokë deri më sot si moral – një sedër që hyri tepër herët në jetën time, krejt e pakërkuar, krejt e papërmbajtshme, po aq në kundërshtim me mjedisin, moshën, shembujt, origjinën, sa gati më jep të drejtën ta quaj si “apriorinë” time-kurioziteti im, njëherit me dyshimin tim, u desh të ndalen me kohë mbi çështjen se çfarë origjine kanë në të vërtetë e mira dhe e keqja jonë. Faktikisht problemi i origjinës së të keqes më ka përndjekur qysh trembëdhjetë vjeç: atij dhe i kushtova, në një moshë në të cilën njeriu e ndan zemrën “mes lodrave fëmijërore dhe Perëndisë”,3 lojën time të parë letrare, sprovën time të parë të shkrimit filozofik dhe për sa i përket “zgjidhjes sime të atëhershme të problemit, siç është logjike, ia lashë atë nder Perëndisë dhe e bëra atin e të keqes. A ishte pikërisht kjo, ajo çka kërkonte nga unë “aprioria” ime; ajo “apriori” e re, imorale, ose të paktën imoraliste, dhe ai imperativ kategorik që prej saj fliste, medet, në mënyrë kaq antikantiane, kaq enigmatike, të cilën ndërkohë unë po e dëgjoja gjithnjë e më shumë, madje jo vetëm e dëgjoja?… Fatmirësisht mësova shpejt të dalloj paragjykimin teologjik nga ai moral dhe nuk e kërkova më origjinën e së keqes përtej botës. Pak edukim historik e filologjik dhe më tepër një delikatesë e lindur ndjeshmërie për problemet psikologjike në përgjithësi, e shndërruan rrufeshëm problemin tim në një tjetër në cilat kushte i ka shpikur njeriu gjykimet mbi vlerën e mirë dhe e keqe (?) dhe ç’vlerë kanë në vetvete? Deri më sot a e kanë penguar apo e kanë ndihmuar mirëqenien e njeriut? A janë shenjat e të gjendurit ngushtë, e varfërimit, degjenerimit të jetës? Apo në të kundërt, tek ato shpërfaqet plotësia, forca, vullneti i jetës, kuraja, siguria, e ardhmja e saj? -Për të gjitha këto pyetje gjeta dhe mora në sy përgjigje të shumta e të ndryshme brenda vetes, dallova epoka, popuj, rangje hierarkike individësh, e specifikova problemin tim; nga përgjigjet linden pyetje të reja , qëmtime, hamendësime, gjasa: derisa arrita të siguroj një territor timin, një truall vërtet timin, një botë të heshtur që i rritet e harliset, e ngjashme me ato kopshtet e fshehta për të cilat askujt nuk i lejohet të ketë dijeni… Oh sa të lumtur jemi ne njerëzit e njohjes, mjaft të dish të heshtësh për tërë kohën e nevojshme!…

  4.

Shtysa e parë që më bëri të shpalos disa nga hipotezat e mia mbi origjinën e moralit, më erdhi nga një libërth qartë, i pastër dhe inteligjent, madje edhe pak pedant, në të cilin hasa për herë të parë, në mënyrë të qartë, një tip të kundërt dhe pervers hipotezash gjene alogjike, domethënë tipin anglez, që më grishi me atë forcën tërheqëse që ka çdo gjë që është diametralisht e kundërt e anti-etike me idetë e tua vetjake. Libërthi titullohej Origjina e ndjenjave morale, autori ishte doktor Paul Ree; viti i botimit 1877. Mund të them se kurrë mbase nuk kam lexuar një gjë që të më ketë ngjallur prirjen për të mohuar çdo fjali, çdo konkluzion, siç më ka ndodhur me këtë libër; e prapë pa më shkaktuar bezdi dhe padurim. Në veprën për të cilën punoja atëherë dhe që e përmenda më sipër, iu referova rastësisht parimeve të këtij libri pa i mohuar këto të fundit – mohimet nuk kanë vend tek unë! -por siç i ka hije një shpirti pozitiv, duke vënë në vend të së pamundures diçka më të mundshme dhe, hera-herës, në vend të një gabimi, një gabim tjetër. Asokohe, sic thashë, nxora në dritë për herë të parë, në mënyrë ende të ngathët, këto hipoteza gjenealogjike të cilave u janë dedikuar këto pjesë; këtë mungesë zhdërvjelltësie do të doja t’ia fshih ja vetes, nje paaftësi që kishte të bënte me mos-pasjen e një gjuhe timen të denjë për këto lloj argumentesh, me kërcitje dhe luhatje të shumta. Le të krahasohen veçanërisht ato që kam thënë rreth prehistorisë së dy-fishtë të sëmurës dhe së keqes (domethënë duke u nisur nga sfera e padronëve dhe skllevërve) tek Njerëzor tepër njerëzor: mbi vlerën dhe origjinën e moralit asketik; ose më tej mbi “etikën e zakoneve”, që është ai lloj morali shumë më i lashtë dhe primitiv që largohet toto coelo* (Lat: aq larg sa qielli, shumë larg) nga kriteri i vlerësimit altruist (në të cilin doktor Ree, ashtu si të gjithë gjenealogjistët e tjerë anglezë të moralit, sheh kriterin e vlerësimit moral në vetvete); ose tek Udhëtari, tek Agu i mëngjesit, mbi origjinën e drejtësisë si marrëveshje ndërmjet atyre që kanë fuqi pothuajse të barabartë (baraspeshë që presupozon çdo pakt dhe po kështu çdo të drejtë), dhe më tej mbi origjinën e dënimit tek Udhëtari, qëllimi frenues i të cilit nuk është as thelbësor as zanafillor (siç beson doktor Ree-ai është më tepër i induktuar, në rrethana të caktuara, gjithmonë si diçka anësore, si shtojcë).

  5.

Në thelb, pikërisht atëherë kisha për zemër diçka shumë më të rëndësishme se një bashkë hipotezash të mijat apo edhe të të tjerëve rreth origjinës së moralit (ose, për ta saktësuar, çështjen e origjinës së moralit e shihja jo si qëllim në vetvete, por si një mjet për të mbërritur diku tjetër). Për mua bëhej fjalë për vlerën e moralit, madje lidhur me të mund të krahasohesha thuajse vetëm me mjeshtrin tim të madh Shopenhauer, të cilit i referohej ai libër me gjithë pasionin dhe kontradiktën e fshehtë që përmbante (në fakt edhe ai libër është një “vepër polemike”). Bëhej fjalë në mënyrë të veçantë për vlerën e “jo-egoistes ”, për instinktin e mëshirës, vetëmohimit dhe vetëflijimit, të cilat pikërisht Shopenhaueri i kishte veshur me ar, si dhe i pat hyjnizuar, duke i tejbartur në të përtejbotshmen deri në atë pikë sa i mbetën si të vetmet “vlera në vetvete”, mbi bazën e të cilave ai përfundoi duke i thënë jo jetës dhe vetes. Por shi kundër këtyre instinkteve u shfaq tek unë një mosbesim gjithnjë e më radikal, një skepticizëm që gërmonte gjithnjë e më në thellësi! Bash aty e shihja rrezikun e madh të njerëzimit, tundimin dhe joshjen e tij më sublime -ndaj çfarë gjëje fundja (?) ndaj hiçit? -pikërisht këtu shihja fillimin e fundit, ndalimin, lodhjen që i kthen sytë mbrapa-vullnetin që kthehet kundër jetës, sëmundjen e sprasme që shpallet në një melankoli të ëmbël: pashë në moralin e mëshirës që përparonte gjithnjë e më shumë, e që prekte dhe filozofët duke i sëmurur, simptomën më të mbrapshtë të kulturës sonë evropiane, që u bë dhe vetë e mbrapshtë, pelegrinazhin e saj të rrëpirët drejt një budizmi të ri, një budizmi evropian: pra…nihilizmit? Kjo përzgjedhje e ky mbivlerësim modern i mëshirës nga ana e filozofëve është në të vërtetë diçka e re: se bash lidhur me mungesën e vierës së mëshirës filozofët qenë pajtuar deri më sot. Mjafton të përmendim për këtë Platonin, Spinozën, La Roshëfukone dhe Kantin, katër shpirtra këta, tepër të ndryshëm nga njëri-tjetri, por të ngjashëm në një gjë në përçmimin e mëshirës.

  6.

Ky problem i vlerës së mëshirës dhe i moralit te mëshirës (unë jam kundërshtar i zbutjes skandaloze moderne të ndjenjave), duket pikësëpari si një dukuri e izoluar, si një çështje më vete, por atij që do ndalet dhe do mësojë të shtrojë pyetje mbi të, siç më ka ndodhur mua, do t’i hapet para syve një horizont i ri i pakufishëm. Një mundësi do ta mbërthejë si një marramendje dhe do të dalë në dritë çdo lloj mosbesimi, dyshimi e frike. Besimi te morali, te çdo lloj morali, do të lëkundet dhe së fundi do t’i bëhet e ndjeshme një nevoje të re. Le ta shpallim këtë nevojë të re: kemi nevojë për një kritikë të vlerave morale, të fillojmë të trajtojmë më në fund pikërisht vlerën e këtyre vlerave, madje për këtë punë kemi nevojë të njohim kushtet dhe rrethanat prej të cilave ato janë prodhuar, zhvilluar dhe modifikuar (morali si pasojë , simptomë , maskë , tartufizëm , sëmundje , keqkuptim; por edhe morali si shkak, si kurë, si stimulans, si mpirës, helm), pasi kjo njohje nuk ka ekzistuar deri më sot, por as nuk është dëshiruar. Vlera e këtyre “vlerave” është pranuar si e mirëqenë, si diçka faktike, përtej çdo diskutimi; deri më sot askush nuk ka ngurruar as dyshuar minimalisht në përcaktimin e një vlere më të madhe të mirit “se sa të ligut”, vlerë më të madhe në kuptimin e përparimit, të dobishmërisë, të një begatie në lidhje me njeriun në përgjithësi (përfshi këtu edhe të ardhmen e njeriut). Po sikur e kundërta të ishte e vërtetë? Po sikur tek “e mira të ishte rrënjosur një simptomë regresi, ose një rrezik, një joshje, një helm, një narcotium, përmes së cilës e tashmja të jetonte në kurriz të së ardhmes? Ndoshta me më shumë nge, me më pak rrezik, por edhe me stil dhe me thellësi më të ulët?… Kësodore morali qenka fajtori për faktin që nuk është arritur kurrë një fuqi e madhështi e mundshme e llojit njeri? Kësodore morali qenka rreziku i rreziqeve?…

  7.

Ja pra, pasi m’u hap ky horizont, pata arsye të mjaftueshme për të kërkuar rreth meje (çka ende vazhdoj ta bëj) shokë të ditur, të guximshëm dhe punëdashës. Duhet përshkuar territori i largët, i paanë dhe tepër i fshehtë i moralit-i moralit që ka ekzistuar dhe është përjetuar realisht me pyetje të reja si të ishin sy të ri: a nuk domethënë kjo pikërisht zbulimin e këtij territori për herë të parë?… Në qoftë se këtu kam menduar për të lartpërmendurin doktor Ree, këtë e kam bërë ngaqë nuk dyshoja se ai do të mbërrinte i shtyrë nga natyra e vetë problemeve të tij te një metodologji më e saktë për të gjetur disa përgjigje. Më gënjeu mendja vallë? Dëshira ime ishte gjithsesi që t’i jepja me çdo kusht një drejtim më të mirë një këndvështrimi të mprehtë dhe të drejtë, domethënë ta adresoja drejt historisë së vërtetë të moralit, kundër një sërë hipotezash angleze të ndërtuara mbi . Sigurisht që gjithkush mund ta ketë të qartë se ekzistojnë ngjyra njëqind herë më të rëndësishme se e bardha e reve për gjenealogjistin e moralit: në krye të herës grija. Kur them këtë, e kam fjalën për fakte autentike të mbështetura në prova dhe që kanë ekzistuar realisht, ose e thënë shkurt, e kam fjalën për tërësinë e hieroglifeve (që është e vështirë të deshifrohen) me të cilat është shkruar historia e shkuar e moralit njerëzor. Kjo tërësi hieroglifesh mbeti e panjohur për Dr. Reenë, por ai kishte lexuar Darvinin-dhe kështu që në filozofinë e tij shtaza darviniane dhe qenia morale modeste që “nuk kafshon më”, i japin dorën njëri-tjetrit gjithë edukatë, me një shprehi mirësjelljeje dhe një plogështi të lehtë, e përzier kjo më një grimë pesimizmi dhe lodhjeje në fytyrë, thua sikur të mos ia vlente të me rreshin seriozisht të gjitha këto gjëra, domethënë problemet e moralit. Në të kundërt, unë mendoj se nuk ka asgjë tjetër që ia vlen të merret kaq seriozisht sa problemet e moralit; e sigurisht akoma më mirë do të ishte sikur të vinte ndonjëherë dita që ato të merreshin në mënyrë lojcake. Në fakt të qenit lojcak, ose e thënë me gjuhën time, kjo dije gazmore, është një shpërblim për një seriozitet të gjatë, të nëndheshëm e të zellshëm, që normalisht nuk është diçka që e merr përsipër kushdo. Por në ditën që ne do të themi me gjithë zemër “Hajt, edhe morali ynë i vjetër është tashmë material për komedi!”, ne do të kemi zbuluar një intrigë të re dhe një mundësi të re për dramën dionisiake të titulluar “Fati shpirtit”-dhe ai do ta shfrytëzojë më së miri, ai kome diografi i madh antik e i amshuar i ekzistencës sonë!….

8.

Në qoftë se ky shkrim do të jetë i pakuptueshëm dhe do t’ia vrasë veshin ndokujt, nuk besoj se më duhet vënë medoemos faji mua. Ky shkrim është mjaft i qartë, me kusht që lexuesi i kësaj vepre të ketë lexuar edhe veprat e mia të mëparshme, jo pa mund, pasi thelbi i të tyre nuk është i lehtë për t’u rrokur. Le të marrim për shembull Zarathustrën; nuk mund të quhet njohësi i atij libri ai që nuk është herë lënduar dhe herë ngazëllyer thellësisht nga fjalët që janë shkruar aty; vetëm kështu ai do të ketë privilegjin të marrë pjesë në elementin këndellës prej të cilit ka lindur ajo vepër, të marrë pjesë në kthjelltësinë e saj diellore, në largësinë e saj, në gjerësinë dhe sigurinë e saj. Në raste të tjera paraqet vështirësi forma aforistike e të shprehurit, pikërisht se sot kësaj forme nuk i jepet rëndësia e duhur. Një aforizëm, të modeluar dhe të prerë mirë, nuk do të thotë se mjafton ta lexosh dhe e ke “deshifruar”; por qysh kur e lexon gjëja e parë që kërkohet është interpretimi, gjë për të cilën nevojitet një art i interpretimit. Pjesa e tretë e këtij libri përmban një shembull të asaj që unë e quaj “interpretim”: kësaj pjese i paraprin një aforizëm dhe vetë pjesa është komenti i këtij aforizmi. Pa dyshim, për të ushtruar kësisoj leximin si art, nevojitet mbi të gjitha një veti, që në ditë të sodit është harruar krejtësisht-çka është dhe arsyeja kryesore pse duhet ende kohë të vijë dita që shkrimet e mia të bëhen të lexueshme-një veti për ta ushtruar të cilën nevojitet thuajse të jesh një lopë, dhe kurrsesi “njeri modern”-dhe pikërisht vetia e ripërtypjes…

Sils- Maria, Engadina e Sipërme Korrik 1887

1. Cit. Mateu, 6, 21.

2. Inversion i proverbit «gjithkush është për veten më i afërti» (cit. Terenci, Andria, IV, I, 12).

3. Cit. Goethe , Faust , tek Ëerke , Zürich , 1949, vëll . V , pjesa I.


Shqipëroi: Armand Dedej, Astrit Cani

Shtëpia botuese: Uegen (2011)


©RRUGA PRESS

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *