KryesoreLajme

Kuvendi të enjten shqyrton buxhetin dhe Byronë e konfiskimit të pasurisë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca e rregullt plenare do të mbahet të enjten, duke filluar nga ora 10:00.

Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu njoftoi se në rend dite do të jenë projektligji për ndarjet buxhetore dhe ai për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ajo theksoi se funksionalizimi i Byrosë është i rëndësishëm për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke u bërë thirrje deputetëve që ta mbështesin këtë proces.

Lexo më shumë  Aktakuzë ndaj Stefan Raduloviqit për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë

“Pozita publike nuk mund të jetë as rrugë pasurimi, as mburojë për të fshehur pasurinë e pajustifikueshme. Zyrtari që nuk mund ta arsyetojë pasurinë me të ardhura të ligjshme, duhet të japë llogari”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.

Ajo u shpreh se pret mbështetjen e deputetëve për përfundimin e këtij procesi dhe zbatimin e ligjit në praktikë.

Haxhiu bëri të ditur gjithashtu se Kryesia ka vendosur të shpallë konkurs publik për dizajnimin e logos së Kuvendit.

Sipas saj, me plotësimin e institucioneve, Kuvendi ka hyrë në ritmin e rregullt të punës, me mbledhje të Kryesisë çdo të hënë dhe seanca plenare çdo të enjte.

Lexo më shumë  Studentët kundër Vuçiqit, por edhe pavarësisë së Kosovës

Ajo theksoi se, me rreth 200 projektligje në agjendën e Qeverisë, synimi është që ato të trajtohen pa vonesa dhe me përgjegjësi.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë është dorëzuar edhe një nismë qytetare për ndryshimin e Kodit Penal, e cila, sipas Haxhiut, do të trajtohet në përputhje me procedurat e parapara.

YouTube player