Bota

Last Despatches: Pse luftërat në Ballkan ishin aq vdekjeprurëse për gazetarët

Kjo parathënie në librin e ri “Last Despatches” të BIRN, i cili përkujton gazetarët dhe punonjësit e medias që vdiqën gjatë dhe menjëherë pas luftërave në Ballkan, shqyrton pse konfliktet e viteve 1990 ishin kaq vdekjeprurëse për gazetarët.

or se do të kalonte ndonjë ditë pa rrezik – të shkoje në vijën e parë të frontit ose të raportoje nga rrugët e Sarajevës, ishte si një lotari, çështje fati…”

Kështu i kujton gazetarja boshnjake Arijana Saracevic Helac fillimin e viteve 1990 – një kohë rreziku, frike dhe gjaku. “Kam qenë me fat gjatë luftës, kam qenë me të vërtetë me fat”, këmbëngul Saracevic Helac, e cila në atë kohë punonte për Radio Televizionin e Bosnjës dhe Hercegovinës. “Më zunë rob, rashë nga helikopteri, më kaloi aq afër një plumb, saqë më ngeli një shenjë nga kjo për vite me radhë.”

Luftërat ballkanase të viteve 1990 ishin nga më vdekjeprurësit në histori për gazetarët. Gjatë dhe menjëherë pas konflikteve që shpërthyen në mes të rënies së Jugosllavisë dhe vazhduan nga viti 1991 deri në vitin 2001, u vranë më shumë se 150 reporterë, fotografë, kameramanë, producentë dhe punonjës të tjerë të medias.

Merrni librin “Last Despatches”

Disa u qëlluan për vdekje nga luftëtarët në postblloqe, disa u vranë në zyrat e tyre ose jashtë shtëpive të tyre; të tjerë vdiqën në sulme pa dallim me mortaja ose u bënë “dëm kolateral” i sulmeve ajrore. Ata vinin nga një sërë mediash dhe vendesh të ndryshme, por e vetmja gjë që kishin të përbashkët ishte se ata u vranë ndërsa bënin punën e tyre.

Të gjitha vdekjet e tyre lënë gjurmë të pashlyeshme – një fotograf 23-vjeçar që u qëllua teksa po bënte fotografinë e fundit të qytetit të tij të dashur në flakë; një korrespondent gazete të cilit iu thye kafka me makinën e tij të shkrimit; reporterë dhe punonjës të tjerë mediash që u vranë një ditë pasi lufta për të cilën ata kishin raportuar kishte përfunduar; një ekip televiziv që vdiq duke mbrojtur trupin e një fëmije pesë-vjeçar nga një shpërthim artilerie.

Por disa nga vrasjet e punonjësve të medias gjatë luftërave të viteve 1990 u hetuan siç duhet, madje edhe nga vendet e tyre. Akoma më pak njerëz janë ndjekur penalisht. Që nga janari 2022, vetëm një është dënuar – shefi paraushtarak serb “Kapiten Dragan” Vasiljkoviç, i cili u shpall fajtor për krime lufte kundër të burgosurve të luftës dhe civilëve, duke përfshirë një reporter.

Në disa raste, nuk është as e qartë se kush hapi zjarr, dhe mosmarrëveshjet vazhdojnë se cila palë në fushën e betejës ishte fajtore. Dosjet e çështjeve mbeten të hapura në prokuroritë në të gjithë Ballkanin, duke mbledhur më shumë pluhur me kalimin e viteve.

Kushtet specifike të luftërave ballkanase krijuan rreziqe specifike për gazetarët – veçanërisht gatishmëria e forcave të ndryshme për të shënjestruar zonat civile të qyteteve si Sarajeva me granatime dhe sulme me snajper. “Kishte shumë pak respekt për civilët, për njerëzimin”, thotë Janine di Giovanni, e cila mbuloi luftërat ballkanase për The Times. “Dhe gazetarët në Sarajevë, ne ishim pjesë e qytetit. Kështu që edhe ne ishim në shënjestër – jo sepse ishim gazetarë, por sepse ishim atje.”

Një arsye pse konfliktet në Ballkan ishin kaq vdekjeprurëse për gazetarët ishte për shkak të përfshirjes së gjerë të paraushtarakëve – luftëtarë të cilët ishin “të shtyrë nga urrejtja nacionaliste, të motivuar nga plaçkitjet dhe dëshira për të shfarosur palën tjetër”, thotë Drago Hedl, i cili raportoi luftën kroate për gazetën Slobodna Dalmacija.

Njësitë paraushtarake vepronin me një ndjenjë mosndëshkimi. Siç theksoi dikur korrespondenti veteran i BBC-së, John Simpson: “Ata e dinë se nuk ka gjasa të përballen me ndonjë problem nëse qëllojnë një dëshmitar që s’u leverdis.” Ata shpesh ishin të pa trajnuar ushtarakisht dhe të keqdisiplinuar, dhe ndonjëherë të dehur. Në vitin 1999, ndërsa raportonte për luftën e Kosovës, Janine di Giovanni dhe dy kolegë u dërguan në një pyll nga paraushtarakët e dehur dhe më pas “u detyruan të uleshin në gjunjë, ndërsa ata talleshin duke kryer gjasme një ekzekutim”.

“Ata qëlluan plumba mbi kokat tona dhe po debatonin nëse do të më përdhunonin apo jo”, kujton di Giovanni. “Siç ndodh shpesh në luftë, rastësia e fatit ndërhyri – ata morën një telefonatë në radio se një pilot amerikan ishte qëlluar aty pranë. Kështu që thjesh na vodhën të gjitha pajisjet dhe paratë dhe na lanë në mes të një mali të errët dhe të acartë.”

Lexo më shumë  Gjermania paralajmëron pasoja pas sulmit të dyshuar kibernetik rus

Luftërat ballkanase karakterizoheshin nga pjesë të fragmentuara të vijave të frontit dhe pikave të kontrollit, dhe reporterët ndonjëherë padashur devijonin në një territor të rrezikshëm. Marcus Tanner, i cili punoi për The Independent gjatë viteve të luftës, kujton se po ngiste makinën në një kthesë dhe më pas përpara i doli “një turmë të madhe serbësh të Kroacisë histerikë, të panikosur, të cilët na nxorën nga makina ime dhe na hodhën benzinë sipër, duke thënë nëse ata do të vdisnin, atëherë edhe ne duhet të vdisnim.”

Disa ndërtesa mediatike u goditën sepse ato shiheshin si kanale për “propagandën e armikut”. “Sulmi i parë në Bosnje dhe Hercegovinë kishte në shënjestër mediat. Hum (kulla e transmetimit televiziv të Sarajevës) u granatua për të ndaluar transmetimin, për të mos lejuar qe e vërteta për agresionin në Bosnje dhe Hercegovinë të arrinte në pjesën tjetër të botës”, thotë Arijana Saracevic Helac.

Disa vite më vonë, NATO bombardoi selinë e Radio Televizionit të Serbisë në Beograd, sepse, sipas kryeministrit britanik Tony Blair, ai ishte pjesë e “aparatit të diktaturës dhe pushtetit të Millosheviçit”. Menaxhmenti i stacionit nuk arriti ta evakuonte stafin e tij dhe 16 prej tyre u vranë. Shumë besojnë se ata u lanë të vdisnin atje në mënyrë që të mund të përdoreshin për qëllime propagandistike nga regjimi i Millosheviçit.

“A ka mënyrë më të mirë për të vrarë të vërtetën?”


Slavko Curuvija, nje redaktor serb që u vra në Beograd në vitin 1999. Foto kortezi e Fondacionit Slavko Curuvija.

Mediat ndonjëherë u vunë gjithashtu nën shënjestër në përpjekje për të kontrolluar narrativën e konfliktit. Jeta Xharra, e cila punoi si ndihmëse dhe përkthyese gjatë luftës së Kosovës dhe tani është drejtore e BIRN Kosova, thotë se regjimi i presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç po përpiqej ta paraqiste konfliktin e Kosovës si një luftë vetëmbrojtjeje nga forcat e tij, “kur, në fakt, ishin ata që vranë, plaçkitën dhe spastruan etnikisht fshatrat e populluara nga joserbë. Pra, ishte në interesin e tyre të siguroheshin që e vërteta të mos dilte në shesh, dhe a ka ndonjë mënyrë më të mirë për të vrarë të vërtetën përveç vrasjes ose frikësimit të një gazetari?”

Xharra kujton se si një kameraman i BBC-së me të cilën po ajo punonte u qëllua nga një snajper ndërsa po mbulonin një sulm nga trupat dhe paraushtarakët serbë në kompleksin e një lideri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998. “Plumbi kishte kaluar përmes paketës së tij të cigareve dhe një tufe me para dhe më pas kishte përfunduar në baterinë e celularit të tij. Praktikisht, celulari kishte bërë që plumbi të mos përfundonte në stomakun e tij”, thotë ajo.

“Arsyeja tjetër pse lufta ishte kaq e rrezikshme për gazetarët është sepse Millosheviçi kishte investuar shumë në propagandë”, vazhdon Xharra. “Pra, fakti që gazetarët e huaj po vinin dhe po i portretizonin shqiptarët si viktima të regjimit të Millosheviçit në Kosovë, po shkatërronte totalisht narrativën që ai po përpiqej t’i paraqiste botës se ai thjesht po mbronte krishterimin kundër myslimanëve terroristë. Pra, rreziku ishte i madh dhe kjo është arsyeja pse ai i arrestonte gazetarët e huaj që vinin për të raportuar.”

Ndonjëherë, gazetarë të caktuar u vunë në shënjestër për hakmarrje politike, si redaktori dhe botuesi Slavko Curuvija, një kundërshtar i hapur serb i Millosheviçit, i cili u qëllua për vdekje në Beograd nga shërbimi i sigurimit shtetëror gjatë sulmeve ajrore të NATO-s në Jugosllavi.

Për shkak se konfliktet në Ballkan ishin shumë afër Evropës Perëndimore, kjo do të thoshte se ishte e lehtë që gazetarë të rinj dhe të papërvojë të udhëtonin atje. “Për shumë njerëz, kjo ishte lufta e tyre e parë e vërtetë. Kështu që shumë njerëz shkuan atje pa i ditur rregullat e angazhimit, jo vetëm profesionalisht, por për sa i përket kujdesit për veten e tyre”, thotë Ed Vulliamy, i cili raportoi luftën në Bosnjë për The Guardian. “Askush nuk u tha atyre: “Nuk mund t’i kaloni vijat e frontit. Ata e mësuan këtë duke kaluar shumë përvoja të pakëndshme.”

“Këto ishin luftërat e para të brezit tonë, kështu që askush nuk kishte përvojë”, thotë Tim Judah, i cili ishte korrespondent i Ballkanit për The Economist dhe The Times gjatë konflikteve. “Në të njëjtën kohë, shumë organizata lajmesh nuk donin të shpenzonin paratë e nevojshme për të mbrojtur gazetarët e tyre.”

Lexo më shumë  Trupat ruse hyjnë në bazën ajrore në Nigeri, ku janë të stacionuar ushtarët amerikanë

Juda kujton një incident në fillim të luftës në Kroaci, kur ai dhe kolegët e tij pyetën një gazetar gjerman nëse donte t’i shoqëronte në zonën e Glinës, ku kishte raportime për dhunë. Gjermani nuk pranoi. “Në Glinë filluan të binin predha mortajash, kështu që ne u kthyem në makinën tonë dhe u larguam sa më shpejt që mundëm. Në një moment, aty kaloi një makinë me tabelën “Press” në xhamin e përparmë. Është një imazh që më ka ngelur në mendje, sepse, teksa e kujtoj, pyes veten nëse mund të kisha bërë diçka për ta ndaluar atë.” Në makinë ishte gjermani, Egon Scotland. Atë ditë ai u vra në Glinë.

Gazetarët vendas në republikat e ndryshme jugosllave u gjendën në një situatë të re të rrezikshme sapo shpërthyen konfliktet. Siç thotë Ed Vulliamy: “Ata nuk dolën të kërkonin luftë. Ishte lufta që i gjeti ata.” Ata kishin më pak mbrojtje dhe u përballën me më shumë rrezik sesa homologët e tyre të huaj më të pasur dhe u desh të mësonin shpejt në punë e sipër. “Ne u bëmë më të fortë në fushën e betejës”, thotë Arijana Saracevic Helac. “Askush nga ne nuk ishte i trajnuar për të mbuluar luftën, nuk kishim fare mbrojtje, thjesht u përfshimë.”

Marcus Tanner thotë se të gjitha palët në të gjitha luftërat ballkanase donin të mbanin opinionin ndërkombëtar në anën e tyre, ndaj nuk shënjestruan qëllimisht gazetarët e huaj. Gazetarët vendas të etnive “armike” ishin një çështje tjetër, megjithatë: “Ishte shumë ndryshe për reporterët vendas që shiheshin si propagandues të “palës tjetër” dhe për pasojë u shënjestruan dhe u trajtuan në përputhje me rrethanat.”

Gjatë luftërave të viteve 1990, gazetarët që punonin në qyteza dhe qytete që ishin nën rrethim ishin po aq të bllokuar sa pjesa tjetër e popullsisë vendase dhe kishin po aq gjasa të vriteshin, si Sinisa Glavasevic, redaktori i Radio Vukovarit, i cili u vra së bashku me disa qindra të tjerë kur qyteti i rrethuar kroat ra në 1991.

Disa gazetarë që mund të kishin ikur, në fakt, vendosën të qëndronin dhe të vazhdonin të raportonin, duke ndier se e kishin për detyrë të informonin bashkatdhetarët e tyre, e ndoshta edhe botën më gjerë, për atë që po ndodhte. “Për ne, lufta për të vërtetën ishte mënyra jonë e rezistencës”, thotë Saracevic Helac.

Për disa gazetarë të pavarur, rreziku nuk u zhduk me ndalimin e luftimeve. “Shumë herë mund të isha vrarë njësoj si gati një mijë bashkëqytetarë të mi që u vranë në rrugët e qytetit ose në shtëpitë e tyre gjatë bombardimeve. Por kur mbaroi lufta dhe fillova të shkruaj për krimet e kryera nga disa pjesëtarë të popullit tim, unë u ktheva në një objektiv. Kishte kërcënime. Kërcënime shumë të rënda me vdekje dhe druhesha për jetën time”, thotë Drago Hedl.

Autoritetet në shtetet e ish-Jugosllavisë kanë dështuar pothuajse plotësisht për të vënë drejtësi për vdekjen e këtyre gazetarëve dhe punonjësve të medias, kryesisht për shkak të neglizhencës apo mosinteresimit zyrtar, por ndonjëherë edhe për shkak se vrasjet e tyre ende ngrenë pikëpyetje për njerëzit me lidhje me nivelet më të larta të pushtetit në Ballkani sot.

Kjo pandëshkueshmëri e dukshme ka dërguar sinjalin e zymtë se shënjestrimi i gazetarëve nuk do të sjellë ndëshkim. “Fakti që kaq pak njerëz janë mbajtur ndonjëherë përgjegjës për vrasjet e gazetarëve në Ballkan sugjeron që vrasja e lajmëtarit pranohet gjerësisht nga autoritetet – ose të paktën nuk është një përparësi”, thotë Emma Daly, e cila raportoi për The Independent gjatë luftërave të viteve 1990 dhe tani punon për Human Rights Ëatch.

Në mungesë të drejtësisë, libri “Last Despatches” i BIRN përfaqëson një akt përkujtimor. Të 20 historitë e përpiluara këtu janë pjesë e një serie që BIRN ka botuar që nga viti 2018, e titulluar gjithashtu “Last Despatches”, në të cilën punonjësit e medias që vdiqën kujtohen nga familjet, miqtë dhe kolegët e tyre.

Përpjekjet tona për të ruajtur kujtesën e tyre pasqyrojnë gjithashtu besimin tonë se një media e lirë është më e rëndësishme se kurrë në luftën për demokraci të vërtetë dhe për një paqe të qëndrueshme në Ballkan. Me fjalët e një pllake përkujtimore në murin e një banese ku u vranë tre gazetarë në qytetin e Mostarit gjatë luftës në Bosnje: “Sakrifica e tyre le të jetë një paralajmërim, në dobi të paqes dhe tolerancës.”

Azra Husaric kontribuoi në realizimin e këtij artikulli./balkaninsight/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *