Lajme

Ky është zyrtari i arrestuar, nipit të Xhavit Halitit – dhëndër i shefit të ARC-së, Blerim Camajt

Dy ditë më parë është arrestuar një punonjës në Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC) nën dyshimin e bazuar se ka keqpërdorë detyrën zyrtaren dhe një personi të kërkuar nga INTERPOL-i ia ka mundësuar dhënien e identitetit të rrejshëm, i cili më pas i është shmangur ndjekjes nga organet e rendit.

Sipas njoftimit zyrtar, i prangosur në këtë rast është D.B., i cili prej kohësh punon në Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC), në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie.

Siç mësohet personi i arrestuar është Drilon Berbati dhe ai dyshohet se ka pajisur kundërligjshëm me dokumente personale, letërnjoftim dhe pasaportë të Republikës së Kosovës një person nga Shqipëria, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për trafikim me drogë.

Prokuroria në ditën e arrestimit sqaroi se i lartcekuri dyshohet se më 15.10.2021, në Prishtinë, respektivisht në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin për dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Kush është i arrestuari Drilon Berbati – lidhja me shefin e ARC-së, Blerim Camaj dhe deputetin e PDK-së, Xhavit Halitin

KosovaNews mëson se zyrtari i arrestuar Drilon Berbati prej kohësh punon në Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC), në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie.

Vetëm me një shikim të rrjetit social shihet se ai është një zyrtar e militant i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Aty shihet se Berbarti për vite ka shpërndarë e aktivitetet e PDK-së nëpër fushata, e sidomos ato të deputetit aktual të kësaj partie, Xhavit Halitit.

Berbati rezulton të jetë edhe dhëndër i Blerim Camajt, që për shumë vite ka mbajtur pozita drejtuese në ARC dhe aktualisht e mban pozitën e zëvendësuesit të Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).

E, Blerim Camaj është i afërt i njërit prej drejtuesve të PDK-së, respektivisht është nip i deputetit të kësaj partie, Xhavit Halitit.

Paraburgim prej 30 ditësh për Berbatin

Pas arrestimit Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit për Berbatin, ndërsa dje Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda edhe e ka pranuar këtë kërkesë.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Gjykata pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, gjeti se kërkesa e prokurorit është e bazuar, ashtu që marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete, ka konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore të parapara me nenin 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1 dhe 2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B.”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

ARC deri tani nuk ka bërë publike asnjë masë ndaj të arrestuarit Drilon Berbati

Edhe pse Drilon Berbati është arrestuar dhe tani ndodhet në paraburgim për 1 muaj, deri tani drejtuesit e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), nuk kanë marrë ndonjë masë disiplinore për suspendim apo përjashtim ndaj zyrtarit në fjalë.

Së paku deri kohën e publikimit të artikullit nuk është publikuar ndonjë vendim i këtij institucioni ndaj zyrtarit të prangosur për keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar./KosovaNews

Rruga Press

YouTube player